Trajneri Inzagi ve veton Berisha humb postin e titullarit te Lacio

Trajneri Inzagi vë veton, Berisha humb postin e titullarit te Lacio

Nuk mjaftoi ndërprerja në mes e pushimeve për të qenë nën urdhrat e trajnerit që në ditën e parë të stërvitjeve për sezonin e ri. Nuk mjaftuan as paraqitjet shumë të mira gjatë fazës përgatitore me Lacion. Etrit Berisha nuk do të jetë portieri titullar i Lacios.

berisha lazio

Për këtë është e bindur gazeta italiane "Corriere Dello Sport", e cila nga burime pranë klubit ka mësuar se për çështjen në fjalë ka vënë veton trajneri Simone Inzagi, i cili preferon Federiko Marketin para portierit shqiptar.

Drejtuesit e Lacios i kishin premtuar Berishës një vend si titullar në fillim të sezonit dhe kjo ishte arsyeja pse gardiani shqiptar kishte vendosur të mos largohej, por të respektonte edhe vitin e fundit të kontratës që ka me bardhekaltërit, duke synuar për më tepër që ta rinovonte atë.

berisha marketi

Por Inzagi fillimisht kërkoi një portier tjetër, Perin të Xhenoas. Kur kjo dëshirë e tij nuk u plotësua, ai insistoi që roli i titullarit t'i besohej përsëri Marketit, duke bindur edhe këtë të fundit që të refuzonte ofertat që i kishin mbërritur. Inzagi mori përgjigje pozitive nga klubi i cili nuk mund të rrezikonte të linte të pakënaqur trajnerin, pas emërimit të dështuar të Bielsës dhe në një moment kur marrëdhënia me tifozët nuk është ndër më të mirat.

Kësisoj, e ardhmja e Berishës duket e ende e pacaktuar, pasi portieri shqiptar ka bërë të qartë në të kaluarën se nëse nuk luan rregullisht te Lacio, do të kërkojë një tjetër sistemim. Pas Europianit, ofertat për portierin shqiptar nuk kanë munguar, por ai i kishte refuzuar të gjitha, i bindur se do të mbetej pjesë e Lacios.

etrit berisha

Tashmë situata ka ndryshuar dhe nuk është çudi që Berisha dhe menaxheri i tij të ulen në tavolinën e bisedimeve me klubet që u interesuan për lojtarin, në mënyrë që të finalizojnë sa më parë një transferim.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama