Unaza e Poetekes per Jevrem Brkovic

Unaza e Poetekës për Jevrem Brkovic

Poeti Jevrem Brkovic meritoi "Unazën e Poetekës" në edicionin e tretë të Festivalit

Ndërkombëtar të Poezisë. U mbyll mbrëmë në qytetin bregdetar të Durrësit aktiviteti I madh I poezisë. Pas një javë leximesh, mes poetëve të zgjedhur, u zgjodhën ata më të mirët. Krahas "Unazës" për poetin nga Mali i Zi, Brkoviq u ndanë mbrëmë edhe dy çmime të tjera të rëndësishme. Çmimi "Liburna" iu dha poetit Anton Papleka, ndërsa "Nositin" për përkthimin poetik e meritoi Abedin Preza. Rreth 80 poetë nga 20 vende të ndryshme të botës konkurruan në edicionin e tretë të "Poetekës", duke zgjeruar kështu gjeografinë e festivalit. Në festival morrën pjesë nga Shqipëria rreth 40 poetë, prej të cilëve 30 për herë të parë. Mes pjesëmarrësve u renditën emrat e Dritëro Agollit, Xhevair Spahiut, Bardhyl Londos, Preç Zogaj, Mimoza Ahmeti, Ervin Hatibi, Agron Tufa, Parid Teferiçi, Gentian Çoçoli, Ledia Dushi, Natasha Lako, Besnik Mustafaj, etj.

Ndërsa nga Kosova Ali Podrimja, Ali Aliu, Eqrem Basha e Basri Çapriqi. Nga Greqia Athina Papadakis, nga Maqedonia Milovan Stefanovski e Resul Shabani, nga Bullgaria Katia Ermenkova, nga Rumania Gabriella Eftimie e Ion Muresan, nga Soanja Eduardo Moga, Haydar Ergulen nga Turqia, Fiona Sampson nga Anglia, Marion Poschmann, Gjermani, Hans Raimund, Austri, etj. Programi i festivalit u hap me një përshpirtje për shkrimtarin Mitrush Kuteli, i cili këtë vit ka 100- vjetorin e lindjes dhe 40 vjetorin e vdekjes. Ndaj dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e ka shpallur këtë vit "Viti Dhimitër Pasko". Ashtu si edhe dy edicionet e mëparshme, "Poeteka" ka ofruar hapësira edhe për artet simotra, si për muzikën, pikturën, madje edhe kinematografinë. Regjisorë, kineastë dhe muzikantë, kanë shfrytëzuar vargun për të sjellë portrete poetësh, por edhe për të krijuar këngë e romanca. Një tjetër aktivitet me rëndësi gjatë ditëve të festivalit ishte takimi mes përkthyesve të poezisë shqipe që jetojnë në Evropë. U quajt "Murkaluesi", pasi synonte daljen nga izolimi të poezisë shqiptare.

Ndërkohë që të premten emri më i madh i ikonografisë shqiptare për kritikun më të mirë të vitit. Kritiku Ali Aliu u vlerësua me çmimin "Onufri" në edicionin e tretë të "Poetekës". Festivali Ndërkombëtar i Poezisë, "Poeteka" ishte mysafire e qytetit të "një mbi një dritareve". Është çmimi "Onufri" që ndahet për herë të parë në këtë edicion të tretë, që transferoi skenën poetikë në qytetin muze. Takimi u zhvillua në lagjen "Kala" të këtij qyteti, ku poetë të ardhur nga Kosova, Maqedonia dhe mbarë bota u mblodhën në sheshin "Konstadini i Madh", për të shfletuar pakëz nga krijmtaria e tyre. Pas pikënisjes në qytetin e Durrësit "Poeteka" mbërriti në Berat, qytet i cili ka mrekulluar poetët e huaj, nga Greqia, Anglia, Gjermania, Rusia etj. Takimi mes poetësh është përshëndetur nga prefekti i qarkut, Roland Bejko, i cili u shpreh se "ndihem në vështirësi që si një përfaqësues i shtetit të flas në një ditë kushtuar poezisë", pasi sipas tij poezia është e lirë, ndërsa shteti kufizon disa liri.

Bejko dhe të tjerë pushtetarë lokalë ndoqën nga afër për rreth një orë krijimet në poezi të shumë poetëve të huaj, por dhe vendas dhe të qytetit të Beratit. Ali Podrimja e Lindita Arapi ishin epiqendra e këtij aktiviteti. Ata emocionuan të pranishmit me krijimet e tyre në poezi. Por, ndonëse në gjuhë të huaj emocione kanë krijuar dhe krijimet e poetëve të huaj, krijime të cilat janë shoqëruar me muzikën e mrekullueshme të orkestrës së qytetit të Beratit. Më pas prefekti i qarkut, Bejko, në emër të institucionit që ai drejton dhuroi çmimin "Onufri" për merita në fushën e vështirëtë kritikës. Këtë çmim e meritoi kritiku dhe studiuesi Ali Aliu. Vlen të përmëndet se nën drejtimin e prefektit të Beratit "Poeteka" zhvillon aktivitetin e saj për herë të dytë në qytetin e Beratit.

 
A. Mile/ S. Gozhina - Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama