Tirana dhe Reja britanike e nje japonezi

Tirana dhe Reja britanike e nje japonezi

Tre vjet pas krijimit “The Cloud”, i artistit japonez Sou Fujimoto, bën një udhëtim nga ishulli britanik drejt gadishullit Ballkanik. Edhe pse nuk do të jetë në mbretërinë e gjelbërimit si në Kopshtin Kensington, organizatorët kanë  gjetur një hapësirë të blertë – edhe pse modeste -përpara Galerisë Kombëtare të Arteve.

“Jam përpjekur të krijoj diçka që shkrihet në gjelbërim”, shprehej artisti japonez Sou Fujimoto në vitin 2013 , ndërsa përpiqej të shpjegonte sesi mendoi të kombinonte natyrën dhe arkitekturën ndërsa skiconte Pavijonin e Galerisë londineze, “Serpentine” të atij viti, të vendosur në kopshtin Kensington të kryeqytetit britanik. E ndërtuar në lëndinën jashtë Galerisë, pavijoni i ngjashëm me një re i Sou Fujimoto-s , përfshinte një rrjet polesh të bardha që ngjiten lart duke formuar tarraca të shtresëzuara me rrathë të tejdukshëm polikarbonati, të futura për të strehuar nga shiu dhe për të pasqyruar dritën e diellit…

Tre vjet më vonë, instalacioni “The Cloud” bën një udhëtim nga ishulli britanik drejt gadishullit Ballkanik. Edhe pse nuk do të jetë në mbretërinë e gjelbërimit si në Kopshtin Kensington, organizatorët kanë  gjetur një hapësirë të blertë – edhe pse modeste – përpara Galerisë Kombëtare të Arteve. Pikërisht aty po punohet për të vendosur veprën e artit që do të shtrihet në 541 metra katrorë – deri në 7 metra. Pavijoni ka dy hyrje, me një seri tarracash që sigurojnë vend për t’u ulur, topografia e rrjetit është fleksibile, me një hapësirë sociale shumë funksionesh, ku muret, ulëset dhe çatia janë të bëra me të njëjtët kuba çeliku. Një lajm i mbërritur në kohë me re nga një vend ku retë janë tipari më dallues, ky instalacion do të mund të kundrohet nga kureshtarët vetëm në fillim të pranverës. Një vepër arti që do të shërbejë edhe si strehë për ekspozimin e të tjera veprave të artit apo bujtëse e aktiviteteve kulturore. Kështu ka bërë me dije kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, i cili është edhe nismëtari i prurjes së kësaj vepre arti, e huazuar nga Galeria britanike “Serpentine”.

“Në fillim nuk mendoja se më pëlqente të bëja një re” – do të shprehej artisti japonez ndërsa shpjegonte sesi donte të ngrinte një strukturë që të përputhej mirë me rrethinat. “Mbeta i mrekulluar nga rrethinat e Kopshtit Kensington, gjelbërim i bukur që më bëri të krijoja diçka që shkrihej me atë gjelbërim. Sigurisht që struktura duhet të ishte artificiale, kështu që mendova të ndërtoj diçka mes arkitekturës dhe natyrës, ai lloj koncepti ka qenë një interes i madh në karrierën time kështu që ishte krejt e natyrshme ta shtyja përpara atë koncept për të ardhmen” – do të shprehej Fujimoto, i cili ka menduar edhe më tej; të kombinojë hapësirat e brendshme dhe të jashtme brenda strukturës. “Tejpamja është shumë e rëndësishme për mua sepse ashtu mund të ndjesh natyrën, motin dhe klimën që ndryshon, edhe nga brenda pavijonit” – ka thënë ai. Pavijoni e mori nofkën “Reja” për shkak të formës dhe lehtësisë që ka rrjeta tre-dimensionale prej çeliku me module 40 centimetra që ndryshojnë në secilën anë. Struktura është e thyer në mënyrë që të lejojë hyrjen e njerëzve si edhe të gjenerojë përdorime të ndryshme nën dhe mbi të. Një kub i thjeshtë, me përmasën e trupit të njeriut, përsëritet për të ndërtuar një formë që ekziston mes organikes dhe abstraktes, për të krijuar një strukturë dykuptimësie, me korniza të buta që mjegullon kufijtë mes së brendshmes dhe së jashtmes. Fujimoto ishte arkitekti më i ri që ka projektuar një pavijon të Galerisë “Serpentine”.

Sou Fujimoto është i njohur si një nga arkitektët më të rëndësishëm që po dominon në të gjithë botën, një dritë drejtuese për brezat e artistëve që po rishpikin marrëdhënien me mjedisin e ndërtuar. I frymëzuar nga struktura organike, si: pylli, foleja dhe shpella, ndërtesat që mbajnë firmën e Fujimoto-s banojnë një hapësirë mes natyrës dhe artificës.

Fujimoto ka fituar edhe konkursin për të krijuar Ecole Polytechnique në kampusin e Universitetit ‘Paris-Saclay’, në dalje të kryeqytetit francez. Propozimi i Fujimoto-s sheh një ndërtesë të mbushur me bimësi dhe pemë. Ai gjithashtu kë përdorur materiale burimore vendase për të krijuar një sheh artistik në një ish-fermë në provincën e Guangzhou –së në Kinë. Ai gjithashtu është i përfshirë në botën e modës nuk ndikuar në koleksionin pranverë-verë të shtëpisë zvicerane të modës ‘Akirs’ me veshje të bazuara në ndërtesat e krijuara prej tij dhe syze dielli që imitojnë të tijat. “Reja”, e cila vjen për t’u shfaqur në Tiranë si një donacion i Fondacionit Luma, pasi ka qëndruar për disa kohë në Galerinë “Serpentine” në Londër, do të jetë e vizitueshme nga publiku kryeqytetas, e ndërthurur edhe me një kalendar të detajuar aktivitetesh nga Bashkia e Tiranës. Në pamundësi për të çuar gjithë Tiranën në Londër, në fakt po sjellim një pjesë të Londrës në Tiranë. Por, me buxhetin e limituar të Bashkisë së Tiranës, ne e kishim të pamundur të përballonim qoftë edhe qiranë apo punimet për instalacione të tilla, ndaj i jam shumë mirënjohës znj. Maya Hoffman dhe fondacionit “Luma” në Zvicër dhe Francë, të cilët kanë përballuar të gjitha kostot, si të transportit, të instalimit dhe të siguracionit”, -është shprehur Kryebashkiaku Veliaj, që duket se me këtë vepër të artit modern çel edhe kalendarin e aktiviteteve me natyrë artistike e kulturore në kryeqytet.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama