TKOB bashkepunim me Teatrin e Beogradit

TKOB bashkepunim me Teatrin e Beogradit

Drejtori i TKOB, Ilir Kerni shprehet se shkon në respekt të plotë të artit që përfaqëson ai teatër dhe i vetëdijshëm për traditën e madhe që ata kanë.  Ai e quan këtë moment  një kthesë pozitive në marrëdhëniet kulturore me Serbinë, pasi deri më tani nuk ka pasur marrëdhënie me një teatër kombëtar si ai i Beogradit.


I ftuar nga drejtori Dejan Savic, Ilir Kerni do të vizitojë Teatrin Kombëtar të Beogradit në muajin mars, kohë gjatë së cilës Drejtori i Teatrit dhe Operas të Shqipërisë do të njihet me veprat përfaqësuese të repertorit të operës dhe baletit të Teatrit Kombëtar në Beograd.

Kjo do i shërbejë njohjes dypalëshe në drejtim të politikave të repertorit, kapaciteteve teknike dhe marrëdhënieve kulturore publike, arritjeve të tyre etj. Në qendër të bisedimeve do të jetë edhe propozimi për një protokoll të përbashkët bashkëpunimi.

“Ilir Kerni është balerin i njohur me një karrierë europiane, që një pjesë të saj e kaloi si solist i parë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Zagreb e kësisoj nuk ekziston barrierë gjuhësore për komunikim midis krerëve të dy institucioneve kombëtare të kulturës”, – shkruhet në njoftimin e Teatrit Kombëtar në Beograd.

Drejtori i TKOB-it, Ilir Kerni shprehet se e ka pranuar këtë vizitë në respekt të plotë të artit që përfaqëson ai teatër dhe i vetëdijshëm për traditën e madhe që ata kanë.

“Me datë 10 dhe 11 mars do të jem i ftuar nga drejtori gjeneral, por njëkohësisht do të shoh edhe operan “Traviata” dhe baletin “Arrëthyesi”.

“Arti dhe artistët gjithmonë janë të parët që vendosin urat e bashkëpunimit, zbutës dhe zbukurues të shpirtit njerëzor. Aty ku hyn arti ka progres, prandaj ndoshta shpeshherë u duhen lënë artistëve disa misione të pamundura. Jam i bindur se TKOB dhe artistët tanë artplotë kanë aq dashuri,  përfaqësim dhe nivel të lartë artistik sa mund të ballafaqohemi me dinjitet e krenari kudo qoftë, edhe në Beograd”, – shprehet Kerni, i cili shton se në Beograd do të shkojë si përfaqësues i institucionit kut të kulturës shqiptare, siç e ka cilësuar ai Teatrin e Operës dhe Baletit. “Jam i gatshëm për çdo bashkëpunim skeniko-artistik me teatrin kombëtar të tyre”, – vijon ai, duke u shprehur i kënaqur dhe njëherazi i befasuar për pasqyrimin e vizitës së drejtorit të Teatrit shqiptar të Operas nga katër gazeta kryesore serbe.

“Në fakt, struktura e operës dhe baletit të tyre përmban në të njëjtën çati edhe dramën. Jam i kënaqur që ndër emrat e mëdhenj të aktorëve atje radhitet edhe Bekim Fehmiu i madh…por edhe të tjerë, të cilët unë nuk i di”, – thotë Ilir Kerni, duke shpresuar në një bashkëpunim nëpërmjet dy teatrove.

“Jemi aq afër dhe aq larg sa ky moment është vërtet historik dhe theksoj e vlerësoj edhe një herë rëndësinë që ata i japin duke e anonçuar në mediat e tyre, një tregues kuptimplotë se gjuha e artit s’ka kufi, kompleks, ligësi, por vetëm mirëkuptim, dashuri, qytetërim. Jam i lumtur për një gjë dhe jam krenar se qytetërimi shqiptar është europian, plot dashuri dhe tolerancë, prandaj jemi pa komplekse, të çlirët e të sinqertë”…Kerni e cilëson artin si mjetin më neutral dhe afrues në çdo situatë.

“Së fundi do thosha se jam krenar që jam pjesë e këtij momenti marrëdhëniesh me një teatër kombëtar si ai i Serbisë, me të cilin nuk ka pasur deri më tani marrëdhënie. Nëse do të  kontribuoja sadopak për një kthesë të kësaj historie, thjesht do të ndjehesha krenar, në emër të artit dhe dashurisë për të”.

Dejan Savic, në një prononcim për mediat serbe ka pranuar këtë nismë, e cila, sipas tij “do të krijojë mundësinë që për herë të parë në historinë e marrëdhënieve kulturore midis dy vendeve, të institucionalizojë propozime pozitive dhe vendosjen e marrëdhënieve në nivel më të lartë midis ansambleve respektive të teatrove tanë”. Bashkëpunimi mes dy teatrove do të jetë në idenë e bashkëpunimit muzikor-koreografik dhe aktiviteteve skenike.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama