TRANSFERIMI I PUSHTETEVE NE SHQIPERI DHJETOR 1912- SHTATOR 1914

TRANSFERIMI I PUSHTETEVE NE SHQIPERI, DHJETOR 1912- SHTATOR 1914
Objekti i trajtesës është shqyrtimi i procesit të ndërtimit të një autoriteti të brendshëm politik dhe institucional shqiptar, të njohur nga Fuqitë e Mëdha në harkun kohor 1913-1914 dhe rruga e ndjekur për realizimin e këtij legaliteti. Me fjalë të tjera, bëhet fjalë shqyrtimin e procesit të përputhjes së përpjekjeve të brendshme shtetformuese shqiptare me aktet ndërkombëtare që njohen pavarësinë e Shqipërisë dhe krijimin e saj si principatë autonome, neutrale dhe nën garancinë e gjashtë  Fuqive të Mëdha.

Ky proces i përputhjes dhe i vënies në jetë të së drejtës së brendshme me aktin ndërkombëtar që njohu pavarësinë e Shqipërisë, ka qenë një proces i vështirë, që u zgjat në kohë dhe nuk u arrit të përmbyllej  plotësisht në praktikë, për shkak të ndërhyrjes së një seri rrethanash të brendshme shqiptare të lidhura me orientimet krejtësisht të përkundërta politike e kulturore të qendrave pushtetare në këtë vend në harkun kohor dhjetor 1912 janar 1914 dhe më tutje, ndërhyrjes ushtarake të fuqive fqinje, Greqisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Italisë, mungesës së bashkërendimit të plotë të politikave në lidhje me Shqipërinë midis krijueses së shtetit shqiptar, Perandorisë Austro-Hungareze dhe Mbretërisë së Italisë dhe vendosjes në kahe të kundërta politike dhe ushtarke të dy fuqive që kanë pasur qendrime serioze dhe të verteta në lidhje me krijimin e shtetit shqiptar në Ballkan, Mbretërisë së Bashkuar dhe Perandorisë Austro-Hungareze.

Në harkun kohor dhjetor 1912 deri në janar 1914, kur pushteti perandorak osman ra, në Shqipëri kanë vepruar këto autoritete:

1. Ka qenë autoriteti i përkohshëm nacional shqiptar i shpallur me 28 nëntor 1912 në Vlorë i drejtuar nga Ismail Qemali, i cili filloi sendërtimin e pushteteve shteterore të Shqipërisë dhe bëri përpjekjet maksimale për shtrirjen e autoritetit kombëtar në të gjithë Shqipërinë.

2. Krahinat e Shqipërisë së Jugut gjendeshin të pushtuara prej trupave greke, të cilat kishin pushtuar të gjithë hapësirën minimale të pretenduar nga kryeministri Venizellos në Konferencën e Ambasadorëve dhe prisnin sanksionimin ndërkombëtar të aneksimit të kësaj hapësire nën Mbretërinë e Greqisë.

3. Shqipëria e Veriut dhe Qendrore gjendej në pushtimin e trupave serbe dhe malazeze. Pas dorëzimit të Shkodrës nga ana e Essad Pashës trupave malazeze me datën 23 prill 1913 dhe pas hyrjes  me 14 maj 1913 trupave ndërkombëtar të drejtuara nga nën admirali britanik Sir Cecil Burney, për qytetin më të madh të Shqipërisë, filloi periudha e administrimit prej Komisionit Ndërkombëtar të Admiralëve, periudhë që zgjati nga data 14 maj 1913 deri me 18 tetor 1913. Nga kjo datë e fundit dhe deri me ardhjen e Princ Wiedit, do të jetë KNK institucioni që do ta administrojë qytetin përmes trupës ndërkombëtar të drejtuar më pas nga koloneli britani Phillips, si guvernator civil dhe komandant ushtarak i qytetit.

4. Krahinat e tjera, si për shembull Malësia, Mirdita, Malësia e Lezhës dhe ultësirat në mes lumejve Buna dhe Mat, nuk vareshin nga ndonjë autoritet qeverisës dhe vazhdonin të administroheshin në bazë të normave e të zakoneve të tyre tradicionale. Pak më vonë disa forma administrative autonome u formuan në Lezhë nën kryesinë e bajraktarit Ded Coku dhe në Shëngjin nën drejtimin e prijësit të fisit të Shkrelit Vat Marashi, ky i fundit i shkëputur nga administrimi i Lezhës e si rrjedhim në një lloj konflikti me ate.

5. Zgjerimi i shtrirjes së autoritetit të Qeverisë së Përkohshme në veri të Beratit u bllokua prej Essad Pashë Toptanit, i cili, pasi u largua nga Shkodra me forca të konsiderueshme ushtarake paramilitare dhe pas tërheqjes së trupave ushtarake të Serbisë, mori kontrollin e plotë të Shqipërisë Qendrore dhe u përpoq ta drejtonte lëvizjen e kësaj pjesë të Shqipërisë për një princ otoman, në hudhinë që ai deshironte. Synimi i tij ishte të përmbyste Qeverinë e Përkohshme të Vlorës dhe të merrte drejtimin e shtetit të ri shqiptar në duart e veta. Pavarësisht se Essadi shkoi në muajin qershor 1913 në Vlorë dhe pranoi madje edhe postin e ministrit të brendshëm, ai u përpoq ta shfrytëzojë këtë emërim për organizimin e xhandarmërisë shqiptare, me synime krejtësisht përsonale. Duke përfituar nga pushtimi grek i Shqipërisë së Jugut dhe nga përparimi i trupave serbe në Shqipërinë Veriore dhe Lindore, që e kishin pamundësuar praktikisht veprimtarinë e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, Essadi, filloi përpjekjet për përmbysjen e Ismail Qemalit. Fillimisht ai njoftoi njohjen e suzerenitetit të Sulltanit dhe paraqiti flamurin e tij, që ishte skicuar nga një shqiponjë me një gjysmë henë. Më pas ai bëri thirrje për shpërndarjen e Qeverisë së Vlorës dhe formimin e një qeverie të re me qendër në Durrës. Pas refuzimit të prerë të kërkesës nga Ismail Qemali, Essadi më 12 tetor 1913 ngriti një qeveri të tij në Durrës të quajtur, Senati i Shqipërisë Qendrore.

Qeveria e Durrësit u formua jo rastësisht në një moment shumë vendimtar për rrjedhat centralizuese që do të duhej të merrte administrimi i Shqipërisë, me ardhjen e KNK në Vlorë, kur ekzistonte mundësia e njohjes së Qeverisë së Përkohshme dhe pranimi i saj si qeveri e ligjshme e Principatës të sapoformuar të Shqipërisë. Nisma e Essad Pashë Toptanit errësoi qendrimet patriotike dhe bashkimin e shqiptarëve. Ajo qeveri shërbeu si alibi e qarqeve shoviniste fqinje dhe fuqive të Antantës për mosnjohjen e qeverisë së Ismail Qemalit dhe forcave patriotike me orientim laik që mbështeteshin nga Austro-Hungaria, dhe për të treguar me gisht mungesën e aftësisë shtetformuese të shqiptarëve.

Kufijtë e qeverive të pavarura njëra nga tjetra nuk ishin vendosur asnjëherë në mënyrë të saktë, por autoriteti më efiçient e secilës prej tyre ushtrohej në rajonet e mëposhtme: Qeveria e Vlorës e ushtronte pushtetin e saj më efektiv nga rrjedha e lumit Shkumbin deri në jug, duke përfshirë Elbasanin dhe Beratin; qeveria e Durrësit në territoret në mes lumejve Mat dhe Shkumbin, me Tiranën dhe pjesën shqiptare të Dibrës; qeveria e Shkodrës e ushtronte veprimtarinë e vet në qytet dhe në rrethina, në një distancë të përmendur më lart.

Sa më sipër tregon qartë se situata në Shqipërinë e gjysmës së dytë të vitit 1913 ishte një anarki e plotë dhe vetëm ndërhyrja e KNK do të fillonte korrigjimin e situatës në terren.

Krijimi i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrolli u parashikua nga vendimi final i adaptuar nga përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha mbi organizimin e Shqipërisë me 29 korrik 1913, gjegjësisht parashikuar në pikat 4, 5, 6. Misioni kryesor i KNK ishte organizimi i Principatës së Shqipërisë dhe plotësimi i tranzicionit të këtij entiteti nga sundimi otoman në pavarësi. Kësisoj, KNK do të jetë organizmi tranzitor në rrugën e transformimit të Statusit të Shqipërisë në shtetësi të plotë, proces i cili ishte parashikuar të zgjaste pak kohë nga fuqitë, por që rrjedhat ndërkombëtare e nxorën atë plotësisht jashtë limiteve kohore të parashikueshme, duke e mbyllur pa sukses këtë fazë të parë të shtetësisë. KNK ka qenë instrument i një lloj protektorati ndërkombëtar nën të cilin u vendos Shqipëria e re, organizëm ky që kufizoi ushtrimin e plotë të sovranitetit, përmes formave të kontrollit shumëplanësh dhe njëkohësisht shumë të sterholluara për të funksionuar normalisht.

Ky instrument i kujdestarisë se gjashtë Fuqive europiane lindi nga frika e krijimit të ndonjë zbrazëtie pushteti. Megjithatë, në këndvështrimin tonë, puna e këtij institucioni në tre muajt e parë të jetës së vet, u perqendrua dallueshëm në shmangien dhe dezintegrimin e plotë të të vetmit institucion kombëtar që e kishte filluar me kohë misionin e tranzicionit të pushtetit: Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Duke mos e njohur Qeverinë e Përkohshme të Vlorës, të lindur nga një kuvend kombëtar mbarëshqiptar, koncerti i Fuqive të Mëdha la menjanë përpjekjen e brendshme për të materializuar shtetësinë, duke mos njohur njëkohësisht edhe parimin e vetvendosjes dhe duke filluar nga e para sëndërtimin e elementëve përbërës shtetëror të Principatës së Shqipërisë. 

Mosnjohja e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës mendoj se ka ardhur për arsye politike, të lidhura fillimisht me statusin e papërcaktuar të Shqipërisë në momentin e formimit të saj (Qeverisë së Vlorës), por edhe me kontradiksionin e hapur në qendrimet politike të pjesmarrësve në Koncertin Europian. Si qeveri e krijuar nga një kuvend kombëtar gjithpërfshirës që njëkohësisht shpalli pavarësinë e Shqipërisë dhe e para qeveri e Shqipërisë që arriti të artikulohet si përfaqësuese e gjithë shqiptarëve dhe kërkoi njohjen ndërkombëtare, ajo normalisht do të duhej të kishte përparësi në bashkëpunimin e organizmit ndërkombëtar që mori përsipër konfigurimin e shtetit. Austriakët, me mbështetjen e pasigurtë të italianëve, i janë përmbajtur linjës së njohjes së Qeverisë së Përkohshme të Ismail Qemalit, dhe kanë bërë përpjekje pa fund për t’ia imponuar KNK pranimin e kësaj qeverie, si qeveri e të gjithë vendit, sikurse në fakt pjesa përparimtare e shoqërisë shqiptare e njihte atë.

Por shtetet e tjera të Antantës, veçanërisht Franca, janë imponuar për ta trajtuar atë njëlloj me qeverisjet lokale të krijuar rishtasi nepër Shqipëri, e veçanërisht për ta barazuar statusin e saj me krijesen që realizoi njeriu i tyre, Essad Pashë Toptani. Mungesa e shtrirjes së integritetit në të gjithë hapësirën territoriale të vendit nuk mund të përbënte një argument të mjaftueshem për këtë mosnjohje, për shkak të vështirësive të krijuara nga pushtimet e huaja, serbe, greke dhe malazeze, me të cilat nuk po e zgjidhnin dot as fuqitë garantuese të pavarësisë së Shqipërisë. Gjithsesi, territori i kufizuar në të cilin Qeveria e Përkohshme e ushtroi aktivitetin, sherbeu si alibi shumë e fortë për errësimin e pozicionit të saj teorik nacional.

Me këmbënguljen e përfaqësuesve të vendeve të Antantës, KNK u prir drejt politikës së konsiderimit si qeverisje krahinore të të gjitha autoriteteve të ndërtuara në Shqipëri, ndonëse kjo nuk u zyrtarizua për shkak të rezistencës së Austro-Hungarisë që mbështeste Qeverinë e Përkohshme të Ismail Qemalit. Prandaj si KNK në tërësi ashtu edhe Fuqitë e veçanta, në praktikën e marrëdhënieve me “pushtetet krahinore”, i njihnin Qeverisë së Përkohshme të Vlorës një peshë të veçantë. Por vendet e Antantës përfituan nga paqartësia e politikës italiane, indiferentizimi gjerman dhe penguan njohjen e Qeverisë së Përkohshme si qeveri e të gjithë Shqipërisë. Orientimi politik që KNK mori ishte që të gjitha këto qeverisje krahinore të vendoseshin gradualisht nën kontrollin e një qeverisjeje qendrore që do të krijohej me mbërritjen e Princit në Shqipëri.

Në fillim të muajit dhjetor 1913, si për ta përforcuar këtë linjë të përgjithshme, anëtari francez në KNK, Krajewsky, propozoi këtë ndarje administrative për Shqipërinë: 1. Shqipëria Qendrore, ose Durrësi, që përfshinte territorin në mes lumenjve Mat dhe Shkumbin; 2.Shkodra, së bashku me zonat fushore të saj; 3.Mirdita së bashku me bajrakët në aleancë me atë: Selishtë, Perlat dhe Kthellë; 4. Malësia e Madhe dhe krahinat Malore në Veri dhe në Lindje të Shkodrës (këto dy rajonet e mësipërme gëzonin praktikisht pavarësinë, ndaj delegati francez, propozoi që për disa kohë këto rajone të vazhdonin të njiheshin me disa privilegje të veçanta); 5 Vlora së bashku me krahinat e Beratit dhe Elbasanit; 6dhe 7 do ishin dy distriktet ende nën pushtimin grek respektivisht me qendra administrative në Korçë dhe në Gjirokastër. Propozimi francez synonte të shmangte me çdo kusht Qeverinë Përkohshme nga pozicioni parësor si bazë e gatshme për qeverisjen e ardhshme të Principatës së Shqipërisë së drejtuar nga Princ Wied. Vendet e tjera të Antantës ndoqën aleatin e tyre në këmbënguljen që pranimi nga ana e Princ Wied-it i fronit të Shqipërisë, të mos kushtëzohej me aprovimin e Qeverisë së Përkohshme.

Situatës kaotike që mbizotëronte në Shqipërinë e fundvitit 1913 dhe fillimit të 1914, iu shtuan përpjekja e Komitetit Xhonturk “Bashkim dhe Përparim” dhe e rretheve të caktuara nostalgjike pro otomane në Shqipëri, për të vendosur në fronin e Shqipërisë një princ të origjinës turke dhe Ekspedita e Essad Pashes në Shqipërinë Mesme, që synonte të krijonte një qendër pushtetare rivale ndaj qeverisë së Vlorës, së drejtuar nga ai me qendër në Durrës.

Puçi ushtarak në histori njihet si Komploti i Beqir Grebënesë. Ai komplot erdhi si rezultat i vonesës së madhe mbi 6 mujore, të krijuar në aktivitetin e fuqive të mëdha në përfundimin e ndërtimit institucional të Shqipërisë së dalë nga vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër. Kjo vonesë kishte mundësuar jo vetëm rizgjimin e ëndrrave të otomanistëve për të rimarrë pushtetin në Shqipëri, por edhe ambicjet e përfaqësuesve më të spikatur të klasës feudale vendase për t’iu kundërvënë forcave kombëtariste shekullare, që kishin filluar të ndërtonin shtetin e pavarur shqiptar pas vendimeve të Kuvendit të Vlorës së nëntorit 1912, në mënyrën e tyre të sinqertë dhe atdhetare. Viktimë e ambicjeve dhe intrigave të forcave konservatore otomaniste ra edhe Ismail Qemali dhe qeveria që ai drejtonte me aq përkushtim patriotik. Qendra rivale pushtetare në Shqipëri e krijuar në dy muajt e fundit të vitit 1913 nga Essad Pashë Toptani, është shembulli më i qartë i riorganizimit të këtyre forcave të së shkuarës. Në fund të fundit, ky rivalitet ishte pjesë e udhëkryqit ku ndodhej shteti i ri: Ismail Qemali dhe qeveria e tij, duke u mbështetur nga shumica e shqiptarëve, ishin të vendosur që Shqipëria të bëhej një shtet europian, të qeverisej për këtë nga një princ nga dinastitë europiane, dhe këtë kryetari i qeverisë ia kishte bërë të qartë Portës së Lartë.

Në këtë situatë të vështirë rivaliteti e presioni politik, në mbrëmjen e datës 10 janar 1914, Ismail Qemali, duke vënë mbi të gjitha interesat e Shqipërisë, në bashkëpunim të ngushtë me KNK, shpalli se për të shpëtuar vendin nga rënia në një luftë civile dhe shkatërrimi, ishte i përgatitur ta dorëzonte autoritetin e tij në duart e KNK, në qoftë se ky institucion do ta merrte këtë angazhim për të gjithë Shqipërinë.

Pas dorëheqjes së Ismail Qemalit, Essad Pasha mbeti përsoni i vetëm me ndikim në Shqipëri, që kishte një program politik të qartë, ishte në zotërim të shumave të mjaftueshme parash për të realizuar objektivat e tij politike Megjithëse ishte “prishësi kryesor i njësisë shqiptare”, ai serish konsiderohej tanimë e vetmja forcë reale në vend, me të cilen do të duhej të bëheshin llogaritë. Pas një kundërshtimi të ashpër nga ana e tij, me datën 30 janar 1914, përfaqësuesit e KNK ia arritën të firmosin me Essad Pashë Toptanin një memorandum në gjuhën turke, të vetmen të cilen ai zotëronte mirë, mbi bazën e të cilit ai duhej ta dorëzonte administratën e Shqipërisë Qendrore në duart e KNK-së. Ky organizëm më pas do të duhej ta caktonte atë në krye të përfaqësisë që do të shkonte në Europë për t’i ofruar fronin e Shqipërisë Princ Wied-it.

Marrëveshja i siguroi atij de facto realizimin e objektivit personal politik për mbizotërimin e ardhshëm në skenen politike të Shqipërisë së trazuar.

Në prag të ardhjes së Princ Wied, KNK arriti të vendoste nën administrimin e drejtorit administrativ të çështjeve të brendshme, përveç Vlorës, Durrësit e Shkodrës, edhe Lezhën e Shengjinin. Kësisoj, me përjashtim të Shqipërisë së Jugut nën pushtimin grek, pjesa tjetër e Shqipërisë u bashkua formalisht nën një administratë të vetme. Misioni i parë si direktorat ekzekutiv dhe ligjvënës në Shqipëri nga ana e KNK u realizua. Deri me ardhjen e Princit dhe shpalljen e Statutit Organik, KNK do të kryej funksionet e tij si direktorat, për të kaluar më pas në funksionet mbikqyrëse e kontrolluese deri në momentin e dezintegrimit dhe shpërndarjes faktike.

Qeveria e parë shqiptare  në Princ Wied rezultoi një dështim i plotë, që nuk arriti të bindë botën dhe as shqiptarët se ky vend mund t’u rezistonte përpjekjeve për absorbim nga fqinjët ballkanikë. Pavarësisht përpjekjeve të nacionalistëve për të predikuar doktrinen e unitetit, qeveria nuk u rezistoi dot intrigave politike, në qendër të të cilave ka qenë, në planin e jashtëm Italia, dhe në planin e brendshëm njeriu më i pushtetshëm në këte qeveri, Essad Pashë Toptani. Mbretërimi i Wied-it duhet të vendoset në kontekstin e marrëdhënieve ndërkombëtare të kohës, kur fuqitë europiane që ishin marrë vesht për krijimin e Shqipërisë, ishin përfshirë në një pështjellim të pangjashëm dhe pas fillimit të luftës, i gjithë themeli mbi të cilin ishte arritur konsensusi për Shqipërinë dhe Princ Wied-in, u shpërbë për të mos u rikthyer më kurrë mes tyre.  

Me 15 prill 1914 KNK përfundoi procesin e përpunimit të Projekt Statutit Organik të Shqipërisë, mbi bazën e të cilit, pas aprovimit të qeverive të Fuqive të Mëdha, do të funksiononte sistemi qeverisës i Principatës së Shqipërisë. Me 29 prill 1914, KNK arriti të aprovojë ad referendum Rregulloren e Brendshme të funksionimit të KNK (Rregullorja e Organizimit të KNK në Shqipëri dhe Ushtrimi i Funksioneve të tij). Me aprovimin e Rregullores përvijohet në mënyrë përfundimtare procesi i shndërrimit të KNK nga një institucion ndërkombëtar me funksione drejtuese direktive, në një institucion me funksione kontrolluese, garantuese dhe mbikqyrëse. Ndoshta në rastin e Shqipërisë së vitit 1914, do të ishte dashur që funksioni qeverisës i KNK të ishte zgjatur edhe disa muaj dhe formimi i qeverisë nga ana e Princ Wied do duhej të ishte shtyrë deri në përpunimin e aprovimin përfundimtar të Statutit Organik nga një asamble nacionale.

Kjo do i kishte mundësuar Princ Wied-it të mbështetej më fuqimisht nga një organizëm qeverisës i pavarur e veprues dhe do të kishte mundësuar lënien menjanë e izolimin e forcës më të fuqishme konservatore të Shqipërisë së asaj kohë, Essad Pashë Toptanit dhe rrethit të tij neohamidian. Duke formuar menjëhere qeverinë dhe duke i dhënë Essadit vendin e premtuar, qeveria e Wied-it do të përfshihej në një spirale krizash nga të cilat ajo nuk do të arrijë të dalë më asnjëherë.  Shqipëria e atëhershme vuante nga shkëputja me të kaluarën, vuante nga mospasja e një grupimi të gjërë shoqëror të emancipuar, vuante nga ekzistenca e një klasë drejtuese që e kishte pak të zhvilluar ndjenjën e përgjegjësisë kombëtare dhe rendte ende me fantazmat e ruajtjes së çifligjeve të dhuruara personale. Kurse forcat e emancipuara të shoqërisë shqiptare, ata që ndërtuan Shqipërinë e Vlorës, përbënin një pakicë gati të papërfillshme dhe të pafuqishme për të ndërmarrë nisma që thyenin tabutë konservative të një shoqërie të sapodalë në liri.

Kjo liri e brishtë, e shoqëruar me cungime të rëndësishme territoriale, të sanksionuara edhe me marrëveshje ndërkombëtare, e ndjekur hap pas hapi nga etja e shfrenuar e fqinjëve grabitçarë, e kishte çorientuar kahun e drejtimit përparimtar të kësaj shoqërie, e kishte lënë atë prehë të pambrojtur nga aventurierët që fatkeqësisht në atë kohë (mbase edhe në vijim), ishin me shumicë. Sidoqoftë, në analizë të fundit, vendosja e Kontrollit Ndërkombëtar në Shkodër më pas edhe në Shqipëri ishte, sipas mendimit tonë, një zhvillim pozitiv, një hap i rëndësishëm në shkëputjen me të kaluarën, një shtysë për forcat e brendshme përparimtare, ende të dobëta, dhe për vetë procesin e ri mëvetësues dhe qytetërues që do të duhej të kalonte shteti i ri shqiptar.

Sikur rrjedha e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk do të shkonte drejt ballafaqimit të armatosur, zhvillimi politik, ekonomik dhe qytetërues brenda shtetit shqiptar, nën këtë ombrellë garancie, mendojmë se do të kishte qenë në parametra tejet të ndryshëm: Shqipëria do të bëhej shtet, fillimisht një Principatë e më pas Mbretëri, me në krye një sovran europian; ndasitë e brendshme do të vinin gradualisht duke u shuar; strukturat administrative e institucionale të shtetit do të bëheshin funksionuese; trupat greke, serbe e malazeze do të tërhiqeshin dhe mbrojtja e trojeve etnike shqiptare jashtë kufijve të Londres 1913, do të ishte një realitet veprues; Turqia do të shkurajohej nga ëndrra e saj për rikthim; Italia e diskretituar para forcave kombëtariste do të zhvendosej e turpëruar dhe e humbur nga bregu shqiptar i Adriatikut dhe Jonit; Austro-Hungaria do të vazhdonte të mbështeste rrugën e konsolidimit të projektit të saj të kahershëm për themelimin e shtetit ilirik, tashmë jo në kundërshti me Anglinë, por në aleance me atë; Fuqitë së bashku do të detyroheshin të garantonin me vepra jetën e shtetit të ri ballkanik që krijuan vetë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama