Taulant Xhaka heq alarmin per Kombetaren Si po rikuperohem

Taulant Xhaka heq alarmin për Kombëtaren: Si po rikuperohem

Është një ndër lojtarët më energjikë të Ko mbëtares dhe thuajse ndër ata që është e pamundur të zëvendësohen për kuqezinjtë.

Albania's midfielder Taulant Xhaka looks at Serbian players after Serbia's defender Aleksandar Kolarov scored a goal during the Euro 2016 Group I qualifying football match between Albania and Serbia at the Elbasan Arena stadium in Elbasan on October 8, 2015. AFP PHOTO / NIKOLAY DOYCHINOVNIKOLAY DOYCHINOV/AFP/Getty Images

Megjithatë, pas një sezoni të stërzgjatur, me 24 ndeshje në kampionatin helvet, një në kupën e Zvicrës, 10 në fazën e grupeve të Europa Ligës dhe pesë me Kombëtaren, është e pranueshme edhe një "dorëzim" i muskujve të vetë futbollistit. Taulant Xhaka u dëmtua pas 21 minutash lojë në takimin e datës 30 prill, ku Bazeli fitoi 2-1 përballë Sionit.

Për herë të parë këtë sezon, "luani" kuqezi u dorëzua në fushë dhe la përgjysmë një sprint, duke u ulur në fushë dhe me dhimbje ka ngritur duart lart për të njoftuar stafin mjekësor të skuadrës që ka pësuar dëmtim të rëndë.

Është shumë e vështirë të marrësh një intervistë në distancë me mesfushorin e Kombëtares, por, edhe pse shkurtimisht, ai jep të dhëna rreth dëmtimit të tij për "Panorama Sport" dhe ka një mesazh të qartë për të gjithë shqiptarët që e presin të rikthehet në fushë.

Dëmtimi

Mediat helvete kanë bërë një shpjegim të përciptë rreth dëmtimit të tij. Është thënë që ka një tërheqje dhe që i duhen të paktën katër javë që të qëndrojë jashtë fushave të lojës, mirëpo trajneri De Biazi deklaroi me bindje se Taulanti do të rikuperohej në kohë për të qenë plotësisht i gatshëm për Kombëtaren.

"Kam këputur muskulin në masën 3 milimetra, por më e rënda kaloi", shprehet fillimisht për "Panorama Sport" mesfushori i Bazelit.

I pyetur rreth vështirësive në këtë periudhë apo faktit që mund të humbasë ndeshjen e parë në fazën finale të Europianit, mesfushori kuqezi e anashkalon dhe shprehet.

"Në futboll kemi parë të ndodhin shumë gjëra. Sigurisht që nuk më pëlqeu që të dëmtohesha përpara Europianit, por fatmirësisht jam mirë. Tashmë jam shumë mirë. Po punoj me kujdes dhe me shumë dëshirë që të rikthehem i fortë dhe sa më shpejt i gatshëm nën urdhrat e trajnerit të Kombëtares.

E kam të vështirë të jap një afat se kur mund të nis punën me grupin, por për momentin jam duke ndjekur me kujdes programin riaftësues me mjekët e Bazelit.

Në grumbullim me Kombëtaren do të bashkohem më 26 maj", shprehet Xhaka. Programi riaftësues është një çështje thelbësore për atë që po kalon Taulanti, por, edhe pse i prerë në përgjigjet e tij, ai jep një të tillë shumë shpresëdhënëse për tifozët e Kombëtares.

"Tani jam shumë mirë. Kam nisur të vrapoj prej një jave, kuptohet nën kujdesin dhe këshillat e mjekëve", përfundon prononcimin e tij mesfushori, i cili sfidoi publikisht në media vëllanë e tij,

Graniti, se në sfidën mes të dyve ai dhe Shqipëria do të dilnin fitimtarë në ndeshjen e 11 qershorit. Urojmë që "luani" të jetë i gatshëm për De Biazin dhe mbi të gjitha që të fitojë bastin me zviceranin e familjes Xhaka.

Grumbullimi

Mesfushori i Bazelit do të bashkohet me Kombëtaren nga data 26 maj. Mesfushori kuqezi do të jetë ndër të fundit lojtarë që do t'i bashkohet listës së trajnerit De Biazi në Austri.

Fillimisht, atij i duhet të testojë gjendjen e tij fizike, përpara se të nisë punën me grupin dhe me ngarkesa të plota.

OLSI TUJANI


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama