Terrori Shperthen me tritol makina dy te plagosur

Terrori: Shperthen me tritol makina, dy te plagosur

Një automjet ka shpërthyer me lëndë plasëse mbrëmjen e djeshme në kryeqytet, duke rikthyer sërish terrorin që filloi pas datës 10 shkurt. Nga shpërthimi janë plagosur dy persona, njëri prej të cilëve ka marrë plagë të rënda në gjymtyrë dhe lëngon në Spitalin Ushtarak. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 në zonën pranë stadiumit “Dinamo”, ndërsa të parët që kanë lajmëruar policinë kanë qenë banorët. Sipas tyre, fillimisht u dëgjua një zhurmë e madhe dhe më pas zjarri shkrumboi automjetin tip “Benz ML” me targë AA 948. I plagosuri është Artan Prenga, 38 vjeç, me origjinë nga Mirdita, ndërsa ai ka qenë i shoqëruar edhe nga një vajzë, e cila është lënduar.

Shpërthimi

Burime nga Policia e Tiranës thonë se 38-vjeçari nga Mirdita kishte qenë në një lokal në zonën pranë stadiumit “Dinamo”. Rreth orës 22:00, ai është afruar së bashku me shoqëruesen e tij tek automjeti tip “Benz ML”. Në momentin që hapi derën e mjetit, nga krahu i shoferit, automjeti shpërtheu. Fuqia e lëndës plasëse e shtyu disa metra, në një trotuar, ndërsa sipas dëshmitarëve, ai kishte plagë të rënda në këmbë. “Për disa minuta, ai qëndroi i gjakosur në trotuar. U lajmërua ambulanca dhe më pas policia, të cilat e shoqëruan në spital”, pohojnë dëshmitarët, teksa shtojnë se zhurma e shpërthimit ka qenë e madhe, ndërsa pas saj mjeti u përfshi nga flakët. Policia nisi menjëherë hetimet, ndërsa u zbulua se ky mjet i përkiste shtetasit Artur Prenga, që edhe u plagos. Në pyetje janë marrë dëshmitarë të shumtë, nëse kishin parë apo jo ndonjë person të dyshimtë në atë zonë, por deri mbrëmë, policia tha se nuk ka ndonjë autor të mundshëm. Sipas saj, aktivizimi i lëndës plasëse ka qenë me telekomandë, ku paraprakisht dyshohet telefon. Gjithsesi, në vendngjarje shkuan edhe forcat xheniere për të zbuluar mekanizmin e plotë. Në ngjarjet e mëparshme, policia ka arritur të zbulojë vetëm mekanizmin, pasi shpërthimet me tritol nuk lënë gjurmë.

Hetimet

Drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi, ka shkuar personalisht në vendin e ngjarjes, duke drejtuar edhe hetimet. Bashkë me të ka qenë edhe një prokuror i Tiranës, ndërsa puna po përqendrohet te numri celular që ka qenë i aktivizuar në bombën e vendosur në këtë mjet. Përgjatë orëve të vona të ditës së djeshme, akuza u ka bërë disa kërkesa kompanive të telefonisë së lëvizshme, në përpjekje për të mësuar edhe nga cili numër ka ardhur aktivizimi i lëndës plasëse. Burimet pohojnë se ende nuk kanë ndonjë autor të mundshëm dhe paralelisht po punohet edhe për motivet. Fillimisht është parë e kaluara e Prengës, ndërsa ai dyshohet për disa precedentë penalë, brenda dhe jashtë vendit. Në pyetje janë marrë familjarë të 38-vjeçarit për ndonjë konflikt kohët e fundit, ndërsa policia thotë se shtoi masat në kryeqytet. Sipas tyre, dhjetëra persona, kryesisht kontingjent krimi, janë shoqëruar në mjediset e Policisë së Tiranës për t’u verifikuar, nëse kanë qenë apo jo në vendin ku ndodhi shpërthimi.

 


Policia
Alarm fals për bombë te Rruga e Kavajës


Paralelisht me shpërthimin e automjetit në afërsi të stadiumit “Dinamo”, policia është angazhuar mbrëmë edhe për të verifikuar një çantë të zezë, e lënë në Rrugën e Kavajës. Dyshimet e para flisnin se mund të ishte një bombë, teksa pas konstatimit, policia rrethoi vendin, duke vendosur një perimetër sigurie. Qarkullimi i automjeteve u bllokua dhe në vendngjarje mbërritën forcat e xhenios. Mësohet se çanta ishte e zezë dhe ishte lënë në një vend të dukshëm, ndërsa pas kontrollit të saj, rezultoi se ishte bosh. Policia dyshon se lënia e kësaj çante në këtë vend mund të jetë bërë e qëllimshme, pasi përkoi paralelisht me shpërthimin e automjetit. Gjithsesi, çanta u dërgua në laboratorin e policisë shkencore, për ndonjë gjurmë në të. Rreth një muaj më parë, një tjetër alarm u dha pasi u konstatua një kuti e dyshimtë në Rrugën e Kavajës. Edhe në atë rast, alarmi ishte fals.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama