Tregtia e Jashtme

Parathënie

Në vitin 2005 në krahasim me një vit më parë, kemi një rritje si të eksportit ashtu edhe të importit. Rritja e importit (10.9%) gjatë këtij viti ka qënë më e madhe se rritja e eksportit (5.9%), kjo është arsyeja që kemi një përkeqësim të bilancit tregtar rreth 12.6%.
Pjesa më e madhe e tregtisë vazhdon të kryhet me vendet e BE (68.9%). Edhe gjatë këtij viti partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë mbeten Italia dhe Greqia. Karakteristikë e eksporteve shqiptare është ri-eksporti pas përpunimit të lëndës së parë. Kjo pasqyrohet në grupin “Tekstile dhe Këpucë” eksporti i të cilit zë 57.9% të totalit të eksportit.


Burimet e të dhënave

Drejtoria e Pergjithshme e Doganave

Metodologji

Burimi kryesor i sigurimit të të dhënave statistikore të tregtisë së jashtme të mallrave është Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Informacioni qe mblidhet çdo muaj, nëpërmjet Deklaratës Doganore, e cila është vendosur për herë të parë në vendin tonë, në vitin 1992. Kjo deklaratë siguron të dhëna të nevojshme, si për qëllime doganore, ashtu dhe për qëllime statistikore dhe mbledh të dhëna statistikore për periudhën e kryerjes së transaksionit për llojin e mallit, peshën neto, peshën bruto, vlerën statistikore të mallit, vendin destinacion, vendin eksportues, vendin origjinë, tipin e transaksionit, llojin e koncensionit etj. Natyra komplekse e doganave dhe e nevojave statistikore bën të domosdoshëm përdorimin e klasifikimeve të mallrave.
Nomenklaturat e perdoruara jane Sistemi i Harmonizuar (HS) si dhe Klasifikimi Standard Ndërkombëtar i Tregtisë (SITC).
Statistikat e tregtisë së jashtme regjistrojnë të gjitha mallrat, të cilat shtojnë ose pakësojnë burimet materiale të një vendi nëpërmjet hyrjeve (importeve) ose daljeve (eksporteve) nga territori ekonomik i tij.
Mallrat që thjesht janë transportuar përmes një vendi (mallrat në tranzit) ose ato me qëndrim të përkohshëm (përveç mallrave për përpunim pasiv ose aktiv), nuk përfshihen në statistikat e tregtisë së jashtme. Mallra që nuk duhet të përfshihen në statistikat e tregtisë së jashtme janë të tilla si: ari monetar, kartmonedhat dhe letrat me vlerë të emetuara dhe monedhat në qarkullim, mallrat me qëndrim të përkohshëm, mallrat në tranzit, etj.
Mallrat e rekomanduara për t’u përjashtuar nga statistikat e detajuara të tregtisë së jashtme, regjistrohen veçan, me qëllim që  këto të dhëna të detajuara të përpunohen për t’ju shtuar totalit të tregtisë së jashtme për qëllime të llogarive kombëtare dhe të bilancit të pagesave.
Sistemet e tregtise.
Sistemet tregtare qe perdoren nga statistikat e tregtise se jashtme jane: sistemi tregtar i pergjithshem dhe sistemi tregtar i vecante.
-Sistemi tregtar i përgjithshëm regjistron të gjitha mallrat që hyjnë ose dalin nga territorri ekonomik i një vendi, duke përjashtuar vetëm mallrat në tranzit. Pra në këtë rast regjistrohen si import të gjitha mallrat që hyjnë në magazinat doganore të një vendi, edhe në rast se nuk dalin ne qarkullim të lire në këtë vend. Në të njejtën kohë të gjitha mallrat që dalin nga magazina doganore e një vendi regjistrohen si eksport i këtij vendi.
-Sistemi tregtar i veçantë është koncept më i ngushtë. Në këtë rast te gjitha mallrat që hyjnë në magazinat doganore të një vendi nuk regjistrohen si import i këtij vendi. Këto mallra regjistrohen si import vetëm në rast se kalojnë në qarkullim të lire në këtë vend ose vendosen nën procedure doganore për përpunim aktiv. Në mënyrë të ngjashme nuk regjistrohen si eksport të gjitha mallrat që dalin nga magazinat doganore.
Në statistikat e tregtisë së jashtme të mallrave, ne përdorim sistemin tregtar të veçantë.
Vlera e tipit FOB, që përdoret për vlerësimin e eksporteve, përfshin vlerën e transaksionit të mallrave dhe vlerën e shërbimit të kryer për shpërndarjen e mallrave deri në kufi të vendit eksportues.

Vlera e tipit CIF, që përdoret për vlerësimin e importeve, përfshin vlerën e transaksionit të mallrave, vlerën e shërbimeve të kryera për shpërndarjen e mallrave, deri në kufi të vendit eksportues dhe vlerën e shërbimit të kryer për shpërndarjen e mallrave, nga kufiri i vendit eksportues deri në kufi të vendit importues. 


Indekset në tregtinë e jashtme

Indekset e vlerës tregojnë numrat indeksorë të vlerave totale të importeve dhe eksporteve. Shpesh ata shprehen si: Vm për importin dhe Ve për eksportin. Indekset e vlerës janë të nevojshëm për llogaritjen e indekseve të volumit, indekseve të vlerës njësi dhe indeksit të kushteve të tregtisë.
Indekset e vlerës njësi në tregtinë e jashtme tregojnë ndryshimet në çmimet mesatare të importeve dhe eksporteve të agreguar, duke supozuar që sasitë e importuara ose të eksportuara të mbeten të pandryshuara. Me fjalë të tjera ato masin çmimet mesatare të importit dhe eksportit, pa marrë parasysh ndryshimet në sasi.
Këto indekse llogariten, duke u mbështetur në të dhënat statistikore që sigurohen nëpërmjet deklaratës doganore. Ky informacion merret çdo muaj nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Vlera e siguruar nga informacioni doganor është një vlerë CIF për importin dhe FOB për eksportin. Indekset e vlerës njësi llogariten në nivele të agreguara sipas 21 seksioneve të Sistemit të Harmonizuar dhe në afate tremujore. Ato llogariten si indekse bazë (ku si vit bazë është marrë 1996) dhe si indekse zinxhir, duke përdorur formulën Paasche.
Indekset e volumit ose të sasisë për importet dhe eksportet, presupozojnë që çmimet janë të fiksuara, kështu që maten sasitë fizike të importeve dhe eksporteve pa marrë parasysh ndryshimet e çmimeve. Këto indekse llogariten duke përdorur formulën e Laspeyres.


Përkufizime

Eksportet  janë në përgjithësi mallra të destinuara tek një vend i tretë, të vendosura nën regjimin doganor, të përpunimit pasiv, të rieksportuara për t’ju nënshtruar përpunimit aktiv.

Importet janë në përgjithësi mallra që vijnë nga një vend i tretë dhe të vendosura direkt në magazinat e ruajtjes, nën procedurat doganore të lejimit për qarkullim të lirë, për përpunim aktiv ose për përpunim nën kontrollin doganor.
Treguesi i hapjes se ekonomisë  është raporti (import + eksport)/Produkti i brendshëm bruto.

Përqindja e mbulimit,  është raporti midis vlerës së eksportit dhe vlerës së importit.
Bilanci tregtar,  është diferenca midis eksportit dhe importit.
Volumi tregtar është shuma e eksportit dhe importit.
Vlera FOB( i lirë në bord) e mallit, përfaqëson një kusht të shpërndarjes së mallrave, që tregon se çmimi i mallrave përfshin edhe shpenzimet e transportit dhe të dorëzimit, tek një port i caktuar i ngarkimit.
Vlera CIF (kosto, sigurim, transport) e mallit, përfaqëson një kusht të shpërndarjes së mallrave, që tregon se çmimi i mallrave përfshin sigurimin dhe transportin, deri tek një port i caktuar destinacion

Territori ekonomik  (në shumicën e rasteve, territori ekonomik i një vendi përputhet me territorin doganor të tij), është territori ku ligji doganor i një vendi zbatohet tërësisht.
Territori doganor i vendit tonë korrespondon me territorin statistikor të tij.

Vendet anëtare të Bashkimit Europian :
Belgjikë, Gjermani, Francë, Itali, Luksemburg, Hollandë, Angli, Danimarkë, Irlandë, Greqi, Spanjë, Portugali, Austri, Finlandë, Suedi, Estoni, Hungari, Letoni, Lituani, Poloni, Çeki, Sllovaki, Slloveni, Malta, Qipro

Vendet e Ballkanit Perëndimor:
Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Serbi dhe Mai i Zi (përfshi Kosovën), Maqedoni, Kroaci
 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama