Mos i humbisni Disa studime pikante mbi shendetin

Mos i humbisni: Disa studime pikante mbi shendetin

Andrologët, rregullat për të ruajtur fertilitetin

Bëni kontrolle, kujdes me konsumimin e tepërt të alkoolit, drogave, duhanit, dopingut sportiv, kujdesuni veçanërisht për ushqyerjen e kryerjen e aktivitetit fizik, vishni të brendshme pambuku dhe mbi të gjitha evitoni mbajtjen e kompjuterit apo pajisjeve të tjera në prehër. Këto janë disa nga rekomandimet që japin andrologët për të “ruajtur” fertilitetin te meshkujt. Këshillat e mjekëve andrologë vijnë pas një studimi të kryer së fundmi në Itali, nga ku rezulton se pothuajse gjysma e adoleshentëve kanë një problem andrologjik, fakt shqetësues për andrologët pasi pasojat mund të kthehen në pikë shqetësuese për ta në jetën bashkëshortore. Steriliteti mashkullor mund të jetë shqetësues në raportet mes çifteve, po të kihet parasysh fakti se gjithnjë e më shumë vitet e fundit po shtohen rastet e meshkujve steril.

 

Alarm në SHBA, i pari bakter rezistent ndaj çdo antibiotiku

Alarmi vjen nga shkencëtarët e Departamentit të Mbrojtjes në SHBA, të cilët kanë identifikuar disa lloje “escherichia coli” në urinën e një gruaje në Pensilvani. Agjenti patogjen ka treguar se nuk është i aftë të luftohet as nga antibiotikët e gjeneratës së fundit. Aktualisht, pacientja është në gjendje të mirë shëndetësore, mirëpo ekspertët e sëmundjeve infektive po kryejnë analizat e domosdoshme për të përcaktuar mënyrën e kontaktit me pacienten. Ndër mundësitë e infektimit mbetet edhe kontakti spitalor. Nga ana tjetër, mjekët po mbajnë nën mbikëqyrje familjarët e pacientes që të mos infektohen, për të reduktuar mundësitë e përhapjes së bakterit. Për ekspertët, bakteri në fjalë cilësohet tejet i rrezikshëm pasi në disa raste arrin të vrasë deri në 50 për qind të personave të infektuar prej tij. Niveli i alarmit për shfaqjen e këtyre baktereve rezistente ndaj çdo antibiotiku është evidentuar prej nëntorit të vitit të kaluar, kur disa studiues anglez dhe kinezë hasën praninë e tij në Kinë te disa persona.

 

Nuk ka asnjë lidhje mes vaksinës dhe autizmit

Prindër të dy fëmijëve në Itali kanë bërë një denoncim, pasi pretendojnë se fëmijët e tyre 9 dhe 14 vjeç janë prekur nga autizmi pas kryerjes së vaksinës. Pas këtij denoncimi, Prokuroria e Tiranit në Puglia ka kryer një hetim, përmes anketave epidemiologjike, ku kanë konstatuar se rastet e autizmit të shfaqur te disa fëmijë nuk kanë lidhje me vaksinën, pasi rezultojnë autikë edhe fëmijë që s’janë vaksinuar. Fëmijët janë vizituar nga një komunitet i gjerë mjekësor, të cilët kanë nënvizuar edhe një herë se nuk ka asnjë lidhje mes autizmit dhe vaksinave. Në përfundim të hetimit, vetë ministrja e Shëndetësisë italiane, Beatrice Lorenzin, ka deklaruar se një hetim i tillë ritheksoi edhe një herë atë që prej vitesh shkenca dhe mjekët kanë thënë, se nuk ka asnjë lidhje mes vaksinës dhe autizmit. Ndaj dhe ajo ka apeluar se shkenca duhet të ketë të parën dhe të fundit fjalë mbi këtë temë. Mirëpo përballë përfundimit mbetet diçka tjetër, ku prokurorët në 50 faqe raport këshillojnë gjithashtu kryerjen e disa analizave të gjakut për të “evidentuar” aty elementet me risk për mospërballimin e imunizimit të plotë, në rast sëmundjeje. Mjekët janë totalisht kundër lidhjes mes vaksinimit dhe autizmit, duke u mbështetur më së shumti mbi “injorancën” dhe “legjendat urbane”, të cilat, veçanërisht në Itali, në 5-6 vitet e fundit kanë reduktuar vaksinimin me 20-30 mijë më pak raste në vit. Me publikimin e hetimeve, anketa u vendos që të arkivohet sepse nuk ka asnjë lidhje mes autizmit dhe vaksinës pediatrike trivalente, jo e detyrueshme kundër fruthit, shytave dhe rubeolës.

 

Vaksinë universale kundër tumoreve

Mesa duket, shkencëtarët janë drejt rrugës së zbulimit një vaksine “universale” për të gjitha llojet e tumoreve. Deri tani, vaksina është formuluar dhe testuar në tre pacientë. E ideuar nga studiuesit e Universitetit të Johanes Gutenbergut në Mainz të Gjermanisë, vaksina përbëhet nga një kapsulë me molekula yndyrore, përmban një ‘zemër gjenetike’, një ARN të vogël, e ndërtuar për të aktivizuar qelizat e sistemit imunitar të pacientit për të dhënë një përgjigje të fortë imunitare kundër tumorit. Sipas studimit të publikuar në revistën shkencore “Nature”, veçantia e kësaj vaksine qëndron në faktin se ajo punon në mënyrë shumë të thjeshtë dhe shkakton një reagim të fortë imunitar përmes injektimit intravenoz, në fakt arrin deri në (shpretkë, nyjat limfatike dhe palcën e kockave) ku ajo aktivizon një përgjigje të fortë imune dhe të qëndrueshme me kalimin e kohës, kundër tumorit. “Deri tani” –shpjegon Ugun Sahin, shkencëtari që ka kryer studimin, “kemi vetëm një evidencë klinike të limituar, por pasi kemi testuar vaksinën te tre pacientë ka rezultuar se shëndeti i pacientëve është i qëndrueshëm dhe se tumori nuk ka vazhduar të rritet, pas injektimit të vaksinën.” Gjithsesi, studiuesi pohon se vaksina është ende nën testim dhe se në vitin 2017 ajo do të injektohet te një sërë pacientësh me tumore të ndryshme.

 

Me fjalëkryqet dhe sudokun, kundër Alzheimer

Pjesë e eksperimentit për të testuar “mjetet” kundër Alzheimer–it janë bërë edhe fjalëkryqe dhe sudoke. Mbi të gjitha, fjalëkryqet mund të jenë ushtrime për trurin, së bashku me sudokun, ato janë konsideruar si të dobishme për të ruajtur kujtesën e trurit pa përdorur ilaçe. Pasi i janë nënshtruar një sërë ushtrimeve me fjalëkryqe dhe sudok, rezultoi se 7 nga 10 persona kanë pasur përmirësim të sistemit njohës, veçanërisht në luftën kundër Alzheimer. Fokusi kryesor i studimit ishte evitimi i ilaçeve si kurë trajtuese ndaj Alzheimer-it dhe kurave trajtuese kundër sëmundjeve neurodegjenerative. Me shtimin e rasteve të demencës te të moshuarit, drejtori shkencor i studimit ka evidentuar se kryerja e këtyre aktiviteteve mban mendjen aktive dhe largon monotoninë e përditshme. Po kështu, një tjetër mjet për të mbajtur mendjen aktive, janë gjithashtu edhe lojërat me letra. Këto mjete vlerësohen si ushtrime për trurin dhe vlerësohen si tejet të rëndësishme për mbajtjen aktive të trurit, duke mos u lodhur kurrë së studiuari dhe mbajnë mendjen aktive.

 

Aparat i ri për transplantimin e mëlçisë

Një procedurë e re në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Pittsburgut premton shumë për sa i përket ruajtjes më mirë të organeve gjatë procesit të transplantimit. Bëhet fjalë për një pajisje, e cila përbëhet nga dy pompa të ndryshme dhe secila prej tyre dërgon lëngun në mëlçi përmes venës kryesore dhe nëpërmjet arteries hepatike. Në Institutin McGowan për Mjekësinë Rigjeneruese, kirurgu Paulo Fontes thotë se oksigjeni zgjat jetën e indeve të organeve deri në 9 orë. Doktor Fontes thotë se edhe më parë ka pasur aparate ose zgjidhje të këtij problemi, por shumë pak njerëz përqendrohen në faktin se për çështje të ndryshme terapeutike me organet nevojiten temperatura të ndryshme, dhe këtë ne përpiqemi të arrijmë, thotë doktor Fontes. Pas kërkimeve për më shumë se 20 vjet, shkencëtarët në Universitetin e Pitsburgut, së bashku me kolegët nga Qendra Mjekësore në Universitetin Groningen, Holandë, arritën të krijojnë një lloj gjaku artificial që ushqen të gjithë organin me oksigjen. Aparati e ul temperaturën e mëlçisë së dhuruar, ndërkohë që fut në gjak molekula të hemoglobinës, të cilat depërtojnë shumë të thellë në inde, duke ofruar 8 herë më shumë oksigjen se sa aparatet e zakonshme.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama