Mes të tjerëve në grup bëjnë pjesë edhe Ivo Daalder i "Brookings institution" dhe Anne Marie Slaughter, që drejton shkollën e marrëdhënieve ndërkombëtare, "Woodrow Wilson" në Universitetin e Princetonit. Studimi i tyre mbi sigurinë kombëtare amerikane në shekullin e 21, i sapopublikuar, trajton me hollësi temën e fortë të politikës së jashtme të Obamës. Në fakt, epërsia ushtarake dhe diplomatike amerikane e vetme nuk mund të përballojë emergjencat në një botë gjithmonë e më të ndërlidhur.
Por, ajo që vendos për gjithçka është Susan Rice, një nga këshilltaret e Obamës në politikën e jashtme. Ish-zëvendëssekretare Shteti në administratën e dytë të Clinton-it, për Rice-n në Uashington flitet se do të jetë këshilltarja e ardhshme për sigurinë kombëtare në administratën demokratike. Por se sa rëndësi kanë opinionet e të tjerëve, nëse Obama do të zgjidhet President, është një nga misteret e shumta që rrethojnë senatorin demokrat në prag të zgjedhjeve.
Ndryshe nga George Bush, që nuk u zë besë ekspertëve të politikës së jashtme dhe i bazon vendimet e tij vetëm në mendimet e njerëzve shumë të besuar si zëvendëspresidenti Woodrow Wilson (në administratën e parë) dhe Condoleezza Rice (në të dytën), Obama është mësuar të jetë gjithmonë i rrethuar nga një "ushtri" këshilltarësh. Rreth 500 konsulentë janë pjesë e rrjetit të ekspertëve që kujdesen për politikën e jashtme. Opinionet e tyre të mbledhura gjatë videokonferencave, apo përmes e-mail-eve infiltrohen nga një rreth i ngushtë njerëzish, ku përveç Rice bëjnë pjesë edhe ish- sekretari i Shtetit, Anthony Lake, avokati Gregory Craig që mbrojti Clinton gjatë procesit të skandalit seksual dhe ish-krahu i djathtë i Obamës në Senat, Mark Lippert.
Në këtë klub ekskluziv bën pjesë edhe Richard Danzig, ish-sekretar i marinës gjatë administratës Clinton, që rreth metodave të punës së Obamës thotë: "Pasi kam bashkëpunuar me dy presidentë dhe shumë kandidatë në Shtëpinë e Bardhë, mund të them se nuk kam parë kurrë asnjë njeri kaq të ekuilibruar dhe të aftë të marrë opinionet e të tjerëve, pa ndërhyrë në argumentime me egon e tij".
Në zyrën e tij në Senat, kandidati ka një galeri fotosh të heronjve të tij, mes të cilëve Abraham Lincoln dhe Gandhi, Martin Luther King Jr dhe John Fitzgerald Kennedy, përkrah një pikture të madhe vaji të Marshall Thurgood, gjykatësi i parë afro-amerikan në Gjykatën e Lartë. Mes pikave të tij të referimeve ideologjike, Obama citon edhe një aktivist si Saul Alinsky, i konsideruar si babai i organizimeve sociale amerikane. Filozofi i preferuar i Obamës është Reinhold Niebuhr, teologu amerikan më i famshëm në vitet ‘30-‘60, pastaj i harruar nga të gjithë, përveçse nga kandidati me ngjyrë, që këmbëngul se ka mësuar nga ai se ekzistojnë kufijtë për çdo gjë dhe mbi të gjitha në politikë. Niebuhr, shumë i dashur nga të majtët, ishte edhe mes ideologëve të luftës së ftohtë.
Ishte pikërisht ai që futi konceptin e "luftës së drejtë" dhe moralit të armëve bërthamore. Cass Sunstein, që ka mësuar me Obamën në Universitetin e Çikagos e tani është mes këshilltarëve të tij, e përcakton kandidatin demokrat një njeri me vizion. Ai është vizionar, sepse beson te ndryshimi, por e di që për ta arritur nuk ka rrugë tjetër veç kompromisit".
Mes grupit të madh të meshkujve që ndjekin Obamën bëjnë pjesë edhe intelektualë si Andrew Sullivan dhe Christopher Hitchens, por edhe njerëz si Ken Adelean, ndër mbështetësit më të zjarrtë të luftës në Irak. Kur edhe Colin Powell deklaroi mbështetjen e tij për kandidatin demokrat, shumë e lidhën me faktin se edhe ai mund të ishte një ndër këshilltarët e administratës së tij. Me të njëjtin kujdes, Obama, në rast fitoreje mendon t‘u besojë republikanëve disa vende të rëndësishëm në administratë.
Sipas zërave që qarkullojnë, njëri nga ata është Robert Gates. Me Amerikën e përfshirë në dy luftëra njëkohësisht është më se e drejtë t‘ia lësh Mbrojtjen, njeriut që më shumë se të gjithë ka mbështetur vendimin për tërheqjen nga Iraku. Nëse Gates nuk do të pranonte, në të njëjtin vend mund të vendosej Chuck Hagel, senatori republikan i Nebraskës, një njeri shumë i vlerësuar nga Obama. Akoma më radikale duket zgjedhja e Richard Lugar, një tjetër senator republikan në krye të Departamentit të Shtetit, nëse hidhen poshtë hipotezat e Kerry-t apo Holbrooke.
Menjëherë pas zgjedhjeve, Obamës i duhet të tregojë emrin e njeriut që do të mbajë postin e sekretarit të Thesarit, ndoshta një nga zgjedhjet më të vështira në këtë kohë krize financiare. Që kur kriza ka hyrë në fazën më dramatike, Obama është mbështetur te këshillat e "yjeve" që kishin udhëhequr ekonominë amerikane në administratën e Clinton-it mes të cilëve: Robert Rubin, tani kreu i "Citibank" dhe Larry Summers, që pas detyrës si ministër i Thesarit ka qenë rektor i Universitetit të Harvardit.
Ky i fundit mund të kthehet sërish në krye të kësaj ministrie, por gjithmonë e më shpesh po përmendet edhe emri i ish-presidentit të Federal Reserve, Paul Volcker. Një tjetër emër që qarkullon është edhe ai i Warren Buffet, gjithmonë në lidhje të ngushtë me të gjatë mbledhjeve strategjike të "skuadrës" ekonomike të Obamës. Ka edhe nga ata që mendojnë se për të nënvizuar ndryshimin në krahasim me administratat e kaluara demokratike, Obama mund të emërojë Timothy Geithener, presidentin e ri të Federal Reserve të Nju Jorkut, një njeri shumë i vlerësuar nga Obama.
Ndërsa një tjetër post për të cilin Obama flet prej kohësh, ai i teknologjive të reja, mund ta zërë Eric Schmidt, administrator i deleguar i "Google", që gjatë gjithë fushatës elektorale ka qenë në krah të senatorit të Illinoisit. Një tjetër post i rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë do të ishte edhe ai i kreut të stafit. Mes kandidatëve të akredituar nga Obama është edhe Tom Daschle, senatori i vjetër dhe mes të parëve që besoi tek aftësitë e Barak, apo John Podesta, që e ka mbajtur këtë detyrë në administratën e Klintonit.
Megjithatë, ata që e njohin senatorin e Illinoisit shpjegojnë se për këtë pozicion po merret në konsideratë edhe Valerie Jarrett, mike e familjes që ishte mes bashkëpunëtorëve më të ngushtë të kryetarit të Bashkisë së Çikagos, Richard Daley, dhe mikeshë e Michelle Obama. Në këtë rast, në Shtëpinë e Bardhë roli që mbajti Karl Ruve në administratën e Bushit mund ta marrë David Axelrod, strategu i fushatës për senatorin demokrat. Është ndërtuar kështu në Uashington "Chicago machine", që do të qeverisë në vitet e ardhshme politikën amerikane.
Këshilltarët
Ndryshe nga George Bush, që nuk u zë besë ekspertëve të politikës së jashtme dhe i bazon vendimet e tij vetëm në mendimet e njerëzve shumë të besuar, Obama është mësuar të jetë gjithmonë i rrethuar nga një "ushtri" këshilltarësh. Rreth 500 konsulentë janë pjesë e rrjetit të ekspertëve që kujdesen për politikën e jashtme
Heronjtë
Në zyrën e tij në Senat, kandidati ka një galeri fotosh të heronjve të tij, mes të cilëve Abraham Lincoln dhe Gandhi, Martin Luther King Jr dhe John Fitzgerald Kennedy, përkrah një pikture të madhe vaji të Marshall Thurgood, gjykatësi i parë afro-amerikan në Gjykatën e Lartë
Gazeta: Shqip











