Tragjedia e Llogarase dokumenti sekret pse u rrezuan helikopteret

Tragjedia e Llogarasë, dokumenti sekret, pse u rrëzuan helikopterët
Shkurt e shkurt e dha edhe televizioni i vetën shtetëror në emisionin e lajmeve të mbrëmjes. Spikeri, me një ton funebër, tha se kishin humbur jetën gjithsej 23 njerëz, pasi ishte rrëzuar, në fillim në afërsi të Himarës një autobus me studentë të Institutit të Lartë Bujqësor dhe më tej ishin përplasur në Vuno e Llogara edhe dy helikopterët ushtarakë, që tentuan të mbartnin për në Tiranë të plagosurit. Të gjithë të shuar apo, asnjë i mbijetuar. Kaq për publikun.

Më tej ata që mësuan ndonjë detaj më tepër ishin të paktë, ca hetues, ushtarakë ose të afërm të viktimave. Pakkush mësoi të vërtetën e zbardhur të shkakut të tragjedisë, pakkush mësoi se për ngjarjen regjimi komunist i kohës urdhëroi një hetim penal. Pikërisht këtë rezultat të hetimit penal, në formën e një informacioni dërguar Ministrit të Punëve të Brendshme, Simon Stefani, nga Kryehetuesi Qemal Lame, gazeta “Panorama” do të publikojë në vijim. Një dokument me siglën “sekret”, që zbardh të vërtetën e ngjarjeve duke shpjeguar të gjithë mekanizmin e zhvillimit të tyre. Në faqet e tij për herë të parë sqarohet momenti i shumëpërfolur i debatit të ndodhur në Himarë, kur diskutohej mes pilotëve nëse duhet të niseshin, apo jo, drejt Tiranës në një kohë që kushtet e motit po përkeqësoheshin. Po kështu dokumenti sqaron edhe se në çfarë rrethanash përfundimisht u vendos që helikopterët të ngriheshin. Në të njëjtën letër sqarohen edhe enigma të tjera, si për shembull fakti se komunikimi me radiondërlidhje ushtarake me Himarën nuk realizohej, sepse ishte një zonë që nuk mbulohej nga valët.

Pikërisht për këtë shkak, oficerët e komandimit në Tiranë nuk patën mundësi të komunikonin drejtpërdrejt me dy drejtuesit e helikopterëve, nuk mundën t’i këshillonin ata si të vepronin në situatën e vështirë që u krijua dhe që u kushtoi jetën të gjithëve që ndodheshin në bordet e dy mjeteve fluturuese. Interesant është edhe fakti se në atë kohë, veç dëmit njerëzor, është llogaritur edhe shifra e dëmit material, pra e dëmtimit të pasurisë socialiste, edhe kjo e pasqyruar në të njëjtin dokument. Po kështu në informacionin për Ministrin e Brendshëm jepen të dhëna të sakta të ekspertizave teknike të autobusit dhe dy helikopterëve dhe del në pah edhe fakti se ato ishin mjete të vjetra dhe të lëna pas nga koha, që eventualisht mund të rrezikonin edhe në të ardhmen. Përfundimisht, hetimi i çështjes penale, shfajëson që të gjithë njerëzit e përfshirë në këtë ngjarje, duke i lënë fajin përkeqësimit të papritur të kohës, në një kohë kur thuhet se helikopterët ishin ngritur në Himarë në kushte të favorshme fluturimi. Ja përmbajtja e plotë e dokumentit. 

Dokumenti sekret

Sekret. Ekzemplar Nr. 6. Tiranë më 9.12.1989. Lënda: Për aksidentin e rëndë me pilotët, mjekët dhe studentët e Institutit të Lartë Bujqësor në zonën e Himarës.

Ministrit të Punëve të Brendshme, shokut SIMON STEFANI

Në datën 22.11.1989 autobusi tip prodhim i Shkodrës i Institutit të Lartë Bujqësor, që drejtohej nga shoferi Ali Omuri, është nisur nga Himara në drejtim të qytetit të Sarandës rreth orës 13.00. Në autobus ndodheshin 3 pedagogë të asaj shkolle, 14 studentë të kursit të pemëtarisë, si dhe një ushtar pasagjer. Në orën 14:00 në afërsi të fshatit Kudhës, ku rruga është dishezë e theksuar, 100 metër para një kthese të fortë, shoferi ka bërtitur duke thënë: “U morëm në qafë”. Ndërkohë makina ka rritur së tepërmi shpejtësinë. Në kthesë shoferi nuk mundi të manovrojë, del jashtë rrugës duke bërë disa rrotullime. U shkaktua vdekja e vetë shoferit dhe e studentit Albert Smoka. Është shkaktuar dhe plagosja e personave të tjerë.

Fillimisht të dëmtuarve u është dhënë ndihmë prej një reparti ushtarak aty afër e fshatarët përreth dhe janë dërguar menjëherë në spitalin e qytetit të Himarës. Prej aty është kërkuar ndihmë e specializuar mjekësore në rreth.

Për t’iu ardhur në ndihmë të dëmtuarve rëndë, nga Tirana janë dërguar dy helikopterë: MJ-6=44 i drejtuar nga komandanti Vangjel Postoli, piloti Tafil Agaj dhe teknik mekaniku, Pandeli Xhumba, dhe MJ-6-50 i drejtuar nga komandanti Agron Galanxhi, piloti Veledin Resuli dhe teknik mekaniku, Enver Haka. Në bordin e tyre kishin edhe ekipin e mjekëve të spitalit nr. 2 në Tiranë, të përbërë nga Agim Qarri, Kujtim Hysi, Dionis Makuçi, Zana Floqi si dhe ndihmësmjekja Dhurata Leka.

Në orën 16:00 kanë mbërritur në qytetin e Himarës ku janë pritur nga personeli i shërbimit shëndetësor të këtij qyteti, nga komandanti dhe komisari i brigadës së Himarës dhe komisari i brigadës së nëndetëseve. Ekipi mjekësor i Tiranës ka konkluduar që (për të plagosurit) të veçoheshin ata që ishin në gjendje shumë të rëndë dhe që u duhej dhënë ndihma mjekësore në Tiranë.

Fillimisht pilotët kanë diskutuar me njëri-tjetrin për vështirësitë e kthimit, pasi po errësohej dhe koha kishte mjegull të dendur, e cila ishte e rrezikshme për një udhëtim normal. Pasi kanë mësuar keqësimin e gjendjes së tre të plagosurve, kanë vendosur të fluturojnë për në Tiranë. Kanë hedhur në hartë rrugë-kalimin e kthimit, që do të bëhej gjatë bregut të detit për të dalë te ishulli i Sazanit e më tej në Tiranë. Pastaj dhanë urdhër që të tetë të plagosurit më rëndë të bëheshin gati për fluturim. Në helikopterin e parë me ekuipazh, të drejtuar nga oficeri Agron Galanxhi, kanë hipur të dëmtuarit Thoma Plasa, Ilirjana Brahimi, Taip Llaçi, Xhelal Ndreu të shoqëruar nga mjekët Agim Qarri dhe Dionis Makoçi. Në helikopterin e dytë të drejtuar nga oficeri Vangjel Postoli kanë hipur të dëmtuarit Misto Shumeli, Elida Hyseni, Donika Ferra, Zef Sula të shoqëruar nga personeli mjekësor me mjekët Kujtim Hysi, Zana Floqi, Dhurata Leka si dhe nga mjeku Nafail Metollari dhe ndihmësmjeku Piro Kuko të qytetit të Himarës.

Në orën 18:20 është nisur për fluturim helikopteri i drejtuar nga Agron Galanxhi, duke marrë drejtimin e bregut të detit. Pas tre minutash është ngritur për fluturim helikopteri i drejtuar nga Vangjel Postoli, i cili fillimisht mori drejtimin për nga Saranda, pastaj kthehet dhe merr drejtimin e fshatit Vuno, duke bërë një fluturim të çorientuar, ndryshe nga kursi i kthimit. Rreth orës 19:00 është përplasur me malin mbi Vuno, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë personave që ishin në të si dhe shkatërrimin e plotë të helikopterit. Po rreth kësaj ore, nga një repart ushtarak në afërsi të Llogarasë është dëgjuar një e përplasur e fortë në shpatin e malit, e shoqëruar me një flakë të madhe. Nga kërkimet e bëra pas 14 orëve, në datën 23.11.1989, në këtë vend u gjetën helikopteri i shkatërruar plotësisht dhe të gjithë personat që ishin në të, të vdekur.

Nga përplasja e tyre gjetën vdekjen 21 persona dhe u shkaktua një dëm material 11.267.120 lekë. Pas transportimit të kufomave nga vendet e ngjarjes në fshatin Vuno dhe në repartin ushtarak të Palasës, me ndihmën e personelit shëndetësor të qytetit të Himarës, të personave që kanë njohur personalisht viktimat, të ekspertëve mjeko-ligjorë si dhe pajisjeve të veçanta personale të tyre, u bë identifikimi i plotë i të gjitha viktimave. Sendet vetjake të viktimave ju dorëzuan familjarëve, ndërsa pajisjet e tjera, komandës së repartit.

Rezultati i hetimit

Helikopterët janë ngritur në fluturim me detyrë speciale për në qytetin e Himarës dhe kthim sipas të gjitha rregullave të fluturimit. Në këtë drejtim nuk ka shkelje nga komanda e regjimentit të helikopterëve, reparti ushtarak Nr. 3760 në Farkë, nga vendkomanda qendrore (VKQ) Tiranë, si dhe nga repartet e tjera ndihmëse për fluturime të tilla në Qytetin Stalin e Vlorë. Është vënë në funksionim për këtë rast i gjithë sistemi i komandimit e drejtimit të aviacionit për këtë linjë.

Vendkomanda qendrore (VKQ) komanda e repartit (VKR) dhe repartet e tjera ndihmëse të aviacionit në Qytetin Stalin dhe në Vlorë kanë mbajtur lidhje të rregullta me pilotët, gjatë fluturimit brenda rrezes së veprimit të ndërlidhjes së tyre duke ja përcjellë njëri-tjetrit. Të gjitha komunikimet e vendkomandave mes tyre dhe me pilotët janë të hedhura në dokumentetet përkatëse e të incizuara me magnetofon. Pasi helikopterët janë futur në zonën e Himarës, komunikimi me pilotët është ndërprerë, pasi kjo zonë është e pa mbuluar nga sistemi i ndërlidhje së fluturimit të aviacionit.

Vendkomanda Qendrore (VKQ) ka komunikuar me repartet ushtarake të Himarës për të mësuar për uljen dhe ngritjen e helikopterëve. Para nisjes në orën 17:58, VKQ ka biseduar në telefon me pilotin Vangjel Postoli dhe i është thënë: “...se nga Llogaraja është mjegull 10/10 dhe nuk kalohet... kur të ngriheni të futeni 5 deri në 10 km në dete...”. Përfundimisht zgjedhja e rrugëkalimit është lënë në gjykimin e tyre në vartësi të kohës së asaj zone. Pilotët vendosin vetë për fluturimin. Vendkomanda Qendrore në bisedë telefonike me komandën e brigadës së Himarës ka ndjekur ngritjen e helikopterëve e më pas kanë mësuar faktin e përplasjes së tyre në malet e Vunoit dhe Llogarasë.

Të dy ekuipazhet janë munduar të fluturojnë bregut të detit që të kenë objektet e ndriçuara djathtas. Keqësimi i mëtejshëm i kohës dhe rrymat e forta të ajrit në lartësi kanë qenë shkaqet e përplasjes së tyre në mal. Ndonëse në Himarë në kohën e ngritjes së helikopterëve nuk ka pasur erë, rreth gjysmë ore më vonë sistemi radiolokator ka zbuluar një objekt që fluturonte me shpejtësi 150 deri 180 km/orë me identifikim për helikopter nga Vlora për në Durrës. U sqarua se ajo ishte një re me ngarkesë, që lëvizte me shpejtësi të madhe për në veri.

Ekspertiza dhe problemet

Veprimet hetimore, identifikimi i kufomave dhe dorëzimi i tyre familjarëve u bë brenda 24 orëve. Pastaj u thellua hetimi i shkaqeve të aksidenteve automobilistike dhe ajrore, duke u bërë disa ekspertime dhe veprime hetimore plotësuese. Vërtetohet se rënia e autobusit ishte shkaktuar si pasojë e defekteve teknike të sistemit të frenimit, që nuk mund të konstatoheshin nga shoferi para dhe gjatë udhëtimit. Grupi i ekspertëve gjeti të padëmtuar valvolat rregulluese të presionit të ajrit dhe pas hapjes së tyre konstatuan se ishin bllokuar dhe nuk funksiononin të gjithë valvolat. Ky defekt i ndodhur në udhëtim e sipër, në tatëpjetë të fortë ka shkarkuar të gjithë ajrin e bombolës duke nxjerrë jashtë funksionimit të gjithë sistemin e frenimit të makinës. Me të konstatuar këtë fakt, shoferi ka dhënë alarmin tek udhëtarët, pasi ka parashikuar rrezikun. Në Kthesën më të afërt, pasi ka marrë superxhiro, ka dalë nga rruga dhe ka rënë me rrokullisje 64 metër në përrua.

Autobusi është i Institutit të lartë Bujqësor, shërbimet teknike i bëhen në bazën mekanike të institucionit nga vetë shoferi dhe mekaniku i ofiçinës. Shërbimet e fundit i janë bërë 3 ditë para se të nisej për Sarandë dhe nuk ka pasur asnjë pretendim për gjendjen teknike të autobusit.
Për aksidentin ajror vërtetohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e kushteve të rënda atmosferike dhe nuk ka pasur defekte teknike. Helikopterët kanë hyrë nën veprimin e kësaj ere të fuqishme me lartësi që nuk mund të konstatohej nga pilotët para ngritjes. Keqësimi i menjëhershëm i konditave meteorologjike, era e fortë, rrufetë e mjegulla e dendur është shkaku kryesor që shkaktoi postimin e helikopterëve nga vija e rrugëkalimit dhe përplasjen e tyre në mal.

Mendojmë se del problem përmirësimi i ndërlidhjes së aviacionit. Vendkomanda Qendrore nuk ka komunikuar direkt me pilotët për t’u dhënë udhëzimet e nevojshme e për t’i orientuar gjatë fluturimit, pasi zona e Himarës ka qenë e pambuluar me radio-ndërlidhje. Në komandën e repartit dhe Vendkomandën Qendrore aparatet e incizimit janë në përdorim prej rreth 20 vjetësh, të cilat kanë humbur vetitë teknike dhe është vështirësuar shumë deshifrimi i bisedave. Mund të bëhen edhe disa përmirësime me aparaturat e drejtimit të helikopterëve.

Nga kjo ngjarje ka vend të nxirren detyra edhe nga komanda e aviacionit. Pilotët duhet të aftësohen dhe të instruktohen për të parandaluar ngjarje të aksidenteve ajrore në kohë të keqe e në stuhi. Piloti Agron Galanxhi ka bërë një aksident në Gjirokastër më 2.10.1983, duke përplasur një helikë me një shtyllë të tensionit të lartë, kur kameramani filmonte ardhjen e festivalistëve. Çështja në ngarkim të tij u pushua për mungesë të elementëve të veprës penale, pasi ekspertët dhanë mendimin se piloti nuk ka shkelje. Por kjo duhet të ishte pasur parasysh pasi vetëbesimi i tepruar bëhet shkak edhe për ngjarje të tjera si në këtë rast. Për këto probleme duhet të bëhen plotësime edhe në rregulloren e fluturimit të aviacionit. Këto janë përfundimet e hetimit të çështjes penale.

Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme, QEMAL LAME. (Vula, nënshkrimi).


Viktimat

Viktimat e autobusit
1-Ali Omuri, shoferi i autobusit
2-Albert Smoka, student

Viktimat e helikopterit MJ-6-44

1-Vangjel Postoli, komandant
2-Tafil Agaj, pilot
3-Pandeli Xhumba, mekanik
4-Misto Shumeli, i plagosur
5-Elida Hyseni, e plagosur
6-Donika Ferra, e plagosur
7-Zef Sula, i plagosur
8-Kujtim Hysi, mjek
9-Zana Floqi, mjeke
10-Dhurata Leka, ndihmësmjeke
11-Nafail Metollari, mjek në Himarë
12-Piro Kuko, ndihmësmjek në Himarë.

Viktimat e helikopterit MJ-6-50

1-Agron Galanxhi, komandant
2-Veledin Resuli, pilot
3-Enver Haka, mekanik
4-Thoma Plasa, i plagosur
5-Ilirjana Brahimi, e plagosur
6-Taip Llaçi, i plagosur
7-Xhelal Ndreu, i plagosur
8-Agim Qarri, mjek
9-Dionis Makoçi, mjek


Pilotët që humbën jetën

Vangjel Postoli (1940-1989)
Zv/komandant regjimenti. Me arsim të lartë ushtarak. 27 vjet në fluturim. Përgatiti disa breza pilotësh. I dekoruar disa herë.

Agron Galanxhi (1939-1989)
Komandant ekuipazhi. Njohës i mirë i terrenit dhe autor i disa prej misioneve më të vështira të kryera me helikopterët MI-4. Dekoruar disa herë.

Tafil Agaj (1950-1989)
Komisar skuadrilje. Kreu mijëra fluturime me detyra speciale. U dekorua disa herë me urdhra e medalje të ndryshme.

Veledin Resuli (1950-1989)
Komandant ekuipazhi. Kreu mijëra fluturime me detyra speciale. U dekorua disa herë me urdhra e medalje të ndryshme.

Pandeli Xhumba (1946-1989)
Teknik helikopteri. Kishte 20 vjet eksperiencë në këtë detyrë. Kreu mijëra fluturime.Dekoruar disa herë.

Enver Haka (1956-1989)
Teknik helikopteri. Kishte 10 vite përvojë në punë. Pjesëmarrës në fluturime të shumta dhe të vështira. I dekoruar disa herë për punën e kryer.



Panorama
Ferdinand Dervishi

Pjesa 1 E artikullit... Vijon ne vazhdim... do te lexoni...

Rrëfimi i Luan Barajt, oficerit që mbajti lidhje me radio nga Tirana me komandantët e dy helikopterëve

Dialogët e fundit me pilotët para se të rrëzoheshin.

Dëshmia: Lajmin se helikopteri i parë u përplas në Vuno ma tha centralistja e fshatit, pasi kontakti i drejtpërdrejtë mungonte

Pse u rrëzuan të dy helikopterët në të njëjtën kohë edhe pse i dyti u ngrit 3 minuta pas të parit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama