Tronditet Spanja trukim per mbijetesen

Tronditet Spanja, trukim per mbijetesen
Vilareali ra nga kategoria, por duket se pas rrëzimit të tyre fshihet një plan i mirëfilltë, madje edhe hije për trukim. Në Spanjë kanë dyshime të forta se në ndeshjen Valekano-Granada, në të cilën vendësit fituan 1-0 me një gol në kohën shtesë, ky rezultat u siguroi mbijetesën të dy ekipeve. Në fakt, në qendër të dyshimeve është vënë pikërisht futbollisti i Valekanos, Miku, ndaj të cilit kanë arritur të zbulojnë një bisedë që ka pasur me shokët e ekipit duke i lexuar buzët. Sapo kanë marrë vesh lajmin se Atletiko e Madridit kishte shënuar gol dhe Vilareali po humbiste, ai ka shkuar tek futbollistët e Granadës dhe u ka kërkuar që t’u lënë një gol, pasi Vilareali po humbiste. Në bisedën që Miçu ka pasur, mendohet t’u ketë rrëfyer shokëve të skuadrës:

“Sapo mora vesh rezultatin e Vilarealit, u thashë futbollistëve të Granadës që të na linin një gol, pasi edhe ata e kishin siguruar tashmë mbijetesën. Ata më kërkuan që të betohem, pasi nuk ishin të sigurt. Gjithsesi, ia dolëm mbanë!”. Në fakt, vetëm një aksion pas bisedës që ai ka pasur me lojtarët kundërshtarë, erdhi edhe goli i fitores me anë të Tamudos, në minutën e 94-t. Me këtë rezultat dhe me fitoren gjithashtu të dyshimtë të Saragozës ndaj Getafes, ishte “nëndetësja” ajo që e pësoi. Dyshimet e fitores në transfertë të Saragozës, vijnë për faktin se plot tre futbollistë të Getafes morën kartonë të kuq, me veprime tepër të papërgjegjshme në fushë duke i lejuar rivalit që ta ketë tepër të lehtë marrjen e tri pikëve.

“Blihen ndeshjet” - Një deklaratë tepër tronditëse ka ardhur nga ana e Havier Tebas, këshilltari i presidentit të Valekanos, Raul Martin-Presa. Ai ka pranuar se në Spanjë blihen ndeshje dhe se duhen bërë hetime rigoroze. “Unë nuk jam një president klubi, por jam në brendësi të shumë ngjarjeve të jashtëligjshme që ndodhin. Ka një bashkëpunim shumë të ngushtë mes presidentëve dhe futbollistëve. Ka mjaft raste që blihen ndeshje, apo blihen dy ose tre futbollistë. Duhet të bëhet një hetim rigoroz për të zbuluar ato që ndodhin, pasi shumë klube dëmtohen nga rezultate të paracaktuara”, – u shpreh Tebas. Në fakt, vetë klubi ku ai punon është aktualisht në hetim, pikërisht për ndeshjen e fundit të kampionatit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama