Udherrefim ne “Çernobilin” shqiptar

Udhërrëfim në “Çernobilin” shqiptar

Zona e Porto Romanos shtrihet në veri të qytetit të Durrësit, rreth 6 km larg. Ajo ka qenë një nga zonat më të frekuentuara nga pushuesit vendas, ndërkohë që plazhet e pastra të saj kanë qenë të preferuara edhe për peshkatarët durrsakë. Zona në fjalë ka në fakt disa vjet që është përfshirë nga një ndotje e shkallës së lartë e shkaktuar nga ndërtimi i uzinës kimike në këtë zonë.

Zona e Porto-Romanos në Durrës është një nga hot-spotet më problematike të ndotjes kimike. Ajo është shkaktuar nga lëndë kimike (lindan mbi 1500 ton ardhur në fund të vitit 1978), që gjenden të pranishme me përqindje shumë të larta në tokë, në ujërat sipërfaqësore, në ujin e pijshëm (ujë pusi), në qumështin e lopëve, në gjakun e banorëve etj., të gjitha këto mbeturina të veprimtarisë së dikurshme të ish-uzinës së lindanit, si dhe të mbeturinave të lëndëve kimike që për shumë vitesh u lanë pa u siguruar në ish-magazinat e saj. Megjithëse në vazhdimësi është ngritur zëri për rrezikshmërinë që paraqesin helmet e ndryshme nga lëndët kimike të depozituara në Porto-Romano, shumë pak ose asgjë nuk është bërë për marrjen e masave për zgjidhjen përfundimtare të gjendjes.

Mjafton të shkosh në atë zonë periferike dhe të takohesh me njerëzit, me të ardhurit e viteve të fundit atje. Banorë të zonës, kur i takon ankohen për probleme të ndryshme shëndetësore, për gjendjen e ujit të pijshëm, për rrezikun që paraqet ndotja e zonës për ushqimin e bagëtive e më gjerë. Për më tepër, zona e Porto-Romanos është arritur të shndërrohet në bartëse e përbërjes kimike të helmeve të ndryshme, edhe si vend për “strehimin” e “grumbullimin” e mbeturinave të lëndëve të ndryshme kimike.

Gjendja bëhet edhe më shqetësuese në këtë zonë bregdetare, ku në 10-15 vjetët e fundit në të janë vendosur mjaft banorë të shpërngulur nga vise të ndryshme, nga halli dhe nga mundësia e dhënë për gjetjen e një trualli të lirë e pa telashe, truall pa zot, duke harruar për një çast rrezikun që e kanë gjithmonë në prag e brenda shtëpisë së tyre. Edhe në vetë ish-godinën e fabrikës gjetën strehim 5-6 familje të ardhura, të cilat ende vazhdojnë të banojnë atje. Dhe pasojat dihen: në gjakun e banorëve të Porto-Romanos janë gjetur izomere të HCH (82 mg/litër).

Nga monitorimet e bëra për tipat e ndotjes dhe shkallën e saj, nga krahasimi i të dhënave me normat e Bashkimit Evropian del se sipërfaqja në Porto-Romano është tej mase e ndotur, gati si asnjë vend tjetër në territorin tonë. Ajo është cilësuar madje si një nga 7 zonat më të nxehta në Evropë në lidhje me ndotjen tejet të lartë. Vetëm kimikate të mbetura stok që, në njërën a tjetrën formë, vazhdojnë të mbeten atje, si: lindan, sulfat karboni, bikarbonat natriumi, mono-dimetilaminë (370 tonë), kimikate toksike (20 000 tonë) etj., përbëjnë rrezik serioz për botën e gjallë. Asgjë konkrete nuk është bërë për rehabilitimin e kësaj zone në vitet e qeverisjes socialiste dhe se në zonë kanë filluar të shfaqen sëmundje nga më të ndryshmet të provokuara nga helmet. Siç dihet, zona e ish-uzinës së Porto Romanos është përcaktuar si një nga pikat më të nxehta mjedisore në Shqipëri, pasi deri në vitin 1990 ka funksionuar fabrika kimike në këtë zonë, e cila ka prodhuar 20 000 ton mbetje toksike në territorin e uzinës, kryesisht lindan dhe krom 6 valent.

Lëvizja e lëndëve kimike përmes ujërave nëntokësore është bërë një shqetësim emergjent për shëndetin e njerëzve. Aktualisht në këtë zonë të ndotur kimike është realizuar vetëm studimi i fizibilitetit nga një kompani gjermane me një fond prej 250 mijë USD të akorduar nga qeveria japoneze, si dhe është akorduar një fond prej 200 milionë lekësh nga qeveria shqiptare me të cilin është ndërtuar një mur rrethues në qendër të zonës së kontaminuar. Sipas projektit, ndërhyrja do të fillojë në ish-fabrikën kimike për largimin e pesticideve, ku parashikohet të ndërtohet një kapsulë (Dampë) me një sipërfaqe prej 20 mijë m² për izolimin e mbetjeve kimike.

Kjo kapsulë nuk do të lejojë shpërndarjen e ujërave nëntokësore si dhe do të grumbullojë materialet e ish-uzinës kimike. Projekti parashikon inkapsulimin në vend të të gjitha mbetjeve kimike. Projekti që është ndërmarrë nga qeveria është monitorimi i gjendjes shëndetësore të popullsisë pranë zonës së ndotur kimikisht. Me anë të një projekti të Bankës Botërore për integrimin e menaxhuar të zonës bregdetare me një vlerë prej 5 milionë 500 mijë USD shpresohet që situata të përmirësohet në mënyrë të ndjeshme.

Tek banorët e zonës së Porto Romanos kanë filluar të shfaqen rëndim i mushkërive, probleme në aparatin tretës dhe çrregullime të forta nervore. Qeveria tashmë ka të konturuar gjithçka mbi zbatimin e dy projekteve madhore që shumë shpejt, duke nisur nga viti 2008, do ta kthejnë në vlerë të çmuar ish-perlën e durrsakëve, duke synuar krijimin e turizmit elitar edhe në Porto-Romano. 

ARTUR AJAZI  : Gazeta Standard


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama