Tom Doshi Rama bukeshkale kur te flas me teper do ti dridhen themelet mazhorances

Tom Doshi: Rama bukeshkale, kur te flas me teper do t'i dridhen themelet mazhorances

Deputeti socialist, Tom Doshi ka shpërthyer në akuza ndaj kryeministrit të vendit, Edi Rama të cilin e ka quajtur bukëshkalë e mosmirënjohës. Duke folur për mediat nga ambientet e jashtme të kuvendit, deputeti i Shkodrës ka deklaruar se lufta mes tij dhe Edi Ramës sapo ka filluar dhe se mes të dyve nuk do të ketë më paqe.

“I kërkoj kryeministrit t’i bëj publike kërkesat e mia, jo për arsye personale, por për premtimet që ka bërë në fushatë, ku s’ka dhënë asnjë investim për Shkodrën, gjithë buxheti është përqendruar në jug. I bëj me dije Edi Ramës se mes meje dhe tij sapo ka nisur lufta, nuk do të ketë paqe. Kur unë të flas më tepër, do t’i dridhen themelet mazhorancës”, tha Doshi.

Deputeti socialist ka deklaruar më tej se do të vijojë të qëndrojë në grupin parlamentar të PS, pasi përfaqëson njerëzit që e kanë zgjedhur në atë post, ndërsa paralajmëroi se me qëndrimet e tij, jo për qëllime personale, por për të shprehur zhgënjimin e bazës nga kjo mazhorancë, do të jetë më kritik se sa vetë opozita.

“Do të jem një kritik më aktiv se opozita dhe dihet se lufta brenda llojit është njësoj si kanceri. Kryeministri e di se as Topalli, as Berisha s’ka fituar luftë me mua, e jo më Rama. Unë kërkoj transparencë nga Rama. Ka premtuar se s’do ketë korrupsion apo lidhje nepotike, që për një vit e gjysmë i ka kaluar 4 vjetët  e qeverisë ‘Bersisha”, u shpreh deputeti socialist.

Kokëdhima përpiqet ta zbusë, Doshi nuk tërhiqet, Rama sheh debatin

Pas deklaratave “bombë” jashtë sallës së Kuvendit, pasi është kthyer në Parlament dhe është ulur në vendin e tij, Tom Doshi ka pasur një debat jo të ndezur, por normal me kolegun e tij socialist, Kokëdhima, i cili sipas asaj që dukej në telekamera, përpiqej të zbuste zemërimin e ligjvënësit të qarkut Shkodër.

Në kohën që kryetari i Kuvendit i kishte dhënë fjalën deputetit Shalsi për të folur, Doshi dhe Kokëdhima kanë diskutuar gjatë me njëri-tjetrin dhe nga mënyra e reagimit, është dukur qartë se nuk ka qenë dakord me fjalët që i thoshte deputeti i Sarandës.

Pranë këtij të fundit, kanë qenë edhe deputetët Blerina Gjylameti e Erion Braçe, por asnjë nga të dy nuk ka ndërhyrë në debat.

Diskutimi mes tyre është ndjekur edhe nga kryeministri Rama. Pas debatit, Doshi është larguar nga Kuvendi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama