Tribute e tatuazheve

Tribute e tatuazheve
Sportistë, këngëtarë, aktorë dhe shumë e shumë njerëz krejt të zakonshëm. Tatuazhi është gjëja që i bashkon, por edhe i ndan, sepse mesazhet janë të ndryshme. Tatuazhi është në fund të fundit edhe një formë komunikimi, shprehje e emocioneve të brendshme, çështje mode dhe tendence, ose edhe thjesht ekzibicionizëm. Por ajo çka të gjithë duhet që të kenë parasysh kur i hyjnë kësaj bote shkronjash është fakti se shumë tatuazhe mund të bëjnë që të humbasë mesazhi thelbësor…

Ata që nuk kanë një tatuazh nuk mund të quhen njerëz. Të paktën kështu mendonin maorët që kanë qenë ndër popujt që i kanë preferuar më shumë se askush tjetër në botë tatuazhet dhe vizatimet e trupit. Këta indianë që jetojnë në Brazilin Qendror që janë bërë të famshëm nga antropologu i madh, Claude Levi-Strauss u ngjajnë letrave të lojës në librin “Liza në botën e çudirave”. Vizatimet që u bëjnë trupave të tyre janë të shumëllojshme dhe me një fantazi të jashtëzakonshme që flet për një botë shumë të bukur estetike dhe jo vetëm. Arabeskat mbulohen me figura gjeometrike, me spirale, me labirinthe herë simetrikë dhe herë asimetrikë. Për këta njerëz, si dhe për shumë të tjerë në botë, trupi shndërrohet në një kanavacë që duhet mbuluar me vepra arti, ose më mirë një vepër arti të cilës i shtohen edhe vepra të tjera. Dhe tatuazhi për këta njerëz në fakt është shumë më tepër një grumbullim ngjyrash dhe figurash.

Ai është shprehje e gjendjes shoqërore, e statusit, e gradës dhe e një rangu të caktuar që shfaqet pikërisht përmes llojit të tatuazhit. Një person pa tatuazh në këtë lloj popullsie thjesht nuk ekziston, sepse është thjesht një trup pa vlerë që nuk tregon asgjë. Vetëm të shëmtuarit, të marrët dhe kafshët e mbajnë trupin të pastër. Të tjerët, për t’u cilësuar dhe konsideruar si qenie të denja njerëzore duhet që ta shndërrojnë patjetër trupin në një “ekspozitë”. “Përmes tatuazheve tona, unazave që vendosim në hundë dhe çdo gjëje tjetër që vendosim në trup komunikojmë shumë gjëra dhe mbi të gjitha kjo mani është një dëshirë për t’u diferencuar nga masa dhe për t’u identifikuar”. Këto fjalë i thotë një vajzë që është shumë e dhënë pas tatuazheve dhe piercingut. Për të tatuazhi është si një certifikatë e përhershme për të prezantuar veten dhe atë që ti je. Në një farë mënyre për të pasionuarit pas tatuazheve trupi në formën, ngjyrën dhe pastërtinë e tij nuk është i mjaftueshëm për t’u identifikuar në një masë të madhe njerëzish. Për këtë duhen tatuazhet dhe shenjat e veçanta.

Të paktën kjo është filozofia e përgjithshme dhe globale e tatuazheve. Në njëfarë mënyre nuk është aspak e ndryshme nga filozofia tribale e fiseve të sipërpërmendura. Të dyja këto kultura njëra në thellësitë e xhunglës braziliane, e tjera në dritën e diellit të Perëndimit kanë të bëjnë me masat shprehëse të personalitetit njerëzor dhe dëshirës për t’u identifikuar. Bëhet fjalë për identitetin personal dhe atë kolektiv. Të flasësh për tatuazhin dhe përdorimin e tij është si të flasësh për diçka që nuk ka kohë, të cilën nuk mund ta ndash në epoka apo në përkatësi. Tatuazhi ka qenë, është dhe do të jetë për sa kohë që njerëzit do të duan që të identifikohen përmes lëkurës së tyre, këtë herë të ndryshuar dhe të shndërruar në një “licencë” të asaj çka ata janë.

Tatuazhet, në fakt, kanë një gjuhë të tyren të simbolikave. Janë figura, numra, germa dhe shenja që kanë domethënie të caktuara. Ato njihen mirë nga “populli” i tatuazheve dhe përdoren pikërisht për këtë domethënie që kanë, që e kupton në radhë të parë ai që e ka në trup dhe pastaj edhe ata që ia shohin dhe ia marrin mesazhin. Kemi parë pareshtur flutura, dragonj, lule, spiranca, femra lakuriq nëpër shpatullat e bëshme të meshkujve, por edhe detaje shumë të vogla germash të gjuhëve të vdekura, copëza gjeometrike, apo edhe tatuazhe që janë shumë masive, madje nga ato që e mbulojnë të gjithë një trup njerëzor.

Shpesh tatuazhet preferohen njëngjyrësh, sepse në këtë mënyrë syri përqendrohet te mesazhi që shpreh tatuazhi dhe jo tek ana e tij artistike. Ndërsa kur duam që bukuria e tij të jetë primare, atëherë tatuazhi shndërrohet në një vepër të vërtetë arti në një pikturë me ngjyra që shkëlqen dhe që na identifikon më shumë me një kanavacë njerëzore sesa me një njeri me lëkurë të butë dhe të brishtë. Në momentin kur vëmë tatuazhe të tilla, vërtet që kemi fituar një identitet të ri, por kemi humbur ama një pjesë të mirë të atij identiteti me të cilin kemi lindur dhe të cilin në një mënyrë apo një tjetër kemi vendosur që ta ndryshojmë, apo t’i mbiveshim një tjetër lëkurë.

Tatuazhi kombinohet shumë shpesh edhe me shpimet e lëkurës në të gjitha pjesët e saj, madje edhe në ato intime. Kur kemi një kombinim të tillë mund ta konsiderojmë mbajtësin e kësaj tërësie ngjyrash, formash dhe shpimesh, një vepër arti të ekspozuar false. Ata që nuk e kanë këtë mani tatuazhesh pyesin veten: ç’të jetë vallë një mani e tillë? Dëshirë për ekzibicionizëm, mani, sëmundje, vanitet?  Mund të jetë secila nga këto, të gjitha së bashku, ose shumë më tepër se kaq.

Sikurse u tha më sipër bëhet fjalë për një fenomen të lashtë ndoshta sa bota, apo sa dëshira e njerëzve për t’u shprehur, e ndoshta më të lashtë se vetë fjala dhe forma të tjera të shprehuri. Ai është mbi të gjitha një fenomen universal dhe mbi të gjitha kohët e fundit ka pasur një rikthim shumë të madh dhe prepotent që nuk ka të bëjë me kohë, apo kultura të posaçme, por me faktin se zgjidhet nga të gjithë si një mjet komunikimi. Lëkura thotë shumë mirë se cilët jemi.  Kur Qesari pushtoi Britaninë e Madhe u befasua shumë nga pamja e luftëtarëve vendas që ishin të pikturuar në trupat e tyre me një ngjyrë të kaltër e cila i trembte dhe i frikësonte armiqtë. Ndërsa skocezët gjithashtu e kanë pasur shumë të përhapur pikturimin e trupit të tyre dhe jo vetëm për të trembur armiqtë, por për t’ia shtuar vlerën. Tatuazhi për disa është si një medalje, vetëm se jo me një medalje mbi copën e veshjes, por në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi lëkurë.

Ideja është kjo se sa më i rëndësishëm është njeriu aq më shumë informacione dhe shenja duhet që të arkivojë trupi i tij. Kështu shumë tatuazhe dhe shenja të maorëve ishin shenja që tregonin për lavditë e jetës së personit që i mbante. Ndërsa në Afrikë, në disa zona të vetmit të cilët nuk kishin të drejtë që të bënin tatuazhe të trupat e tyre ishin një kategori e veçantë skllevërish që në fakt identifikoheshin me kafshët dhe jo me qeniet humane.

Nëse ishe pa asnjë shkallë shoqërore nuk meritoje asnjë lloj tatuazhi në trupin tënd. Dhe në fakt, gjithë ata njerëz sot në Perëndim që bëjnë shumë tatuazhe në trupin e tyre e bëjnë një gjë të tillë për t’u identifikuar, për të rrëfyer historinë e tyre në një mënyrë artistike dhe të parë nga të gjithë. Në këtë mënyrë, pjesa më e dukshme e jona shndërrohet edhe ajo që jep mesazhin më të parë te të tjerët. Duket sikur thelbi ynë është pikërisht tek ato emblema shpesh me kuptim e shpesh pa kuptim që kemi në lëkurë.

Ka një dallim të madh përdorimi i tatuazhit në shoqëri dhe jeta e atyre në shoqërinë moderne. Dikur, madje edhe aktualisht në disa fise ai shkon paralelisht me shkallën dhe me sërën e personit, pra është i rëndësishëm sa një gradë, varëse e çmuar, apo një unazë. Ndërsa në shoqëritë moderne ai shërben vetëm si mjet për të komunikuar, për t’u shprehur me gjuhën e simboleve që shpesh flet shumë më tepër për ne se gjuha e fjalëve.

Edhe një fakt tjetër për tatuazhin. Për sa i përket botës moderne, ky fenomen përqafohet më shumë nga të rinjtë. Dhe në këtë pikë kemi të bëjmë me një tendencë të mirëfilltë që shpreh jo vetëm dëshirën për të komunikuar, por edhe dëshirën për të qenë modern dhe për t’u lidhur me botën. Dhe kjo nuk vlen vetëm për këtë kohë, por edhe për kohët e mëparshme. Shpesh në rini edhe prindërit tanë kanë bërë tatuazhe për të cilat më vonë janë penduar dhe janë përpjekur në njëfarë mënyre t’i mbulojnë, apo t’i heqin. Por deri pak kohë më parë një tatuazh ka qenë përgjithmonë, ndërsa aktualisht tani ai nëse është i vogël mund të hiqet sërish me të njëjtin mjet që është bërë dhe mbi të gjitha duke mos të të lënë asnjë gjurmë.

Në kushte të tilla mund të bësh tatuazhe në rini për gjëra që mendon në atë moshë se do të jenë të pavdekshme dhe më pas t’i heqësh në një moshë më të madhe kur të kesh kuptuar një nga mësimet e jetës se asgjë nuk është e përjetshme.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama