Te pathenat e Lidhjes se Prizrenit

Të pathënat e Lidhjes së Prizrenit
Në veprimtaritë shkencore ndërkombëtare të organizuara me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Tiranë dhe në Prishtinë u afirmua se Lidhja ishte krijesë e shqiptarëve. Porse mund të thuhet se gjithë kjo, mbeti një pohim i paqëndrueshëm dhe i vënë, jo rrallë herë, edhe në pikëpyetje.

...Ai vijonte të kontrastonte haptazi me analizën dhe karakterizimet negative që qenë dhënë deri më atëherë dhe vijuan të jepeshin deri vonë e, madje, dhe në ditët tona, rreth Kuvendit të Prizrenit, injorimit të dokumenteve të tij programore dhe sidomos rreth gjykimit të gabuar të përmbajtjes së Kararnamesë të 17 qershorit 1878. Vijon të pohohet se, në mbledhjet e para të Kuvendit të Prizrenit, të përbërë, fillimisht, vetëm prej delegatëve të vilajetit të Kosovës, mbizotëruan apo ndikuan delegatët sulltanistë. Përmes gjykimesh kontradiktore, vijohet të ngulet këmbë që në këto dokumente u ndie e fortë dora e autoriteteve qeveritare osmane. Nga ana tjetër, pranohet ende, se akti i parë, i njohur si i tillë dhe i miratuar në Prizren më 17 qershor, Kararnameja apo “Akti i Vendimeve” pretendohet se përshkohet, nga fryma islamike, nga besnikëria për sulltanin, nga gatishmëria për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Perandorisë Osmane. (!?)
 
Analizat

Analizat e përimtësuara, të karakterit filozofiko-sociologjik, rreth raportit të forcave politike në Kuvendin e Prizrenit në rrafsh politiko-shoqëror dhe, sidomos, në rrafsh krahinor si dhe analiza e motiveve të luftës ideologjike të zhvilluar në gjirin e Kuvendit, nuk qenë në gjendje të mbushnin, për më tepër e thelluan hendekun midis vlerësimit të përgjithshëm të Lidhjes së Prizrenit si krijesë kombëtare dhe vlerësimit tërësisht negativ të karakterit, kinse, proturk, prosulltanor e madje dhe islamik apo dhe panislamik të Kararnamesë. Kjo kundërshti e hapur midis karakterizimit tërësor të Lidhjes dhe trajtimit të hapave të parë të saj, vlen të theksohet, vijon ta shoqërojë atë, në një shkallë apo në një tjetër, dhe sot e kësaj dite.

Duke iu përmbajtur vlerësimeve të dikurshme tërësisht negative të Kararnamesë,  injorohen jo vetëm aktet e 15 qershorit por dhe Talimati i vlerësuar pozitivisht. Si një akt i zhveshur nga ndikimet turkomane dhe islamike konsiderohet një Kanun i Ri i 2 korrikut 1878! Pikëpamje të tilla, të cilat patëm filluar të besonim se nuk do t’ia vlente të merreshin në konsideratë, nuk janë kapërcyer ende, madje po propagandohen me mjaft force nga rrethe të caktuara. Pas pranimit të pikëpamjes se Kararnameja kishte frymë islamike apo prosulltan, nuk është e lehtë t’i shmangesh, pavarësisht nga pohimet që bëhen, përfundimit që Lidhja e Prizrenit qenka ngritur mbi themele të huaja, islamike dhe turkomane, në përputhje me interesat perandorake osmane. 

Duke ia kundërvënë programin e 15 qershorit, Kararnamenë dhe Talimatin e 17 qershorit si dhe rezolutën e 2 korrikut njeri tjetrit arrihet, dashur pa dashur, në përfundimin absurd që një ngrehinë kaq madhore me karakter kombëtar si Lidhja e Prizrenit, qenka ngritur mbi themele krejtësisht të huaja për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Fjala është për një organizatë politike, luftarake , madje, dhe shtetërore mbarëshqiptare, e cila mundi t’u bënte ballë për tre vjet rresht synimeve shoviniste të monarkive fqinje, vendimeve antishqiptare të Fuqive të Mëdha të kohës dhe qëndrimit që në fillim e deri në fund armiqësor të pallatit të sulltanit dhe të Portës së Lartë, pavarësisht nga manovrimet taktike të tyre. Gjithë ky realitet madhor historik u bë i mundur vetëm për faktin se Lidhja u ngrit që në hapat e para të saj mbi themele të shëndosha kombëtare, që me datën 15 qershor 1878. Këtë të vërtetë e provon jo vetëm Protesta e Lidhjes kundër vendimeve për copëtimin e trojeve shqiptare por, në mënyrë të veçantë, Programi autonomist i Lidhjes së Prizrenit i miratuar në të njëjtën ditë, më 15 qershor 1878.

Këto dy dokumente programatike të Lidhjes së Prizrenit kanë mundur të rreshtohen, së fundi, në tabelën kronologjike që shoqëron botimin “Historia e popullit shqiptar”, vëllimi II,  si dy peticione që ka miratuar Kuvendi i Prizrenit për çështjen shqiptare pa vënë në pah përmasat kombëtare mbarëshqiptare të tyre veçanërisht Programin autonomist të Lidhjes drejtuar Portës së Lartë. Një paraqitje e tillë minimizuese e programit bazë jo vetëm të Lidhjes së Prizrenit por për të mbarë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare është e papranueshme. Kërkesën për autonomi arriti t’ia parashtrojë Portës së Lartë dhe Fuqive të mëdha pas 30 e sa vjetësh Kryengritja e Malësorëve të Mbishkodrës përmes Memorandumit të Gerçës të formuluar nga Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Mark Kakarriqi e të tjerë.

Me parashtrimin e kërkesës programore për pavarësi, dhe të kërkesës alternative për autonomi të shkodranëve më 13 qershor 1878 nuk delte detyra për avancim të saj, por për vënien e saj në themelet lëvizjes së fuqishme popullore që po ngrihej në pranverë të vitit 1878. 
 
Shpëtimi i vendit

Detyrën e shpëtimit të viseve shqiptare të rrezikuara nga Traktati i Shën Stefanit të parashtruar në protestën e 15 qershorit 1878, përfaqësuesit e vilajetit të Kosovës dhe të sanxhakut të Dibrës në Kuvendin e Prizrenit e panë të pandarë nga synimi politik për sigurimin e të drejtave kombëtare në kuadër të vilajeteve shqiptare të bashkuara me një autonomi sa më të gjerë. Konkretisht dhe shprehimisht ata në Programin Autonomist të 15 qershorit 1878 kërkuan: Krijimin e një administrate autonome nën emrin “vilajetet e bashkuara” (Tevhid-i vilayat) me qendër Manastirin dhe caktimin, përkohësisht, të Gazi Ahmet Muhtar pashës, heroit të Luftës ruso-turke,  kryetar të Vilajeteve të Bashkuara ; Angazhimin për krijimin e Këshillave të Lidhjes me detyrë përhapjen e qëllimeve për pavarësi, gjegjësisht, autonomi, në qendrat e mëdha si Manastiri, Shkupi, Prishtina; Mbledhjen e taksës së asharit dhe të vergjisë, për bagëtinë dhe për pronat, në emër të Vilajeteve të Bashkuara, duke organizuar për këtë qëllim dhe xhandarmërinë. Së fundi shtrohej si detyrë krijimi i milicisë ushtarake për mbrojtjen e territorit që do të përfshihej në « Vilajetet e Bashkuara ».

Vlen të theksohet se nuk ishte hera e parë që nga qyteti i Prizrenit i parashtrohej Stambollit kërkesa për autonomi. Në emër të të gjithë shqiptarëve, të cilët ishin gati të bënin “çfarëdo flijimi”, mjafton që të përmirësonin “gjendjen e trishtuar të vendit të tyre”, qysh në muajin maj popullsia e tij i kishte drejtuar sulltanit  kërkesën për të respektuar tërësinë e trojeve shqiptare dhe për t’i bashkuar ato në një province të vetme nën drejtimin e një guvernatori të përgjithshëm të caktuar nga Porta e Lartë. Në këtë provincë të bashkuar kërkohej të zbatoheshin reforma serioze dhe të përshtatshme me nevojat e qytetërimit dhe me traditat kombëtare. Kjo konsiderohej rruga e vetme për përparimin, zhvillimin dhe lulëzimin e Shqipërisë.  Në këtë dokument që njohim deri më tani theksohej, çka të tërheq vëmendjen, se popullsia e Prizrenit i ishte drejtuar në këtë frymë dhe herë të tjera sulltanit, pa marrë asnjë përgjigje. 

Pra, kërkesa e prizrenasve dhe e përfaqësuesve të vilajetit të Kosovës dhe të viseve fqinje për autonomi vinte në Kuvendin themelues të Lidhjes e pjekur dhe e përcaktuar qartë që më parë e miratuar në shkallë të gjerë, siç dokumentohet deri më atëherë, të paktën, në terrenin kosovar. Më pas do të ndeshim në afirmime dhe plotësime të mëtejshme të saj në vise të tjera, në të katër anët e vendit.

Kërkesat e formuluara në Prizren më 15 qershor 1878 shtriheshin plotësisht në fushëveprimin kombëtar. Prandaj ata u pasuan  menjëherë nga kërkesa të tjera për reforma të mëtejshme. Programi autonomist i Kuvendit të Prizrenit i 15 qershorit  për sigurimin e autonomisë së Shqipërisë u shpall i plotësuar në rrafsh kulturor, administrativ e juridik nga gazeta “Terxhumani shark” e drejtuar nga Sami Frashëri, pas tre muajsh, më 15 shtator, duke e shpallur program të Lidhjes Shqiptare.  Ky ishte programi i atdhetarëve që punonin në Stamboll. Në të kërkohej që nëpunësit të njihnin gjuhën e vendit, këshillat e shkallëve të ndryshme deri te këshilli i madh i vilajetit të zgjidheshin pa marrë parasysh dallimet fetare dhe të shtresave, si dhe ngritjen e organeve të drejtësisë. Këshilli i madh do të studionte reformat e nevojshme. Një vend i veçantë i kushtohej problemit të përdorimit të gjuhës shqipe në organet gjyqësore, mësimin e saj në shkollë, për çka do të caktohej dhe një pjesë e të ardhurave të vilajetit.

Këto kërkesa do të jepen të plotësuara më 20 qershor 1878 në Memorandumin e personaliteteve shqiptare të Stambollit nga vise të ndryshme shqiptare me kërkesën për ruajtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë ky formulim i përgjithshëm avancohej me kërkesën për zbatimin e reformave: “Por në qoftë se si pasojë e traktatit të Shën Stefanit mënyra e administrimit të brendshëm do të pësonte ndryshime, në këtë rast populli shqiptar kërkon  që, pa u cenuar aspak të drejtat e paprekshme  të sovranitetit të madhërisë së tij sulltanit, të formohet [për këtë qëllim] një komision ad hoc i përbërë nga shqiptarë  dhe, nën mbikqyrjen e lartë dhe me pëlqimin e Portës së Lartë, të ketë mundësinë  të studiojë formën dhe të hartojë rregulloret e institucioneve të reja lokale, duke ua përshtatur  karakterit, zakoneve dhe nevojave të vendit.”

Në Memorandumin e Stambollit kërkohej që të gjitha viset e Shqipërisë të përmblidhen në një vilajet dhe të caktohet si qendër  një qytet që të kishte lidhje me çdo anë të saj; nëpunësit të dinin gjuhën e vendit; të përhapet arsimi dhe në shkolla të mësohet edhe gjuha shqipe; të zbatohen vendimet  që do të merren për reformat  e dobishme për shtetin dhe kombin  nga ana e kuvendit të përgjithshëm i cili do te mblidhet katër muaj çdo vit në qendrën e vilajetit; të ndahet një sasi e mjaftueshme nga të ardhurat e vilajetit për arsimin dhe ndërtime publike.

Programi

Programin autonomist të Lidhjes të 15 qershorit e pasuan dhe plot parashtresa të tjera për autonominë e Shqipërisë. Kronologjia, gjeografia dhe formulimet e tyre paraqesin interes për të gjykuar lidhur me ecurinë e përpjekjeve të organeve të Lidhjes në shkallë kombëtare dhe lokale në drejtim të sendërtimit të shtetit autonom shqiptar. Në përputhje me zhvillimet ndërkombëtare dhe të vetë lëvizjes popullore në momente të caktuara dhe në vise të veçanta programi i 15 qershorit i Kuvendit të Prizrenit pëson riformulime. Ato paraqesin një detajim të tij, me plotësime dhe avancime të formuluesve të dokumenteve që iu parashtruan Fuqive të Mëdha dhe Portës së Lartë. Pavarësisht nga nuancat e formulimeve të tyre të gjithë këto dokumente parashtroheshin në mbështetje të Programit të Kuvendit të Lidhjes të miratuar qysh më 15 qershor.

Në protestën e popullsisë së  të gjitha krahinave të Shqipërisë së Mesme e Veriore përfshijë dhe Tivarin, Trepshin, Kuçin e Tuxhmilen e tjerë të datës 16 qershor drejtuar nga Shkodra Kongresit të Berlinit kundër planeve për copëtimin e Shqipërisë kërkohej dhe respektimi i të drejtave kombëtare të shqiptarëve.

Kërkesa të përafërta me ato që përmbante programi i 15 qershorit u përsëritën dhe nga Dega e Lidhjes për Dibrën më 14 tetor 1878  dhe nga Lidhja Shqiptare për Toskërinë po në atë muaj.  Në to kërkohej që të gjitha viset e Shqipërisë të përmblidhen në një vilajet  dhe të caktohet si qendër  një qytet që të kishte lidhje me çdo anë të saj; nëpunësit të dinin gjuhën e vendit; të përhapet arsimi dhe në shkolla të mësohet edhe gjuha shqipe; të zbatohen vendimet  që do të merren për reformat  e dobishme për shtetin dhe kombin  nga ana e kuvendit të përgjithshëm, i cili do te mblidhej katër muaj çdo vit në qendrën e vilajetit; të ndahej një sasi e mjaftueshme nga të ardhurat e vilajetit për arsimin dhe ndërtimet publike.

Më 1 nëntor në Dibër Lidhja e Gegërisë i diskutoi këto kërkesa me përfaqësuesin e Lidhjes së Toskërisë, Abdyl Frashërin, dhe u vendos që ato t’i paraqiteshin Portës së Lartë. U shtrua detyra që pesë pikat e parashtruara në programin e miratuar më 14 tetor të mbështeteshin nga mbarë Shqipëria.
Lidhja e Jugut, sipas dokumenteve që posedohen, më 22 mars 1879, e ndodhur nën trysninë e rrezikut shovinist grek mbi viset jugore në memorandumin e drejtuar Fuqive të Mëdha mjaftohet përsëri me kërkesën e formuluar në mënyrë të përgjithshme, për respektimin e të drejtave kombëtare të popullit shqiptar. Në këtë frymë, më 9 korrik të atij viti nga Stambolli, duke protestuar kundër pretendimeve greke ndaj Shqipërisë së Jugut, autorët e memorandumit në fjalë, kujtojnë se sa telegrame, parashtresa, memorandume  u janë dërguar nga anë të ndryshme  të Shqipërisë Fuqive të Mëdha. Synimi i autorëve të dokumentit në fjalë ishte, siç shprehen ata, “të njihen të drejtat tona kundër lakmisë së fqinjëve, dhe për të bërë që të respektojnë tërësinë e atdheut tone dhe të shqyrtojnë nevojat tona, që kështu të na jepet një ligj organik i përshtatshëm  për karakterin e popullit tone”.

Programi i 15 qershorit 1878 siç shihet u mbështet nga të gjitha anët e Shqipërisë.

Kërkesat e parashtruara më 15 qershor 1878 nuk kishin, siç pretendon kohëve të fundit, autori anglez Gaërich, karakter krahinor. Në të nuk bëhej fjalë shprehimisht për autonomi, porse bashkimi i trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm, nuk ishte asgja mangut veçse kërkesë për autonominë administrative të Shqipërisë. Pra, kemi të bëjmë me një kërkesë realiste të rrafshit kombëtar, e cila nuk u përfill nga Porta e Lartë deri në vitin 1912 dhe nuk u mbështet deri më atëherë nga asnjera prej fuqive europiane. Në kuadër të saj shqiptarët për tridhjetë e sa vjet folën, shkruan për reforma, për shkolla dhe përcaktimin e “kufijve të vatanit shqiptar”. Pesë pikat e programit të Lidhjes të 15 qershorit nuk pasqyronin pikëpamje “të një rangu më të ulët, të inkuadruara brenda një rrjeti të komunikimit islamiko-osman, pa shprehur asnjë aspiratë kombëtare”. Në Programin autonomist të Lidhjes nuk gjenin shprehje dëshira të tejkaluara për t’u kthyer, siç pretendohet, në gjendjen e mëparshme, përpara shpërthimit të luftës ruso-turke të vitit 1877. Aktet programatike të Kuvendit të Prizrenit u ngritën mbi ndarjet fetare dhe krahinore të trashëguara. Në të nuk u shtruan as për diskutim kërkesa separatiste si ajo që pashaj osman Preng Bib Doda dhe bajraktarët katolikë të Mirditës i parashtruan Kongresit të Berlinit për ruajtjen privilegjeve të krahinës së Mirditës mbi baza fetare dhe ngushtësisht krahinore. Këtë dokument Sulejman Kylçe e konsideron, jo pa të drejtë « Kushtetuta  e Lidhjes » Dhe ajo, në të vërtetë, qe kushtetuta e Vilajeteve të Bashkuara dhe projekt-skica e kushtetutës  së Shqipërisë autonome.

Janë pikërisht përfaqësuesit e popullsisë shqiptare të Vilajetit të Kosovës dhe të Sanxhakut të Dibrës, nismëtarë të lëvizjes për vënien në jetë të idesë për themelimin dhe orientimin e drejtë të Lidhjes së Prizrenit, qysh në hapat e para të saj. Qenë pikërisht këta, të cilët, duke folur në emër të mbarë popullit shqiptar, i dhanë Lidhjes, qysh në fillimet e saj, çka vlen të ritheksohet, platformën mbarëshqiptare, programin atdhetar dhe taktikën revolucionare të luftës për ruajtjen e tërësisë së trojeve amtare dhe, njëkohësisht, dhe të luftës për sigurimin e të drejtave kombëtare në shkallën e një autonomie politiko-administrative në kuadër të Perandorisë Osmane. Këtë detyrë ata e kryen, me që koha nuk premtonte, pa pritur ardhjen e përfaqësuesve të viseve të tjera. Prandaj dhe delegatëve të vilajeteve të Shkodrës dhe të Janinës nuk u mbetej tjetër veçse të bashkoheshin me një herë me besim të plotë rreth Programit të 15 qershorit 1878 të miratuar njëzëri nga Kuvendi i Prizrenit i cili më 17 qershor u dha fund punimeve pas miratimit të Kararnamesë(Aktit të vendimeve) dhe zgjedhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me kryetar Iljaz pashë Çokun-Dibrën.

* PROGRAMI AUTONOMIST I LIDHJES SË PRIZRENIT

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama