Truri mund te trajnohet qe te preferoje ushqim te shendetshem

Truri mund te trajnohet qe te preferoje ushqim te shendetshem

Truri mund të trajnohet që të preferojë ushqimin e shëndetshëm në krahasim me ato të pashëndetshme dhe me kalori të larta, duke përdorur një dietë që nuk i lë njerëzit e uritur, sugjeron një studim i kryer në SHBA, raporton BBC.

Shkencëtarët nga Universiteti “Tufts” thonë se varësia ndaj ushqimit mund të ndryshohet në këtë mënyrë edhe në qoftë se këto zakone janë krijuar prej kohësh. Studiuesit kanë skanuar qendrën e varësisë në trurin e një grupi të vogël burrash dhe grash. Rezultatet treguan se u rrit dëshira për ushqime të shëndetshme me kalori të pakta.

Prof. Susan B Roberts, autor i studimit dhe shkencëtar i mënyrës së sjelljes së të ushqyerit në Universitetin e Bostonit, tha se “ne nuk nisim jetën tonë duke pëlqyer patatet e skuqura dhe duke urryer, për shembull, makaronat integrale”.

“Këto preferenca ndodhin me kalimin e kohës, në përgjigje të mënyrës sesi hahet – në mënyrë të përsëritur – çdo gjë toksike që ndodhet në raftet e ushqimeve”.

Shkencëtarët e dinë se kur njerëzit janë të varur nga ushqime të tilla, është zakonisht shumë e vështirë për të ndryshuar zakonet e tyre të të ngrënit dhe t’i çojë ata drejt humbjes së peshës. Por hulumtimet e prof. Roberts, të  botuara në revistën “Nutrition & Diabetes”, sugjerojnë se truri mund të mësohet për të kërkuar ushqime të shëndetshme, raporton mapo.al

Ata studiuan një pjesë të trurit të lidhur me varësinë në 13 burra dhe gra mbipeshë, tetë prej të cilëve janë duke marrë pjesë në një program të dizajnuar posaçërisht për humbjen e peshës.

Ky program  fokusohet në ndryshimin e preferencave ushqimore duke përshkruar një dietë të lartë në fibra dhe proteina, dhe të ulët me karbohidrate, por e cila nuk i lejon pjesëmarrësit që të ndjejnë uri, sepse uria është momenti kur dëshira për ushqim bëhet e fortë dhe ushqimi i dëmshëm bëhet shumë tërheqës.

Pesë pjesëmarrësit e tjerë nuk kanë qenë pjesë e programit për humbje peshe. Kur truri i tyre u skanua duke përdorur MRI në fillim dhe në fund të një periudhe gjashtëmujore pasi ata ndoqën programin, treguan ndryshime në qendrën e shpërblimit të trurit. Kur pjesëmarrësve iu treguan fotografi të llojeve të ndryshme të ushqimit, të shëndetshme, ushqime me kalori të ulëta, këto prodhuan një reagim tek ata.

Studimi tha se kjo tregon një shpërblim në rritje dhe gëzimin ndaj ushqimit të shëndetshëm.

Qendra e trurit përgjegjëse për shpërblimin tregoi gjithashtu ndjeshmëri të ulët ndaj fotove me ushqime të pashëndetshme, me nivele të larta kalorish.

Hulumtuesit thonë se operacioni baypas i stomakut ndërsa zgjidh problemin e humbjes së peshës, mund të marrë me vete edhe gëzimin e shijimit të ushqimit në vend që t’i bëjë ushqimet e shëndetshme më tërheqëse. “Ka shumë më tepër kërkime për të bërë në këtë fushë, që përfshijnë shumë më shumë pjesëmarrës, afatgjatë dhe hetimin e më shumë zonave të trurit”, – tha Prof. Roberts.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama