Toka e te huajve

Toka e të huajve

saimir demiNga SAIMIR DEMI

Laçi-Kukësi ishte ndeshja e fundit e edicionit dhe kush fitonte, merrte një kupë. E morën kuksianët dhe më pas e sorollatën në studio televizive dhe më pas në bare, restorante, pub-e, kudo ku alkooli është më i rëndësishëm se një fushë futbolli. Por për një rast të tillë është e ligjshme të hallakatesh rrugëve, pasi nuk të qëllon shpesh që në vendin ku feston, të kesh me vete edhe një trofe të fituar, siç është Kupa e Shqipërisë. Por pragndeshja ishte më interesantja.

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, kërkoi me insistim një arbitër të huaj për finalen, pasi nuk kishte më besim te tanët. Pagoi burri i botës edhe nja 10 mijë euro dhe në fund, pas shumë vjetësh që nuk kishte ndodhur, erdhi Guida, një italian që nuk mund ta cilësosh me aftësi modeste, por që për herë të parë në karrierë drejtoi një finale. Në FSHF kishin kohë që thoshin se nuk do të ketë më arbitra të huaj për asnjë motiv dhe nëse këtë radhë toleruan, bënë shumë mirë, pasi pamë një ndryshim shumë të madh. Për Markon nga Napoli, Shqipëria ishte thjesht një "guidë" turistike, ku erdhi, pa, mori lekët e Safetit dhe e shkroi në kurrikulum.

E filloi me kartonë që në minutën e gjashtë dhe e përfundoi me të njëjtën metodë, pak përpara se të nisej për në hotel për të pushuar përpara kthimit. Dhe askush nga ata që ishin në fushë, duke përfshirë edhe drejtuesit e tyre karizmatikë nuk iu afruan asnjëherë, kuptohet jo për ta kërcënuar, por as për t'i kërkuar ndonjë shpjegim, kur u takonte një gjë e tillë.

A po, shkonte ndonjë për t'i treguar nivelin e italishtes, siç bëj unë vit pas viti kur takoj kunatin që është nga Sicilia. Në fakt, finalja e Kupës ishte prej kohësh në qendër të vëmendjes së opinionit sportiv dhe përflitej për favorizime të një pale në disfavor të tjetrës, sipas suportit që kanë në selinë që drejton futbollin në vend. Kështu që përshtypja e përgjithshme është që Armand Duka ka bërë lëvizjen më të mirë të mundshme në fund të edicionit. I dha mundësinë Safetit t'i shpenzonte ato 10 mijë euro që nuk i duheshin, si dhe i bëri të ditur mikut të tij, Pashkut, që me futboll në fushë mund të shuajë paragjykimet. Dhe në fund fitoi Kukësi, Guida... Laçi humbi.

Tani se ishte ky sezon thjesht mirë, apo vitrinë (përcaktime këto për hir të komercialitetit), finalja e Kupës së Shqipërisë mund të konsiderohet si vitrinë sportive e sezonit dhe ky është shansi më i mirë për të debatuar përcaktimin. U luajt për më shumë se një orë e gjysmë dhe në fund të gjithë u larguan të qetë nga "Qemal Stafa". Arbitri italian nxori kartonë pa kriter (10 të verdhë dhe 1 të kuq), u tregua prepotent, pasi e testoi mirë ambientin dhe në fund fitues e humbës e përqafuan me dashuri. Ky ishte Guida, i cili gjatë një 90-minutëshi që e mendonim se do të ishte shumë i ashpër, dukej si një i dërguar nga Zoti.

Dhe në fakt i tillë ishte, i dërguar nga Armando, me paratë e Safetit. "Sus" të gjithë, pikërisht ata që çfarë nuk kanë bërë gjatë të gjithë këtij kampionati. Aq sa nuk kishe mundësi ta thoshe me pastërti në një rubrikë sportive se çfarë mendoje për një rast të thjeshtë pozicioni jashtë loje, apo qoftë edhe një faulli në mesfushë.

Nuk folën... vetëm u gëzuan dhe u përlotën, sikur ndeshja të ishte luajtur në Luksemburg. Sepse me bilbil ishte Marko, një njeri që ka lindur në Torre Anunziata (emër që nuk përdoret as në fjalëkryq), ndërsa nëse do të kishte të njëjtin tingull bilbili i Lorencos sonë, i cili rastësisht ka lindur në Kolonjë, sigurisht që edhe historia e Kupës do të ishte ndryshe. Pa do të tentonin t'i suleshin, ta fyenin, ta preknin (që e ka bezdi se është manjak pastërtie), pra t'ia bënin detyrën sa më të vështirë. Kështu, si përfundim, në këtë komunitet "garipash" mund të vënë drejtësi vetëm të huajt. Guida që në Itali ende nuk është arbitër elite, Vlahutin që krihet për të dalë pa krehur përballë politikanëve tanë si shenjë proteste dhe Lu që me një shqipe ashtu-kështu kërkon të na mësojë gjuhën me të cilën duhet t'i drejtohemi njëri-tjetrit. Meqenëse kjo është Shqipëria edhe në futboll, nuk ka vitrina, por thjesht fasada, të cilave herë pas here u bie boja.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama