Dashuri e hidhur vjen ne TK

'Dashuri e hidhur'  vjen ne TK
Premiera e pjesës teatrale “Dashuri e hidhur” e konceptuar mbi bazën e motiveve të tragjedise së njohur të Shekspirit “Romeo dhe Zhuljeta” shfaqet në datën 29 prill, ora 20:00, ne Teatrin Kombetar ne Tirane.

Ky spektakël teatror i frymëzuar nga historia e e dashurisë së tragjedisë shekspirine do të vazhdojë të jepet deri në datën 5 maj. Regjisori italian Carlo Bruni, që ka vënë në skenë këtë vepër, ia ka besuar dy rolet kryesore dy emrave të rinj të talentuar, Erjeta Cufaj, që sapo ka mbaruar Akademinë e Arteve, për rolin e Zhuljetës dhe studentin Andi Begolli për rolin e Romeos. Emra të njohur të teatrit shqiptar, që luajnë krahas dy të rinjve, janë Yllka Mujo në rolin e Vajas, Monika Lubonja në rolin e nënës, Olta Daku në rolin e shërbëtores, Elia Zaharia në rolin e Rozalinës, Dritan Boriçi në rolin e priftit etj.

“Romeo e Zhuljeta” e Carlo Brunit është një inskenim i tragjedisë në lëvizje dhe fjalë. Vepra është produkt i një perceptimi modern të kësaj tragjedie, gjë që duket edhe në elementë të tillë si kostumografia. Ky realizim skenik i shton dhe i heq pjesë origjinalit: duke tentuar respektimin e vlerave intime, si frut i një peme bujare dhe të fortë, që tregon thjesht atë që janë njerëzit dhe flet për dashurinë në konflikt që, shpeshherë mbetet e hidhur. Është e vështirë të thuhet me saktësi se kur dhe si historia e Romeo e Zhuljetës është skalitur në memorien e njerëzimit.

Sipas regjisorit Bruni mbërrin një pikë kur të ngjan sikur kjo histori na ka lexuar para se ta lexojmë ne atë. Kjo histori është zgjedhur pikërisht për këtë: si një urë takimi. Vizione, eksperienca, gjuhë të ndryshme kishin nevojë për një histori të përbashkët ndaj regjisorit iu duk historia e “dashurisë së hidhur” e përshtatshme për kohën që jetohet sot, për vetminë që tregon, për dashurinë që thërret dhe për thirrjen që i lëshon atyre baballarëve që janë aq pak të vëmendshëm ndaj lumturisë së fëmijëve të tyre. “Dashuri e hidhur” jepet në kuadrin e aktiviteteve të organizuar nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë me rastin e 150 Vjetorit të Bashkimit të Italisë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama