Tenori shqiptar i Woody Allenit

Tenori shqiptar i Woody Allenit
Një nga triptikët e veprës së Xhakomo Puçinit, i quajtur "Gianni Schicchi" (Xhani Skiki) vihet për herë të parë në skenë nga regjisori i kinemasë, një emër i padiskutueshëm që e ka hedhur firmën këtu e tridhjetë vjet të shkuara, Woody Allen. Shtypi amerikan e ka përqendruar vëmendjen tek kjo premierë lirike e mjeshtrit për të cilën ai shprehet: "Nuk kam asnjë ide të asaj që po bëj. Por inkompetenca nuk më ka penguar asnjëherë të hidhem me entusiazëm në diçka". Ndërsa dy ditë më parë e përditshmja italiane "Corriere della sera" fokusohet tek tenori i Allenit, tek shqiptari Saimir Pirgu. "Është ndër të paktët që mund të thotë:

Më ka kërkuar Woody Allen" shkruan "Corriere". Pirgu është zgjedhur nga regjisori amerikan për rolin e Rinuços te "Gianni Schicchi", i vetmi akt i "Triptikut" puçinian që shënon për Allenin debutimin në regjinë lirike në Operën e Los Anxhelosit e drejtuar nga Placido Domingo. E me këtë rast media italiane ka bërë një kthim pas në të kaluarën e njëzetë e gjashtë vjeçarit i cili me këmbëngulje të madhe erdhi nga zemra e Shqipërisë së Mesme, Elbasani, për të studiuar në Itali. "Pirgu ka një histori pas shpine që duket sikur ka dalë nga një film, jo i Allenit, por i Frank Capras." Për të përditshmen më të madhe italiane me rastin e zgjedhjes së tij për premierën aleniane ai ka rrëfyer rrënjët e origjinës së tij nga një familje e mesme: "Njerëz të thjeshtë, punëtorë të mëdhenj që këndonin shumë në dasma. Për të ardhur në Itali që të studioj, prindërit e mi më dhanë kursimet e jetës së tyre: baraz me një milion lira të vjetra. E gënjeva tim at duke i thënë që kisha fituar një bursë studimi. Në të vërtetë, me të ardhur në Bolxano në shtator 2000, do të strehohesha tek Salezianët: iu laja edhe pjatat. Punoja në kuzhinë deri në orën 10, që nga mëngjesi deri tek pastrimi. Pa atë strehë nuk di si do t'ia kisha dalë mbanë. Për një shqiptar si unë precedentët e patriotëve të mij, nuk do të ishte aspak e lehtë. Po në Itali gjithmonë më kanë ndihmuar".

Për këtë hedhje jo të zakontë përtej oqeanit për të punuar me një emër mjaft të veçantë të kinemasë botërore, Saimir Pirgu ndjen një detyrim të madh ndaj Pavariotit, me emrin e të cilit mediat italiane nisën ta thërrasin shumë shpejt: Pavaroti që vjen nga Shqipëria". Ai ka treguar njohjen me tenorin e madh i ndarë nga jeta pak muaj më parë. Ishte profesori i tij Vito Brunetti i cili e zbuloi Pirgun si tenor gjatë kohës që studionte në Konservatorin e Bolxanos, do t'i thoshte që Pavarotti donte të dëgjonte zërin tij. "Mendova se ishte shaka. Luçano shkonte për t'u mjekuar në Merano: këndova "Una furtiva lagrima" dhe pas pak më thotë: "Bravo çiço, kush të ka mësuar të këndosh?". Ishte viti 2002 dhe Pirgu nuk i kishte fituar akoma konkurset "Caruso" dhe "Tito Schipa". "Pavaroti nisi të më merrte seriozisht kur në moshën 22-vjeçare do të debutoja në "Così fan tutte" me regji të Claudio Abbado në Ferrara. Kur ia thashë, komentoi: "Po hyn nga porta kryesore". Qysh atëherë mbetëm në kontakt. Me të kam studiuar "Traviata", "Elisir d'amore" dhe "Rigoletto"".

Që nga ajo kohë Saimiri vetëm është rritur, ka interpretuar në Royal Covent Garden, në Salzburg festival, ka lidhur me Teatrin Shtetëror të Vjenës një kontratë 8-vjeçare emri i tij ka hyrë në kalendarët artistikë të Bolonjës, Berlinit, Hamburgut.

Së fundi, nga 29 shkurti deri më 5 mars do të jetë Alfredo tek "Traviata" në Teatro delle Muse të Ankonës. Tek "Gianni Schicchi" i Woody Allenit që shfaqet më 6 shtator do të ndajë skenën me Laura Tatulescun (Laureta) dhe Thomas Allenin (Gianni Schicchi), ndërkohë që në podio do të ngjisë James Conlonin. Në Operën e Los Anxhelosit dy aktet e tjera të triptikut puçinian, "Il Tabarro" dhe "Suor Angelica", do t'i besohen William Friedkin.

Ndërkaq tenorin tonë nuk e shqetësojnë deklaratat e Allenit në lidhje me debutimin e tij në opera që nuk e paska idenë e asaj që po bën. "Allen – shpjegon Saimiri – ka parë punët e mia në video dhe foto të miat. Kërkonte një tenor të ri dhe të pashëm. Paraqitja e bukur nuk është e dëmshme kur ka të bëjë me personazhet e kinemasë amerikane." Njeriu që e njoftoi tenorin shqiptar për këtë kërkesë të Allenit ishte Placido Domingo për të cilin Saimiri kishte pasur një audicion për të në Operën e Vjenës".

Re.Ku  : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama