Teknologji dhe batuta ja sekretet e Vincenco Monteles

Teknologji dhe batuta, ja sekretet e Vinçenco Montelës

Siç është tradita, edhe trajneri i ri i Milanit, Vinçenco Montela, prej një jave është akomoduar te dhoma numër 5 në "Milanello", e cila është gjithmonë e rezervuar për trajnerin e "Djallit".

montela milan

Mirëpo, në ndryshim nga paraardhësit e tij, ish-teknikut të Fiorentinës dhe Sampdorias i është dhënë edhe një tjetër sallë brenda qendrës sportive. Montela dhe stafi i tij kanë mundësi të shfrytëzojnë një hapësirë ekskluzive për mbledhjet me grupin e punës. Organika është e gjerë: përveç profesionistëve që merren me përgatitjen teknike dhe mbështesin trajnerin gjatë seancave stërvitore, në stafin e ri bëjnë pjesë edhe dy video-analistë, të cilët studiojnë lëvizjen e lojtarëve gjatë seancës stërvitore, rendimentin e futbollistëve në ndeshje dhe analizojnë kundërshtarin me të cilin do të përballen nëpërmjet imazheve teknologjike të filmuara nga kamerat.

Montela, që për të parën herë ka debutuar si trajner në moshën 36- vjeçare, ka qenë nga strategët e parë që ka aplikuar sistemin teknologjik të analizës dhe monitorimit: që të dhënat të merren nga GPS satelitor ku shërbejnë për të matur intensitetin dhe cilësinë e punës. Një tjetër mënyrë origjinale e Montelës është stërvitja e së hënës, edhe kur ekipi është i lodhur nga ndeshja e së dielës, gjithmonë trajneri u jep pushim lojtarëve të martën. Ndërsa të mërkurën ekipi stërvitet me dy seanca në ditë.

montela milan

Qetësi dhe batuta

Një tjetër veçori e Montelës është fakti që ai nuk e zbulon kurrë formacionin. Pasi u shpjegon zgjedhjet lojtarëve, preferon të qëndrojë në heshtje. Kush qëndron në stol, të mos presë justifikime nga trajneri, të gjithë duhet t'i pranojnë zgjedhjet e "aeroplanit". "Flas pak? Jo, di atë që them dhe nuk i bie shumë gjatë", preu shkurt Montela në ditën e prezantimit te Milani. Ai konfrontohet shpeshherë me stafin, i cili më pas i shpjegon me detaje zgjedhjet e trajnerit. Ka edhe një lajm të mirë për lojtarët: zakonisht pas pushimit të kampionatit në dimër, Montela u jep dy ditë pushim më shumë futbollistëve, që të pushojnë afër familjarëve.

montela milan

"Është simpatik dhe e ka gjithmonë batutën gati. I pranon shakatë dhe asnjëherë nuk tërhiqet pas". Kjo është mënyra që Montela përshkruhet nga lojtarët që kanë bashkëpunuar me të. Trajneri i ri i Milanit nuk është i rreptë dhe asnjëherë nuk ka marrë masa për të dënuar lojtarët e tij, mirëpo kërkon nga të gjithë t'i respektojnë rregullat. Sakaq, tekniku i ri i "Djallit" është edhe shumë i "fiksuar" pas ushqimit. Gjithmonë në tryezën e tij është e pranishme: tërshëra, misri dhe pastat. Stërvitja deri më tani ka qenë shumë e lodhshme, mirëpo gjithmonë përgatitja ka qenë e fokusuar te topi.

Teknika sipas Montela është baza për të ndërtuar lojën e Milanit, ndërsa një hapësirë të madhe kanë edhe goditjet standarde, të cilave trajneri u jep një rëndësi të madhe, pasi në përfundim të çdo seance stërvitore të gjithë lojtarët angazhohen në goditje drejt portës.

Përgatiti: LEAR MAÇI



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama