Tre autogolat e FSHF-se

Tre autogolat e FSHF-së

YLLI AGA

ylli_agaParaqitja e suksesshme e Kombëtares kuqezi në finalet e Kampionatit Europian injektoi entuziazëm te çdo shqiptar.

Ca më tepër në zyrat e FSHF-së. Por nisur nga disa vendimmarrje të fundit të saj, konstaton se entuziazmi i përligjur është zëvendësuar me eufori dhe arrogancë të tipit "topi është i imi, penalltinë do ta gjuaj vetë".

Për më tepër, gjithçka bëhet më e rëndë kur mëson se vendimet janë me unanimitet nga "baballarët" e futbollit tonë, anëtarë të Komitetit Ekzekutiv.

Shtyrja e pakuptimtë e kampionatit Klima mesdhetare që mbizotëron në vendin tonë mundëson një aktivitet futbollistik normal gjatë gjithë vitit kalendarik.

Por nuk janë në një mendje "baballarët" e futbollit që në mbledhjen e fundit kanë vendosur të luhet futboll vetëm 7 muaj, ndërsa pushimet të jenë plot 5 muaj (18 maj-7 shtator dhe diçka më shumë se një muaj në dhjetor-janar). Në këtë pikë mund të rivalizojmë me Islandën e akullt.

Për shtyrjen e startit për më 7 shtator nuk ka pasur asnjë motivim, përveçse përdorën si justifikim se edhe vetë De Biazi ishte në një mendje me ta.

Pavarësisht se e kundërta do të ishte më e logjikshme që një start i shpejtë i kampionatit do të nënkuptonte formë optimale sportive të të zgjedhurve të tij, pjesëtarë të ekipeve të Kategorisë Superiore.

Asnjë justifikim të qenësishëm nuk ka vendimi për shtyrjen e kampionatit, duke qenë se koha për të pushuar dhe për të përgatitur sezonin e ri ka qenë e mjaftueshme.

Nëse kanë dashur të kopjojnë ndonjë vend tjetër që fillon më vonë se zakonisht, sërish janë gabuar se ata kanë pasur një arsye madhore, pjesëmarrjen në "Rio 2016". Gjithashtu shtyrja prish traditën e viteve të fundit ku kampionati startonte në muajin gusht, i cili krijonte n

jë rrjedhë normale të një gare me 36 javë dhe jo ta ngjeshë në maksimum, siç pritet të ndodhë. Eliminimi i ndeshjeve në fundin e muajit gusht i heq mundësinë shumë emigrantëve që në këtë periudhë janë kthyer në vendlindje dhe shkuarjen në stadium e kishin një destinacion të preferuar.

Veçanërisht në këtë moment, kur shumica e stadiumeve tona të japin mundësinë të luhet edhe në mbrëmje. Në këtë pikë, mund të rendisim edhe shumë arsye të tjera për fillimin më shpejt të kampionatit, por nuk ka asnjë arsye të vetme përse u vendos shtyrja e tij.

Çështja e futbollistëve të huaj

Kërkesës së disa klubeve për të rritur numrin e lojtarëve të huaj, (mënjanë çudia që një gjë e tillë bëhet vazhdimisht nga protagonistë të ndryshëm) "baballarët" e futbollit iu përgjigjën me një "jo" të thatë. Justifikimi ishte i njëjti: "duam të mbrojmë futbollin vendas".

Një budallallëk me brirë. E para sepse u mohon klubeve të ndërtojnë një projekt të mirëfilltë sportiv dhe financiar. Së dyti dhe më e rëndësishmja, nëse këta do të ishin vërtet të interesuar për të ardhmen e të rinjve, do të duhet t'u kishin nxjerrë "sytë" drejtuesve të klubeve lidhur me kërkesat e ligjshme, të kahershme, të detyrueshme për të pasur një infrastrukturë të mirë dhe trajnerë të kualifikuar.

Por jo. Në këtë pikë të gjithë e mbyllin një sy, shumica e kampionatit të të rinjve luhet në fusha të sajuara ku dhuna mbetet prezente dhe gjykimet lënë për të dëshiruar.

Rrjedhimisht prurjet cilësore janë të pakta, pasi nuk ka asnjë mundësi që një futbollisti të talentuar t'i mbyllen dyert e ekipeve të para.

Kufizimi i numrit të të huajve nuk bën asgjë tjetër veçse rrit artificialisht çmimet e lojtarëve të konfirmuar në Superiore.

Edhe nëse këto arsye nuk mjaftojnë, shikoni handikapin e madh që ka qëndrimi i fundit i FSHF-së. Vërtet në sezonin e ri një skuadër mund të ketë njëkohësisht 4 futbollistë të huaj në fushë, ama në listën e federimeve me vetëm 25 lojtarë numri i të huajve është pa limit.

Ndërkohë që më i logjikshëm do të ishte një vendim për të pasur një limit të numrit të futbollistëve të huaj për t'i federuar.

P.sh, çdo klub të kishte të drejtën të federonte maksimumi 6 të huaj ose FSHF-ja me vendimin e saj t'i shkonte deri në fund logjikës duke e mbajtur numrin e të huajve 4 të federuar, duke i detyruar klubet për të afruar sa më shumë të rinj.

Të talentuar ose jo, pak rëndësi ka. Boll t'u dalë e vetja "baballarëve" të futbollit.

Pezullimi për kartonë të verdhë

Një pikë e kaluar me shpejtësi nga KE-ja ka qenë edhe hedhja poshtë e propozimit për të rritur nga tre në katër numrin e kartonëve të verdhë për pezullimin e një futbollisti. Motivimi se ndryshimi i tillë do të mbronte shumë nga lojtarët më të mirë në një garë me 36 javë nuk i ka bindur.

As informacioni se Anglia, Italia, Spanja, Franca që luajnë një kampionat me 38 javë e kanë me 4 dhe 5 kartonë të verdhë një pezullim nuk ka mjaftuar. Në një garë, siç është konfirmuar prej disa sezonesh, ku konkurrojnë 10 ekipe me katër faza, rivaliteti është gjëja më normale dhe kartonët e verdhë të paevitueshëm.

Mbrojtja e produktit është një koncept që nuk ekziston. Për më tepër nuk duan të dëgjojnë për çudirat shqiptare, që në të njëjtën rregullore, një ndeshje pezullohet një futbollist për faull sportiv, por një ndeshje pezullohet edhe një tjetër, që ndëshkohet me karton të kuq disiplinor, për raste si goditje me grusht ndaj zyrtarit të ndeshjes, dëmtim me dashje të kundërshtarit apo "tentativë vrasjeje".

Ky i fundit mund ta blejë me para dënimin e tij, një rregull që favorizon dhe stimulon dhunën në futbollin tonë.

Një paradoks i tillë vetëm në Shqipëri mund të ndodhë. Dhe "baballarët" e futbollit, anëtarë të KE-së, një handikap të tillë duket se kanë vendosur të mos e korrigjojnë.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama