Ujkonja e Selanikut zbutet ne Pobrat

Ujkonja e Selanikut zbutet në Pobrat

Historia e ka zanafillën e saj jo më larg se tre vjet më parë, kur emigranti elbasanas, Bashkim Preçi, punonte si bari delesh në malet e Selanikut të Greqisë. Në fillim të stinës së dimrit të vitit 2004 emigranti shqiptar nga Pobrati i Elbasanit ka arritur t’i rrëmbejë një ujkonje të plagosur nga gjahtarët grekë një nga tre këlyshët e saj. Ndërsa ujkonja nënë ishte larguar me shpejtësi nëpër pyllin e Selanikut pas plumbave të lëshuar drejt saj, kishte harruar të merrte me vete një nga tre këlyshët. Pa asnjë hezitim, bariu shqiptar ka rrëmbyer këlyshin femër, të lënë në strofull nga ujkonja dhe e ka marrë me vete në stan. Kafshën e egër e ka ushqyer për një farë kohe dhe ka vendosur ta sjellë në Shqipëri. Që aventurës së tij t’i shkonte deri në fund, bariu shqiptar kishte planifikuar edhe planin e transportit të saj. Në doganën greke e shqiptare, bariu nga Pobrati i Elbasanit ka dhënë ryshfet nga 50 euro, por duke e mbajtur këlyshin e ulkonjës të mbyllur në një kuti kartoni, duke thënë se ishte qen race dhe një kafshë e egër, që ai e kishte marrë në malet e Selanikut.

Këlyshi i vogël i ujkonjës ka qenë dhurata që ai i ka bërë gruas dhe fëmijëve të tij, bashkë me paratë e fituara me mund e sakrifica si bari në malet e shtetit fqinj. Por aventurës së tij bariu emigrant i ka shkuar deri në fund. Me shumë këmbëngulje ai ka arritur ta zbusë kafshën e egër, aq sa këlyshi i ujkonjës në rritje u miqësua me njerëzit, qofshin këta të shtëpisë apo fqinjë me familjen e Bashkim Preçit në fshatin Pobrat. Madje, kafsha e egër u bë e dashur edhe me qentë, që e zonja e shtëpisë i quan “armiqtë“ e ujkonjës. Ditën ata qëndrojnë të palidhur së bashku, shkojnë në mal e kthehen. Ai që e solli në Pobrat nuk ka hezituar që t’i shkonte aventurës edhe më tej. Pas një viti ujkonja ka arritur të kishte tre këlyshë, pas çiftëzimit me qenin e shtëpisë, gjë kjo gati e padëgjuar më parë, së paku në këto anë. Në fshatin Pobrat të zonës së Shpatit, Ujkonja e Selanikut është bërë personazh i rëndësishëm. Një gjahtar nga Elbasani ka kërkuar ta blejë atë deri në 2 mijë dollarë, por familja Preçi nuk ka ndër mend ta lëshojë kafshën e egër, tashmë të zbutur.

Elis Memelli - Gazeta Albania


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama