Tenori Franck Asparte Une francezi pa dublant

Tenori Franck Asparte: Unë francezi pa dublant

Dhe, jo vetëm në Shqipëri. Edhe në Kanada, ai shprehet se ka kënduar në këtë rol 12 net pa dublant. Ka mbërritur në Shqipëri me kërkesën e regjisores së operës "Karmen", Patricia Panton dhe shprehet i kënaqur nga ajo që ka gjetur. Sepse një ndër arsyet pse vendosi të vinte, përveç faktit se agjenda e tij ishte e lirë në këtë periudhë, ishte pikërisht kurioziteti. Dhe, është shpërblyer në këtë drejtim sepse ka ndërmend të bëjë dhe bashkëpunime të ardhshme me drejtorin e Teatrit të Operës dhe Baletit. Ja ç'thotë Franck Asparte për "Tirana Observer"
Ju jeni i vetmi që nuk keni pasur një dublant në rolin e Don Hozesë. Ishte zgjedhje e juaja apo kushtëzohej nga faktorë të tjerë?
Ky personazh është shumë i veçantë. Don Hoze është një humbës në fillim, pra nuk është hero. Ai kërkon një zë shumë të veçantë sepse në fillim është i ri dhe i qartë, dhe zëri rritet dhe piqet, dhe në finale kërkon një zë tjetër, më të errët. Është pak i komplikuar, ndaj është e vështirë për të gjetur tenorë që bëjnë një zë të tillë.


Ishte e vështirë për t'u gjetur këtu në Shqipëri apo ju nuk keni dublantë asnjëherë?
Kur isha në Kanada opera u vu në skenë për 12 net dhe unë kisha rolin e Don Hozesë dhe nuk kishte dublant. Kur dikush ia arrin nuk besoj se është nevoja për dublant. Kuptohet, që dublanti duhet të jetë në rast se lind një problem apo një gjë e tillë.
Kjo është hera e parë që vini në Shqipëri?
Po është hera e parë që vij në Shqipëri dhe ishte një surprizë e bukur për mua për të parë këtë shkollë kantoje shqiptare, që synon të vërë në skenë vepra operistike të një niveli mjaft të lartë. Tani me drejtorin po diskutojmë që të bëjmë bashkëpunime të tjera, jo tani për momentin, por vitin e ardhshëm shpresojmë diçka interesante, për të ndihmuar akoma më shumë operën këtu.
Si ndodhi që erdhët të këndonit në operën "Karmen" në Tiranë?


Ishte regjisorja, zonja Panton, që më kontaktoi dhe më kërkoi që të këndoja Don Hozenë. Duke qenë se agjenda ime ishte e lirë dhe nuk kisha angazhime në këtë periudhë, atëherë i thashë zonjës Panton që do pranoj me gjithë qejf.
Pasi morët kërkesën për të bërë rolin e Don Hozesë, pse vendosët realisht që ta merrni përsipër?

Sepse isha mjaft kurioz, nuk e njihja Shqipërinë, nuk i njihja njerëzit, nuk e njihja nivelin e operës shqiptare dhe më pëlqen që të shoh gjëra të reja. Dhe, kur erdha këtu pashë se niveli ishte i lartë, njerëzit janë të mirë.
Çfarë mendoni për këngëtarët e tjerë të operës "Karmen"?


Këngëtarët përgjithësisht janë të rinj dhe kjo është një ide e mirë e regjisorit për t'u dhënë këtyre të rinjve role të vogla që të mësojnë të marrin përgjegjësi dhe të stërvitin strukturën vokale. Këtu është ndryshe, pasi në Francë nuk funksionon kështu. Atje duhen të studiojnë njëherë në shkollë, pastaj të marrin pjesë në konkurse, pastaj në audicione e më pas të kontaktojnë me agjencitë, pas këtyre mund të arrijnë në opera për të marrë një rol të vogël. Gjëja më e rëndësishme për një këngëtar është të dalë në skenë dhe të dëgjohet nga publiku. Nëse një këngëtari të ri i jepet kjo mundësi, atëherë niveli i tij rritet.


Marre nga  : TiranaObserver


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama