Trafiku i droges pranga presidentit te Elbasanit Arben Laze

Trafiku i drogës, pranga presidentit të Elbasanit, Arben Laze

Presidenti i Sport Klub Elbasanit, Arben Laze, arrestohet për trafik droge. Burime zyrtare të Prokurorisë së Krimeve të Rënda njoftuan dje se kishin urdhëruar arrestimin e Lazes, pasi dyshohet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Urdhri i prokurorisë është ekzekutuar në orët e pasdites së djeshme nga Policia e Shtetit, e cila ka organizuar një operacion me emrin e koduar "Mesfushori", që është shtrirë në dy qytete, Elbasan e Lushnjë.

Policia

Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Klodian Branko, tha dje se nga Drejtoria kundër Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, u përfundua me sukses operacioni i koduar "Mesfushori" për arrestimin e shtetasve: Shkëlqim Hyzmo, 43 vjeç nga Lushnja, Arben Prifti, 40 vjeç nga Fieri, Arben Laze 40 vjeç nga Elbasani dhe vëllai i këtij të fundit, Fatjon Laze, 30 vjeç. Sipas policisë, arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar elementet e veprës penale të "trafikut të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim", vepër penale e parashikuar nga neni 283/a/2 i Kodit Penal. Policia sqaroi se Arben Laze është arrestuar në Elbasan, ndërsa kthehej nga një udhëtim në Maqedoni.


Në qytetin e Elbasanit janë arrestuar edhe Fatjon Laze dhe Arben Prifti.Policia njoftoi se hetimi ndaj këtyre shtetasve ka kohë që ka filluar, por të martën, në kthesën e Divjakës është arrestuar shtetasi Shkëlqim Hyzmo teksa transportonte mbi 1 kg lëndë narkotike të llojit heroinë. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se të përfshirë në këtë trafik kanë qenë edhe tre personat e tjerë, të cilët janë arrestuar dje në Elbasan. Në cilësinë e provës materiale, policia u ka sekuestruar të arrestuarve 1043 gramë lëndë e dyshuar me përmbajtje narkotike tip heroinë, një pistoletë, trembëdhjetë aparate telefonikë celularë.

Prokuroria

Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bënë me dije se dosja në ngarkim të Arben Lazes është hapur para pesë muajsh, në bazë të të dhënave të mbledhura në rrugë operative, që implikonin presidentin e SK Elbasanit në trafikun ndërkombëtar të drogës. Në kuadër të hetimeve, Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte siguruar një urdhër përgjimi për Lazen dhe disa nga personat që dyshohet se kanë bashkëpunuar me të. Nga këto përgjime, është mësuar se dy ditë më parë, shtetasi Arben Prifti, lindur dhe banues në Fier, ka kërkuar nga Arben Laze një sasi prej 1 kilogrami heroinë, të cilën do ta merrte në Elbasan shtetasi Shkëlqim Hyzmo. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, prokuroria ka kërkuar ndërhyrjen e policisë.

Të martën pasdite, pak minuta pasi në Elbasan ishte bërë shkëmbimi i mallit, sipas porosisë së dhënë me telefon, policia ka arrestuar në Lushnjë shtetasin Shkëlqim Hyzmo. Nga marrja në pyetje e këtij personi është verifikuar se droga transportohej për llogari të Lazes e Priftit dhe menjëherë është organizuar operacioni për arrestimin e tyre dhe bashkëpunëtorit Fatjon Laze, i cili dyshohet se është personi që ka bërë direkt dorëzimin e mallit. Burime të prokurorisë thanë se lënda narkotike që u bllokua të martën dyshohet se ishte planifikuar të trafikohej jashtë shtetit. Gjithashtu, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka të dhëna se të arrestuarit janë pjesë e një organizate kriminale, që ka për aktivitet kryesor trafikun e drogës në Itali.

Portreti: Tre vitet e Lazes si njeri publik

Arben Laze, i njohur në Elbasan me statusin e "të fortit", u bë person publik tre vjet më parë, kur mori presidencën e Klubit Sportiv Elbasani. Gjatë drejtimit të tij ekipi i futbollit të Elbasanit arriti në vitin 2006 të fitonte titullin kampion i Shqipërisë. Ndërkohë, pak muaj pas marrjes së drejtimit të klubit të futbollit, më 10 gusht të vitit 2006, rreth orës 02.00 të kësaj nate, pranë apartamentit të Lazes shpërtheu një sasi eksplozivi. Nga forca shpërthyese e eksplozivit të llojit tritol pati vetëm dëme materiale në ndërtesën pesëkatëshe ku banonte Laze, rreth 100 metra nga shkolla 9-vjeçare "Qamil Guranjaku" në rrugën "Rinia" të qytetit të Elbasanit.

Në atë kohë, Laze tha se eksplozivi nuk kishte lidhje me të, sepse ai nuk kishte konflikte me njeri dhe se mund të bëhej fjalë për një ngatërresë. Nga ana tjetër, policia nuk arriti asnjëherë të gjente autorët e këtij shpërthimi dhe të zbardhte motivet e tij. Krahas suksesit në fushën e sportit, Laze njohu vitet e fundit suksese edhe në biznes. Ai u hodh në fushën e ndërtimit dhe dy vjet më parë ndërtoi një pallat 10-katësh në rrugën pranë vendit ku banon.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama