Trashegimia Vlore- Objekte te reja ne listen e Monumenteve te Kultures

TIRANË, 4 Nëntor / ATSH / - Në kuadër të përgatitjes së dokumentacionit për të shpallur objekte të reja Monument Kulture, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë, ka paraqitur dhe prezantuar dy prej objekteve, të cilat janë "Banesa e tipit kullë" dhe "Ura e gurtë e përroit të Gjipesë" me vendndodhje në Ilias të Himarës.

"Ura e përroit të Gjipesë apo e mullinjve të Gjipesë ndodhet përgjatë rrjedhës së përroit, mbi rrugën nacionale që lidh fshatin Ilias me fshatin Vuno, dhe kjo urë përbëhet nga një qemer në formë harku dhe një dritare shkarkuese" sqarojnë specialistët e kësaj drejtorie .

Në një dokument mesjetar të vitit 1786, bëhet e ditur se përveç bluarjes së drithit mullinjtë e Vunoit përdoreshin dhe për dërstila të shajakut .

Ky burim historik, krahas tipologjisë, urë me një hark në formë qemeri dhe teknikës së ndërtimit , na shtyjnë ta datojmë këtë urë në shek. XVIII.

"Banesa e tipit kullë" objekti i dytë, ndodhet pak metra larg qendrës së fshatit, në këmbët e kodrës së Çikopullës: sqaron specialisti i DRKK-së Vlorë.

Kulla deri në vitet 1920 ka qenë në pronësi të Ikonom Kozma Ikonomit, i cili si bashkëpuntor e bashkëkohës i At Stath Melanit, Papa Kristo Negovanit e patriotësh të tjerë klerik e laik, ka luajtur një rol të rëndësishëm në kultivimin e ndërgjegjes kombëtare të banorëve të zonës së Himarës, si dhe në përhapjen e mësimit në gjuhën shqipe.

Në vitet 1920-22 i ka kaluar në pronësi At Milto Tole Gjidedes, prifti i fshatit, i cili e ktheu këtë banesë në strehë për të gjithë udhëtarët e bujtësit që vizitonin zonën.

Ky objekt daton rreth fundit të shek. XVIII dhe fillimit të shek. XIX.

/k.m/ /a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama