Telefonatat me Berishen per masakren e Cerrikut

'Telefonatat me Berishen per masakren e Cerrikut'
Xhevdet Koçia, bashkëshorti i ish-kryebashkiakes së Cërrikut në vitin 1997, rrëzoi dje alibinë mbrojtëse të të pandehurit Llazar Bicja, një nga të akuzuarit për ngjarjen e njohur si “masakra e Cërrikut”. Nga tavolina e dëshmitarit në Gjykatën për Krimet e Rënda, Koçia, ish-kryetar i PD-së së Cërrikut dhe ish-drejtor i spitalit të qytetit në vitin 1997, mohoi që Llazar Bicja të kishte qenë në shtëpinë e tij në momentet kur u vranë 6 punonjës të Gardës. I pyetur nga prokurorët në seancën e djeshme të këtij gjykimi për praninë e të pandehurit Bicja në banesën e tij gjatë ngjarjes, dëshmitari u shpreh: “Llazar Bicja nuk mbaj mend të ketë qenë në banesën time ditën e ngjarjes”. Në seancat më të hershme të procesit, i pandehuri Llazar Bicja është shprehur para gjykatës se në momentet kur trupat e Gardës ranë në batërdinë e plumbave në qendër të Cërrikut, kishte qëndruar në banesën e ish-kryetares së Bashkisë, Mishelina Milo. Në dëshminë e tij, dëshmitari përmendi edhe telefonatat që bashkëshortja e tij kishte kryer me Presidentin e atëhershëm, aktualisht Kryeministrin Sali Berisha. Sipas tij, Berisha i kishte kërkuar kryebashkiakes të qetësonte popullin dhe të njoftonte se nuk do të shkonin forca të tjera në Cërrik.

DËSHMIA E KOÇISË

Më 22 maj erdhën pranë banesës sime shumë njerëz. Në shtëpi nuk u futën, por aty te shkalla e pallatit. Ata debatonin me të madhe. Thuhej se do të vinin të nesërmen forcat speciale. Aty u vendos që të nesërmen, në orën 08:00, të gjithë përfaqësuesit e forcave politike do të bënin një takim me kryetaren e Bashkisë. Më 23 maj të vitit 1997, në orën 7:30 unë dola me time shoqe nga shtëpia. Shkuam për te Bashkia, e cila ndahej vetëm nga rruga nga pallati ku ndodhej apartamenti ynë. Aty gjetëm kreun e Partisë Republikane. Po prisnim të vinin edhe të tjerët. Në atë moment vjen sekretari i Bashkisë dhe tha: “Ç’bëni, se në shesh ka shumë persona të armatosur?”. Ime shoqe kapi telefonin që të komunikonte me Elbasanin. Telefoni nuk kishte sinjal. Ne kishim central në Cërrik që mund ta shkëpuste linjën me jashtë qytetit. Menduam të shkojmë në shtëpi për të folur me Elbasanin. Nuk punonte as atje. Në këto momente dëgjuam shkrepje armësh. Të shtënat kanë zgjatur rreth 20 minuta. Pasi mbaruan të shtënat dola në ballkon dhe në fund të sheshit pashë një autoblindë. Më mori në telefon mjeku i rojës, Henrik Kaçulini. Më tha: “Situata është e keqe, ti nuk duhet të vish këtu”. Ai më tha që do të kujdesej vetë për të plagosurit dhe do të rregullonte të vdekurit. Ai tha që të lënduarit ishin gardistë. Pas ngjarjes u hap panik në qytet, që do të vinin të tjera forca. Gruaja ime, Mishelina, ka folur atë ditë dy herë me Sali Berishën. Ka folur gjatë, nga 15-20 minuta. Ai i ka thënë të dilte dhe t’i thoshte popullit që nuk do të vijë njeri. Bashkëshortja e ka thënë këtë duke përdorur qendrën e zërit të Shtëpisë së Kulturës, që kishte altoparlantë jashtë. I njoh të gjithë të pandehurit. Nuk mbaj mend të kem takuar njeri prej tyre më 23 maj, gjatë të shtënave nuk kujtoj të ketë qenë njeri. Gjatë të shtënave ne kemi qëndruar në aneksin e shtëpisë. Llazar Bicja nuk mbaj mend të ketë qenë në banesën time ditën e ngjarjes. Pas mbarimit të zjarrit ka ardhur. Erdhën edhe të tjerë atëherë.

Dhjetë të akuzuar si autorë të 6 vrasjeve

Dhjetë persona akuzohen se janë autorë të masakrës së Cërrikut, ngjarje ku gjetën vdekjen gjashtë gardistë dhe u plagosën 15 oficerë të policisë. Ngjarja ndodhi në mars 1997, por u zbardh vetëm dhjetë vjet më pas, kur në vitin 2007, gjatë aksionit të koduar me emrin “Autoblinda”, policia vendosi në pranga Roland Xhepaxhiun, i cili akuzohet se në bashkëpunim me të pandehurit Llazar Bicja, Meti Bozi, Arjan Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi, kanë kryer masakrën e datës 23 maj 1997 në Cërrik. Në hyrje të qytetit, të akuzuarit qëlluan me antitank mbi karvanin e policisë që mbërriti në Cërrik për ringritjen e postës së policisë, e cila ishte shkatërruar një ditë më parë. Si pasojë e të shtënave u vranë gardistët: Besnik Sula, Halit Haxhia, Bashkim Mnella, Sali Martini, Qemal Mehmeti dhe Petrit Ndoi, si dhe u plagosën 15 oficerë policie.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama