Turistet pushtojne kalane e Gjirokastres

Turistët pushtojnë kalanë e Gjirokastrës

Pika më e preferuar e vizitorëve mbetet gjithmonë kalaja ndër më të bukurat në Ballkan me legjendën e saj të Argjirosë

GJIROKASTËR- Sezoni turistik i këtij viti duket se ka qenë tepër fitimprurës për qytetin e Gjirokastrës teksa një numër shumë i madh njerëzish i janë kthyer turizmit historik e kulturor duke vizituar kalanë e qytetit. Megjithëse shifrat zyrtare të vizitorëve nuk janë bërë ende publike, mendohet se ata janë sa trefishi i vitit të kaluar çka do të thotë rreth 18 mijë vizitorë. Kalaja mbetet absolutisht pika më e frekuentuar prej qindra vizitorëve vendas e të huaj, që vijnë çdo ditë në qytetin e gurtë. E përfshirë në guidat turistike si një prej objekteve monumentale të këtij lloji ndër më të bukurat e më të mëdhatë në Ballkan ajo përherë ka tërhequr vëmendjen. Legjenda e princeshës Argjiro, që pas pushtimit të kështjellës nga turqit për të mos rënë në duar të armiqve u hodh nga shkëmbi së bashku me foshnjën e vet, në njëfarë mënyre sikur ia rrit më tepër madhështinë kalasë, që në shumë raste identifikohet edhe si kështjella e Argjirosë.


Dita e sotme, është një ditë normale me të tjerat, me një zagushi që thuajse të mbyt në qytetin ku thonë se në verë “zien guri”. Por, ndërsa rrugët kanë pak kalimtarë kalaja të ofron një tjetër pamje, ku me dhjetëra vizitorë hyjnë, shikojnë, bëjnë fotografi në pikat më interesante e më tej largohen. Por, ajo që shikohet si më problematikja në këtë tur turistik në kështjellë është mungesa e ciceronit. Prej disa kohësh, kalaja e Gjirokastrës administrohet nga dy institucione: bashkia që është institucioni kompetent për muzeun e armëve dhe galerinë e arteve (e cila thuajse rrallë është e hapur për vizitorët) dhe Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, që administron pjesën tjetër të këtij objekti. Por, e vetmja cicerone që është në kështjellë informon turistët vetëm për pjesën e muzeut të armëve dhe burgut të kalasë, ndërsa në të gjithë hapësirën tjetër, turistët duhet ta imagjinojnë vetë historinë, pasi askush nuk ua tregon. Ndërkaq, një personi të vetëm që hyn në kështjellë i duhet të paguajë dy herë biletë, një në hyrje që kushton 200 lekë dhe një tjetër me të njëjtën vleftë nëse duan të vizitojnë muzeun dhe burgun. Në të tilla kushte, një pjesë e konsiderueshme e turistëve shohin vetëm kalanë dhe largohen.


“Numri i turistëve është rritur shumë veçanërisht këto dy javët e fundit. Por numri i turistëve që vizitojnë kalanë në krahasim me ata që vizitojnë muzeun është shumë më i lartë dhe kjo gjë ndodh pasi iu duhet të paguajnë dy bileta. Në shumicën e rasteve, turistët zgjedhin të vizitojnë vetëm kalanë dhe jo pjesën tjetër dhe në këtë mënyrë nuk marrin asnjë lloj shpjegimi. Mendoj se kjo gjë zgjidhet nëse vendoset një biletë e përbashkët”, është shprehur drejtorja e muzeve në Gjirokastër, Teuta Kallajxhi. Problemi i mungesës së ciceronëve është problem veçanërisht për vizitorët. “Kur kemi qenë studentë e kemi pas ëndërr të vizitojmë Shqipërinë. Tani që na jepet mundësia të vijmë duam të mësojmë sa më shumë për të, për historinë e popullit tonë shqiptar. Por, këtu në kala nuk mundemi, pasi askush nuk na tregon gjë. Ne shohim gjithçka, por pa e ditur se çfarë vlere historike kanë, kur janë ndërtuar, nga kush etj”, shprehet një çift mjekësh nga Tetova.

Mungojnë tabelat për turistët e huaj

Të vetmet “udhërrëfyese” në kala janë disa tabela, që tregojnë për historinë e kështjellës por ato janë vetëm në gjuhën shqipe. “Këtu nuk ka ciceronë, por edhe tabelat janë vetëm në gjuhën shqipe. Unë mendoj se është shumë e nevojshme që nëse nuk vihet një cicerone, të paktën tabelat të jenë edhe në një gjuhë tjetër për shembull në anglisht, në mënyrë që të marrim vesh diçka në lidhje me historinë”,- shprehet një turist italian. E në këtë mënyrë, çdo ditë rreth 100 vizitorë ngjiten në kala, shohin, mundohen të kuptojnë diçka dhe largohen.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama