Te gjitha kurat popullore qe qetesojne kollen

Te gjitha kurat popullore qe qetesojne kollen
Kolla mund të jetë akute dhe kronike. Kolla akute zgjat deri në tri javë, ndërsa ajo kronike shkon deri në 8 javë. Kolla shkaktohet nga sëmundje të ndryshme, si ftohja në mushkëri, bronkiti kronik, astma bronkiale ose sëmundjet alergjike. Ndërrimi i klimës dhe luhatjet e temperaturave janë dy ndër faktorët kryesorë që shkaktojnë virozat e stinës. Aktualisht, me uljen e temperaturave dhe ardhjes së dimrit, kolla dhe sëmundjet e fytit janë virozat më të pranishme te të gjithë njerëzit. Për të eliminuar këto probleme në shëndetin tuaj mund të përdorni çajrat që rekomandojnë mjekët popullorë për qetësimin e kollës dhe acarimin e fytit. Për këtë mjekët kanë rekomanduar disa bimë, që shërbejnë për përgatitjen e çajrave, të cilat ju mund t’i përgatisni edhe vetë.

Lëngjet, për të parandaluar kollën

Lëngjet e frutave dhe çajrat e shumëllojshëm me prejardhje bimore japin efekte lehtësuese në rrugët e frymëmarrjes dhe në fyt, duke bërë që kolla të zbutet. Mjekët rekomandojnë pirjen në sasi të mëdha të këtyre lëngjeve, 2 deri në 3 litra në ditë. Gjithashtu ata këshillojnë që të sëmurët që kanë kollë, të pinë ujë të ëmbëlsuar me mjaltë. Sipas tyre, kjo është një kurë mjaft e mirë për të larguar kollën.

Çaji i lulëkuqes

Një bimë mjaft frytdhënëse në luftën kundër kollës së shkaktuar nga mushkëritë dhe pezmatimi i bronkeve është edhe lulëkuqja. Nga kjo bimë përdoren vetëm petalet e saj. Çaji i lulëkuqes pihet i ëmbëlsuar me mjaltë, sepse ai jo vetëm i jep ëmbëlsi çajit, por ndihmon edhe në përmirësimin e fytit. Petalet e bimës, pasi janë tharë, hidhen në gjysmë gote me ujë. Lihen për 30 minuta dhe nga lëngu i përftuar pihet 1 e treta e masës. Këto çajra shërbejnë edhe në rastet, kur kolla shoqërohet me gëlbazë, pasi e bëjnë më të lehtë nxjerrjen jashtë të saj përmes kollitjes.

Lulja e blirit

Një tjetër bimë që përdoret kundër kollës është edhe lulja e blirit. Mjekët këshillojnë të pihet 3 deri në 4 gota me çaj bliri në ditë nga njerëzit që kanë kollë. Efektet do të jenë të menjëhershme.

Fieri i gurit

Një tjetër mënyrë që përdoret nga mjekësia popullore për largimin e kollës është fieri i gurit. Çaji i përftuar nga fieri pihet çdo mëngjes nga një gotë.

Çokollata

Një grup shkencëtarësh kanë vërtetuar se çokollata është një ushqim mjaft i mirë kundër disa sëmundjeve. Merita i takon teobrominës, një substancë që ndodhet në farat e kakaos, e cila ka rezultuar se është më efikase se kodeina, një nga qetësuesit më të mëdhenj të kollës kronike. Kjo substancë vepron duke bllokuar aktivitetin e “nervit endacak”, që luan një rol kyç për shkaktimin e kollës. Studiuesit e kanë eksperimentuar substancën në 10 vullnetarë të shëndetshëm, ndërsa një grup tjetër ka marrë një dozë pa këto efekte. Për të vlerësuar efektin, më pas kanë matur nivelin e kapsaikinës, që shërben për të shkaktuar kollën, te grupet e ndryshme. E për të bërë të mundur që vullnetarët që kishin marrë teobrominën, të kolliteshin, është nevojitur një sasi më e madhe kapsaikinë në krahasim me të tjerët. “Ky përbërës i çokollatës duket mjaft i mirë ndaj kollës dhe ajo që duhet nënvizuar është fakti se nuk ka efekte anësore si trajtimet e tjera tipike që janë përdorur deri më sot”, thonë studiuesit.

Çaji i gështenjës

Gështenja, një nga drurët më të njohur në Shqipëri, nuk mund të vlerësohet vetëm për frytin e mrekullueshëm e të pasur me vitamina, por pema shquhet edhe për ndihmesën, që ajo jep në mjekësinë popullore. Gjethet e gështenjës luajnë një rol të rëndësishëm në lehtësimin e shumë sëmundjeve. Gjethet e gështenjës janë të pasura me substanca vepruese saponinë, eskulinë, fraksinë, flavoneve, taninë, të cilat ndikojnë dukshëm në qarkullimin e shpejtë të gjakut. Pirja e tri gotave të çajit, të përftuar nga farat ose lulet e gështenjës, ndihmojnë në funksionimin sa më të mirë të veshkave. Në këtë mënyrë shmangen dhe sëmundjet e tjera, që mund të shfaqen nga çrregullimet që ndodhin në to. Në sajë të vetive të shumta që kanë gjethet e thara e të grimcuara, përdoret si rrudhëse, shërbejnë në rritjen e lëngut në stomak, duke bërë të mundur dhe shtimin e oreksit. Rezultate pozitive çaji jep edhe në kurimin e sëmundjeve reumatizmale. Janë pikërisht sëmundjet, që zhvillohen në mënyrë të theksuar dhe që kalojnë në fazën kronike e të zgjatur. Përdoret në lehtësimin e dhimbjeve të kyçeve dhe gjunjëve, kur vijnë si pasojë e këtyre sëmundjeve. Gjethet e gështenjës në përbërje të tyre kanë veti acaruese për indet dhe shkaktojnë skuqjen e tyre. Çaji rekomandohet edhe te të gjithë ata që vuajnë nga majasëlli.

Bima e mëllagës shëron kollën

Rrënjët dhe gjethet e mëllagës së bardhë, lulet e mëllagës, lulëkuqja, gjethet e thundërmushkës, etj; përmbajnë disa lëndë që lehtësojnë kollitjen. Zhumbrica, sherbela, rigoni, kopra dhe bliri, në sajë të esencës së tyre, ndihmojnë në mjekimin e rrugëve të acaruara të frymëmarrjes. Lulëkuqja është qetësuese e lehtë, kurse elbi fuqizues i qarkullimit të gjakut dhe i frymëmarrjes. Këto bimë, të kombinuara së bashku, mbrojnë mirë mukozën nga ngacmimi dhe infektimi dhe kanë veti dezinfektuese dhe qetësuese. Prandaj, kombinimi i bimëve të mësipërme në formë çaji ndihmon në qetësimin e kollës dhe në mjekimin e rrugëve të acaruara të frymëmarrjes.

Rrënja dhe gjethet e mëllagës së bardhë dhe lulet e mëllagës përmbajnë substanca mucilagjinoze, të cilat zbusin dhe qetësojnë kollën, ndërsa lulet e blirit, në sajë të esencës dhe të heterozideve, ndihmojnë gjithashtu në sëmundje të shkaktuara nga të ftohtit, që shoqërohen me temperaturë (rrufë, kollë, etj). Përzierja e këtyre bimëve përdoret në formën e çajit. Kjo kurë ka dhënë rezultate të mira jo vetëm në zbutjen e gëlbazës dhe të kollës, por edhe në sëmundjet e gojës dhe të fytit, duke u përdorur në formë gargare. Përgatitja dhe përdorimi Dy lugë supe (10 gramë) me këto bimë i hidhni në një enë ku shtoni 200 gramë, ose 2 tasa ujë të ftohtë. Më pas këtë përzierje e ngrohni dhe e lini të ziejë 5 minuta. Pas zierjes lëngun e kulloni dhe e ëmbëlsoni me mjaltë ose sheqer. Çaji i freskët, në dozë si më sipër, këshillohet të pihet 3-5 herë në ditë i ngrohtë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama