Takimet sekrete ne zyren e Berishes

Takimet sekrete në zyrën e Berishës
Disa përfaqësues të shoqërisë "Bechtel Enka" kanë zhvilluar takime sekrete në Ministrinë e Transporteve dhe në Kryeministri për të negociuar "fitimin" e së drejtës së ndërtimit të aksit rrugor Rrëshen-Kalimash. Prokuroria e Përgjithshme ka konfirmuar prezencën e këtyre takimeve, por nuk ka mundur dot të thellohet në zbardhjen e tyre, pasi askush nga pjesëtarët që ka marrë pjesë në takim nuk ka pranuar të "zbërthehet". Për më shumë se 20 muaj, grupi hetimor i dosjes Durrës-Kukës është munduar të vihet në dijeni të tematikave të kësaj bisede. Por hetuesit nuk kanë mundur do të marrin procesverbalet e zbardhura të këtyre mbledhjeve, pasi mësohet se ato mund të jenë "zhdukur" nga një dorë që vepron në Këshillin e Ministrave.

Prokuroria e Përgjithshme konfirmon se në një takim në Ministrinë e Transporteve, ku po zhvilloheshin negociata qeveri-"Bechtel Enka", para fillimit të procedurave të përzgjedhjes së firmës që do të kryente punime në aksin Rrëshen-Kalimash, ka marrë pjesë edhe ish-drejtori i planifikimit të territorit në Ministrinë e Transporteve, Arben Meçe. I kontaktuar nga gazeta "Shqip" z.Meçe konfirmoi ekzistencën e takimeve sekrete, madje pranoi të rrëfejë edhe zhvillimet brenda takimit, ku ka mbajtur edhe disa shënime personale. Ai tha se në Ministrinë e Transporteve po kryhej një debat teknik, ku qeveria dhe "Bechtel Enka" po diskutonin për punimet në aksin rrugor Rrëshen-Kalimash. Ish-drejtori, në mënyrë kronologjike ka rrëfyer edhe një mori shkeljesh të Ministrisë së Transporteve dhe në veçanti nga eprori i atëhershëm, Lulzim Basha, për disa procedura.

Takimet sekrete

Meçe tha se Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin 158. Vendimi është marrë në datën 15 mars të vitit 2006, i cili lejon Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve të përdorë procedurat e prokurimit të Bankës Botërore për të përzgjedhur subjektin që do bëjë projektimin e rrugës Rrëshen-Kalimash, si dhe do hartojë dokumentacionin për organizmin e tenderit të përzgjedhjes së subjektit që do të ndërtojë këtë segment rrugor. Sipas Meçes, procedura e Bankës Botërore është: mbasi mbaron projekti, fillon tenderi për supervizorin. "Në datë 15, 16 dhe 17 qershor të vitit 2006 në Shqipëri vjen "Bechtel Enka", e cila kryen takime në Ministrinë e Transporteve dhe në Këshillin e Ministrave. "Bechtel Enka" në këto takime ishte e interesuar për ndërtimin e segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash. Rezultatet e këtyre takimeve janë të pazbardhura nga prokuroria shqiptare. Prokuroria nuk ka konfirmuar prezencën e "Bechtel Enka" në Shqipëri në këto data, pasi ka dyshime se dokumentacionet për këto takime janë zhdukur. Madje edhe protokolli mund të jetë zhdukur.

 Prokuroria duhet të ishte më e thellë", tha Meçe, duke shtuar se në një takim ka qenë prezent. "Në një prej këtyre takimeve kam qenë prezent në debat teknik ku është diskutuar për çmimet e punimeve në rrugën Rrëshen-Kalimash që ishte negociuar nga qeveria me "Bechtel Enka". Pra, deri në këto data (15, 16 dhe 17 qershor 2006) nuk ka filluar procedura për përzgjedhjen e firmës që do të ndërtonte këtë rrugë. Vetëm 20 ditë pas takimeve në ministri dhe Kryeministri, fillojnë aksionet personale të Lulzim Bashës për të zgjedhur "Ecorys Gruop" si shoqëria e cila do të zgjidhte shoqërinë "Bechtel Enka" të ishte fituesja e rrugës Rrëshen-Kalimash", tregon Meçe faktet e reja, që nuk janë përfshirë në dosjen e prokurorisë. Sipas tij, më 10 korrik 2006 merret vendimi qarkullues numër 460 i Këshillit të Ministrave, i cili lejon Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve të përdorë procedurën "prokurim i drejtpërdrejtë" me shoqërinë "Ecorys Group" me vlerë 180 mijë USD.

 "Një ditë pasi doli ky vendim, Ministria e Transporteve i dërgon Agjencisë së Prokurimit Publik ofertën financiare të paraqitur nga "Ecorys" me faksin e datës 10 korrik 2006 të përfaqësuesit të "Ecorys Group". Dhe një ditë më vonë, Ministria e Financave deklaron se nuk keni dërguar të gjitha të dhënat për këtë shoqëri", deklaron Meçe, duke shtuar se nga analiza e këtyre elementëve del qartë se qeveria ka miratuar vendimin qarkullues 460 pa pritur konkluzionet e disa instrumenteve të tjera ligjore. Madje, ish-ministri i Transporteve, megjithëse ishte marrë vendimi i KM-së, i drejtohej agjencisë së prokurimit publik. Sipas Meçes, një gjë e tillë është në shkelje me ligjin, pasi në qeveri ishte miratuar që "Ecorys Gruop" kishte filluar punën për gjetjen e firmës fituese të aksit rrugor Rrëshen-Kalimash, pasi ishte mashtruar nga Lulzim Basha dhe Andi Toma.

Gjyqtari Altin Avdiu rrëzon kërkesën për përjashtimin e Hajdarit. Prokuroria: Vendimi s‘ka më vlerë "Basha", shuplaka e tretë e gjykatës për prokurorinë

Gjykata e Tiranës ka hedhur poshtë kërkesën e prokurorit, Arben Kraja, për përjashtimin e gjyqtares Fatmira Hajdari, e cila pas këtij vendimi do të vijojë të shqyrtojë kërkesën e ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, nëse është apo jo e parregullt fletëthirrja e Prokurorisë së Përgjithshme. Këtë vendim e dha gjyqtari Altin Abdiu, i cili nuk e pranoi kërkesën e Krajës që shprehej se Fatmira Hajdari ishte e njëanshme në këtë proces. Ndërkohë, dje pasdite ka reaguar zyrtarisht edhe Prokuroria e Përgjithshme, sipas të cilës vendimi i djeshëm nuk ka më vlerë, pasi dosja është dërguar në Gjykatën e Lartë. Në fakt, ky pretendim i prokurorisë shkaktoi debate në sallën e gjyqit mes Hajdarit dhe Krajës, duke pezulluar edhe gjyqin për të pritur vendimin e djeshëm.

Kërkesa e ish-ministrit të Transporteve u depozitua në Gjykatën e Tiranës menjëherë pasi Prokuroria e Përgjithshme i dërgoi fletëthirrje për ta njohur me aktet dhe akuzën, si dhe për ta marrë si të pandehur në dosjen Rrëshen-Kalimash. Pas hedhjes së shortit elektronik, kërkesa e Bashës i ra Fatmira Hajdarit. Megjithatë, edhe pse procesi për vlefshmërinë apo jo të fletëthirrjes do të vijojë me gjykatëse Fatmira Hajdarin, dosja e depozituar në Gjykatën e Lartë pritet të hidhet në short. Sot në mesditë pritet të caktohet edhe kolegji që do të gjykojë ish-ministrin Basha dhe ish-drejtorin Juridik, Andi Toma.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama