Tradita dhe historia

Tradita dhe historia
Ç’rol lozin tradita dhe historia në formimin e jetës kombëtare?Për shumë nga ne, Traditë e Komb janë dy kuptime të pa-ndara. Ka edhe disa intelektualë që besojnë në mënyrë të patundur se çdo komb s’mund të rrojë e të përparojë veç: se me traditat e veta, të cilat janë - thonë - fuqitë më të fjeshta e më besnike të shpirtit të tij. Pas mendjes së tyre nuk është e mundur të sigurojmë një të arthme kombëtare me lëndën që marrim nga popujt e huaj. Thonë se të gjitha institusionet shoqërore të jetës kombëtare duhet të burojnë nga një shvillim i vazhduar i traditavet të popullit t'onë... Ata që ngulin këmbë mbi vlerën absolute të Traditës,

këtë e pranojnë si një fuqi të lindur bashkë me njeriun, d.m.th. si një ligjë të natyrëshme të pa-ndryshuar. Mirë po, për fat të keq, vërejtjet më të ra të gjyrmimit shkencar nuk i japin po thua as pak të drejtë një kuptimi të tillë. Sot ka shum kombe, që shpëtuan e bënë mrekullira në shërbim e organizimit të tyre kombëtar pikërisht për shkak se në jetën e vet politike dhe shoqërore pranuan një tok elemente të huaja, të huaja në Traditat e tyre. Niebuh në Gjermani, nuk ishte as gjerman. Sbriti nga Danimarka që të punojë në Gjermani për Gjermaninë. Ata që krijuan Prusinë ishin të huajt. Prusët e fjeshtë shumë kohë i shihnin me një sy të dyshimtë përpjekjet e të huajvet për lartësimin e Prusisë.Veç kësaj traditat kombëtare pësojnë gjithënjë ndryshime. Englezët i dimë sot si një popull konservator e me tradita. Po në shekullin XVII englezët ishin mbase populli më kryengritës i Europës. Tradita politike e englezëvet është liberalisma. Po përse, kjo traditë nuk shfaqet edhe n'Irlandë, edhe në Hind? Po akoma edhe kjo liberalismë e englezëvet mos ësht vallë një prodhim i fjeshtë i karakterit englez? Të paktën nuk ësht ushqyer gjer në një shkalllë me influencat e të huajvet.

 Në shekullin XVIII nuk ishin po thua të gjithë politikanët engles nxënës e pasonjes të filosofëve frëngj?Athletisma e parlamentarisma pa statut, që paraqitën sot si tradita të jetës engleze, nuk jane veç se dy fenomene shumë të ra të historisë engleze. Athletisma ka një jetë gjysmë shekulli; parlamentarisma të shumtën të shumtën s'e kapërcen një shekull. Domethënë, të gjitha këto gjëra që thuhen "'traditë kombëtare", nuk janë gjë me tepër veç se disa përfundime të rastëshme të një shvillimi historik. Kombet janë të lira që t'i pranojnë si symbole të jetës së tyre. Po që të skllavërohen me traditat, të duan t'i mbajnë me pahir kur se s'kanë me nonjë të drejtë jete, dhe që të pandehin se janë të lira kur se rrojnë brenda në një skllavëri të tillë, kjo është një enigmë e errëtë, që nuk shpjegohet dot kollaj. Në qoftë se çdo Komb duhet të ketë edhe nga një traditë, ahere duhet t'u japim të drejtë disa Kombeve që t'a pranojnë si një traditë mos-pasjen e traditave...Kombet e sotme u krijuan pikërisht sepse kanë dashur të largohen nga traditat e tyre të vjetra.

Durkheim-i zë ngoje këto dy shembëlla që të provojë këtë gjë:".. .Në Kombet më të përparuara përdorimi i PROVERBEVET pakësohet dita me ditë. Shoqëritë që kanë proverbat më të shumta janë shoqëritë primitive. Sa përparojnë kombet në qytetërim, aq pakësohen dhe harohen edhe proverbët e tyre. Popujt e qytetëruar nuk bëjnë proverbe të ra. Vetëm klasat më të ulëta të popujve të të sotmë të përparuar përdorin proverbe.

 Një proverb çfaq ndjenjat shoqërore për një themë të caktuarë. Mirë po ndjenjat shoqërore të shoqërivet ndrojnë nga koha në kohë. Kështu nuk përdoren më dhe harohen dhe proverbat e vjetra. Sa forcohet jeta kombëtare, kaq dobësohet tradita. Forcimi i jetës kombëtare, ndritja e gjallë e ndërgjegjes kombëtare, varet nga shtimi dhe ngushtimi i lidhjevet dhe prekjevet në mes të njerëzvet dhe pjesëtarvet të ndryshme të nji populli. Po kjo gjë s'bëhet dot, në qoftë se njerëzit nuk dalin jashtë rrethevet të tyre të ngushta. Po sa më tepër njeriu lë rrethin e tij të ngushtë, kaq më e zorshme bëhet për 'të edhe ruajtja e traditavet.

Sa me tepër lëvizin njerëzit brenda në vend të tyre, domethënë sa më shpejt mbaren nga një vend në tjetër në atdhe të tyre, kaq me kollaj shkarkohen nga influenca e me të' vjetrëvet dhe më pleqvet si edhe nga traditat, që përfaqësojnë ata.Për jetën kombëtare kryeqyteti është një pol, një qendre tërheqjeje. Po kryeqyteti është në një koh' e sipër edhe qendrë më e madhe e një emigrasioni. Popullësia e kryeqytetit përbëhet në shumicë nga njerës që kanë lidhje me traditat dhe që i ruajnë shumë pak traditat. Jeta e një qyteti të math është jetë demokratike. Jeta demokratike lindi dhe u shvillua kurdoherë në qytetet e mbëdha. Brenda në një të tillë jetë politike, njeriu e ndjen vetëhen të lirë, po në një koh e sipër edhe të lidhur me qënien shpirtërore të Kombit.

Dhe është i bindur se ka të drejtë e detyrë të interesohet e të influencojë mbi fatin e Kombit. Këtu qenia kombëtare dhe e arthmja kombëtare paraqiten të lidhura ngusht me vullnetin dhe bindjen e njeriut. Në qytetet e mbëdha njerëzit rrojnë thua se krejt të lirë nga influenca e traditavet. Një qytet i math duke krijuar jetën kombëtare vret traditen". Nacionalisma d.m.th. një jetë kombëtare që ka si themel lartësimin lëndor e shpirtëror të popullit dhe që rend kurdoherë përpara, për të sbuluar vlera të ra, virtuta të ra, ideale të ra, nuk është dhe nuk mund të jetë veç se një përpjekje DYNAMIKE për shvillimin shoqëror.

Fuqia e traditës është fuqia e përtimit. Përkundrazi, jeta kombëtare, që është një JETE DYNAMIKE, kur përpiqet të gjejë përsëri lirinë e saj me mundime, me luftëra e me kryengritje, kthehet sidomos kundër traditës, kundër përtimit të traditës, kurndër lidhjevet të mendësisë dhe gjendjes së shkuarë. Jeta e Kombevet nuk shkon në mes të qimiterëvet. Jeta kombëtare nuk ka për qëllim të ngjallij përsëri të vdekurit. Jeta e Kombit, si edhe çdo jetë tjetër, është një çap përpara, d.m.th. një çap që na largon ca më shumë nga vendi i djeshmë.Jeta kombëtare e sotme nuk është përfundim i një tok traditave e ndjenjave, që çlirohen nga çdofarë kritike e ndryshim.

Mbase është përfundimi i një kritike, i një shkence shkatëronjëse, i një mëndje vepronjëse, që kërkon të gjejë gjithënjë më të drejtën, më të fismen, më të mbaruarën. Anëtarët e traditës kanë frikë se mos vlera njerëzore e mendjes ndihmoi në çdukjen e kombësisë dhe se mos bjerij si përfundim ndërkombëtarëzim të plotë të të gjithavet. Është gabim.Kur bëjmë fjalë për vlerë njerëzore të mendjes, nuk kemi parasysh asgjë tjetër veç se një veprim dhe një lëvizje mendore. Jeta ndërkombëtare qëndron vetëm në sheshin e marrëdhënievet praktike. Askush nuk mund të mohojë influencën e ndryshimevet t'ona mendore, domethënë të shvillimit t' onë mendor, në qëllimet e vepravet t' ona. Po një veprim i tillë s'është kurrë në shkallë të çdukij të gjitha ndryshimet në mes të njerësvet të na udhëheqij të gjithë në një përgjarësi të plotë dhe t'a çveshij njerinë nga kombësia e tij. Çdo gjë tjetër.

Kur shtohen dyshimet në mes të njerësvet, në mes të zanatevet, kundërshtimet e tendencavet vetjake, edhe kur gustot -ndahen e marrin karakter të veçantë, pikërisht ahere ndjejmë edhe nevojën e një qytetërimi racional dhe të një regulli të punëravet kombëtare " shtetërore mbi disa themele fjesht racionale.

Ata që punojnë për lirinë e popullit shqiptar kanë detyrë të punojnë në një koh' e sipër edhe për një realizim të jetës kombëtare e shtetërore të atij populli, duke u mpështetur bile mbi një system mendimi sikur do të ngrehin një godinë gjeometrike.Puna e nacionalismës është një punë mendore. Që të kuptojmë mirë mirë nevojat e popullit t' onë dhe që të përgatitim pllanet më të mira për një reformë kombëtare të vërtetë, më parë nga çdo gjë mendjen t' onë duhet ta kthejmë nga populli dhe të gjejmë shkaket pse ka mbetur prapa. Bindja e verbërë në ligjat e së shkuarës, do methënë varja dhe skllavërimi në kërkimet e traditavet, është armiku më i math i çdo përparimi dhe i çdo çapi çlironjës përpara.Nuk dashurohet dhe nuk shërbehet një popull, kur ndjejmë nevojën të bindemi në një tok urdhëra të pa-arsyeshme, primitive e të kundërta të traditavet. Traditat dhe ndjenjat kanë një llogjikë të tyre.

Po nuk duhet të harojmë se ka edhe ndjenja që janë lidhur me llogjikën, ka edhe disa vlera që janë përfundimi i një nevoje mendore. Ne një çast historik të caktuar edhe në një shkallë të caktuarë qytetërimi Kombet nisin të shqyrtojnë vlerën e ligjavet që i sundojnë gjer atë ditë. Bie fjala, kombëtarizimi i gjuhës nuk është një të kthyer në traditën e saj; mbase është një afrim me mendjen e me shpirtin. Një Komb nis t'a ndjejë e t'a drejtojë vetëhen vetëm ahere kur nis të mendojë fatin e tij, kur arrin në një shkallë të lartë ndërgjegjeje dhe kur frymën kritike të mendjes së tij e kthen nga fuqitë e natyrëshme dhe instiktive, në të cilat ishte skllavëruar gjer dje.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama