Tito Stalinit Shqiptaret jane si puna e baskeve

Tito Stalinit: Shqiptaret jane si puna e baskeve
Dialogu i mëposhtëm është nga biseda e zyrtarëve të protokollit më të lartë të zhvilluara në Kremlin në zyrën e Stalinit. Ajo është regjistruar gjatë takimit zyrtar të delegacionit të nivelit të lartë të Jugosllavisë nën drejtimin e numrit dy të saj, Eduard Kardel, Ministrit të Jashtëm jugosllav Simic dhe Ambasadorit jugosllav në Moskë V. Popovic,  në prill 1947. Dialogu është autentik për një rajon si Ballkani, në historinë e të cilit zëri “të fortëve” mbetet informacion…


STALIN – Po si i keni punët me shqiptarët? Hoxha sikur është ankuar për këshilltarët tuaj politikë në ushtrinë e tyre, sikur ata e dobësojnë disiplinën, apo jo

E. KARDELI – Kjo është gjë e re për ne. Ata nuk na kanë thënë asgjë për këtë.

STALIN – Cila është origjina e shqiptarëve?

E. KARDELI – Ata janë pasardhës të ilirëve.

STALINI – Më kujtohet se Tito më ka thënë se ata janë si puna e baskëve.

E. KARDELI – Kjo është e vërtetë.

S.SIMICI – Ka të dhëna që thonë se shqiptarët janë populli më i vjetër në Gadishullin Ballkanik. Disa fjalë prej tyre vërtetojnë se gjuha shqipe është më e vjetër se greqishtja. Fjala e tyre “Afrodita” është huazuar nga gjuha shqipe. Në gjuhën greke kjo nuk ka kuptim.

STALINI – Ky popull ka mbetur shumë mbrapa në zhvillim.

POPOVICI – Shqiptarët janë shumë trima dhe njerëz besnikë.

STALINI – Të tillë kanë qenë tek ne cuvashët. Carët rusë i merrnin ata në gardën personale.

E. KARDELI – Tek ne, në territorin e Kosovës dhe Metohisë edhe sot jetojnë më shumë shqiptarë se sa serbë. Ne mendojmë, që më vonë, kur të vendosim lidhje më të ngushta me shqiptarët, këto territore tua japim atyre.

STALINI – Po si janë ndodhur shqiptarët në këto territore?

E. KARDELI – Janë vendosur në këtë krahinë në kohën e turqve. Ndërsa një pjesë e popullsisë është asimiluar.

STALINI – Po si ka mundësi që një popull me nivel më të ulët zhvillimi, ka mundur të arrijë një gjë të tillë? Si shpjegohet kjo?...

(Botuar në Beograd nga gazeta “Borba” në 12-13 gusht 1989 dhe në librin “Rusia dhe Kosova” të ambasadorit Shaqir Vukaj Fq 93)

Në këtë bisedë që vlen të ndërpritet tek pyetja “naive” e Stalinit mund të gjeni përgjigje të denja sot për të gjithë ata që hedhin baltë mbi kombin shqiptar… Po ashtu, vini re se linja “baske” e trajtimit të shqiptarëve nga Tito dhe diplomacia e Beogradit nuk ka ndryshuar as sot në “Platformën” serbe për Kosovën…

Dokumenti në fjalë është një rast i rrallë për një komb si shqiptarët. Ai të jep kënaqësinë e argumentit të një prove ku për shqiptarët është diskutuar në mungesë të tyre. Stalini në momentin për të cilin po flasim ishte një nga njerëzit më të fuqishëm në glob dhe Jugosllavia e sapodalë nga lufta ishte protagonistja e Ballkanit.

Rilindja e shqiptarëve si komb duam apo nuk duam fillon nga e shkuara. Kushti është që ta duam të kaluarën ashtu siç është, pa mbetur në qerthullin e pyetjeve të brezave të shkuar dhe në të moskuptuarin e kondicionit njerëzor i cili mbetet po ai. Lidhja e të kaluarës me të tashmen kanë kryqëzimin e paqartësisë së vazhdimësisë dhe racionalitetit se historia e një kombi nuk aplikohet mbi një model të parashikueshëm.

Politika si produkt i historisë dhe diskutimi rreth saj ka një rregull të vjetër. Ai të “pëshpërit” se je kërkues dhe jo pronar i së vërtetës. Sigurisht! (Tiranë 4 janar 2013)

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama