TIFF homazh te ikurve

TIFF, homazh te ikurve
Bekim Fehmiu dhe Llazi Serbo. Por edhe mjeshtri francez Chabrol që nderohet në Tiranë një bashkëpunëtor i tij. Një nga themeluesit e TIFF-it, Agron Domi, kthehet dhe programon festivalin: "Ballafaqimi i kryetemave dhe ndërtimi i një programi inteligjent e zbavitës njëkohësisht është më i përfaqësuar këtë vit." Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë nis sot pasdite në Qendrën e Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes ku do të mbahet deri më 18 dhjetor.

Në edicionin e tetë i hapur tashmë edhe ndaj filmit të gjatë artistik, 10 në seksionin zyrtar, konkurrojnë në gjininë e filmit të shkurtër 9 eksperimentalë, 14 dokumentarë, 9 të animuar, 41 fiction. Gjithsej 25 shqiptarë 11 nga Kosova dhe 15 nga Shqipëria. Janë tregues në rritje të pjesëmarrjes nga dy shtetet shqiptare. Producenti ekzekutiv i festivalit Agron Domi, i larguar në vitin 2003, tani bashkë me Genc Përmetin ka zgjedhur filmat dhe organizuar programet.

Duke dashur të japë një përcaktim për fytyrën e këtij edicioni, Domi i referohet historisë së deritanishme: "Në fillim të tij, TIFF-i kishte kompleksin e një aktiviteti fillestar që tentonte prurje sasiore dhe shtrirje të gjerë gjeografike. Pas shtatë vitesh", thotë ai për "Shekullin", "festivali ndërkombëtar nuk mund të krenohet më me statistika, por me zbulimet interesante të autorëve me filmin e parë si dhe me konfirmimet e qëndrueshme të autorëve që vazhdojnë të besojnë te TIFF-i si një forum idesh e temash të larmishme, po edhe si një provë konkurruese e eksperimenteve të tyre artistike.

Globalizimi ka krijuar një unifikim të temave kryesore që shqetësojnë regjisorët, por në të njëjtën kohë ka sofistikuar teknikat e shprehjes dhe gjetjet surprizuese. Ballafaqimi i këtyre kryetemave dhe ndërtimi i një programi inteligjent e zbavitës njëkohësisht mendoj se është më i përfaqësuar këtë vit." Ndoshta me program inteligjent ai ka parasysh prurje nga kinemaja evropiane e konfirmuar tashmë, edhe atëherë kur vjen si homazh për një mjeshtër të ikur së fundi. Claude Chabrol (1930-2010) kujtohet nga Jean-Philippe Laroche, i ftuar në TIFF. Laroche është fitues i Best Public TIFF 2003 me "You Should Make Movies" në të cilin Chabrol shfaqet për herë të fundit aktor.

I ftuari i dytë për homazh mjeshtrit dhe një prej themeluesve të Nouvelle Vague-s, është Jean-Bernard Thomasson, inxhinier zëri në 13 filma të Claude Chabrol-it. Ai është zgjedhur anëtar i jurisë për filmin e gjatë artistik, por edhe prezanton filmin e tij dokumentar "Claude Chabrol: fëmija i lirë". I ftuar special është Juanma Bajo Ulloa, regjisor Bask. Shfaqen filmat e tij, fitues të çmimeve të çmimeve kombëtare e ndërkombëtare, "Airbag" (1997), "La madre muerta" (1993).

Për të dytën herë në TIFF, regjisori serb Boris Mitic. Lektor në shkolla filmi në Evropë, Kinë, SHBA dhe Lindjen e Mesme, Mitic mban një masterclass për Dokumentarin në Akademinë e Arteve: "Atë që nuk jua mësojnë në shkollën e filmit". Prezanton prezanton filmin e tij të fundit "Goodbye, Hoë are you?" (2009) dhe projektin e ri filmik 5-vjeçar "Nothing". Dy homazhe aktorësh që u ndanë nga jeta në këtë vit, Bekim Fehmiu dhe Llazi Serbo. Është hera e dytë që TIFF shfaq "Mbledhësi i Puplave (I Even Met Happy Gypsies) 1967, po me një tjetër motiv.

"Ç'mund të bësh më shumë në një homazh përveçse të japësh mundësinë që të ftuarit tanë e publiku ynë i ndryshëm nga festivalet e tjera, të shohë e të kujtoje artistin e madh", përgjigjet Domi për mënyrën e ngjashme të të kujtuarit të Fehmiut me gjithë festivalet e filmit që janë bërë së fundi në Kosovë dhe Shqipëri. "Ndofta edhe më shumë filma mund të ishin buxheti ynë është zvogëluar ndjeshëm dhe këto programe speciale kërkojnë screening fee të kripura. Por ju kujtoj se kemi homazhet për Claude Chabrol dhe Llazi Serbon."

Serbo, aktori shqiptar, i vetëvrarë në vjeshtë 2010 nderohet në TIFF 2010. Në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit nën kujdesin e drejtoreshës Elvira Diamanti, shfaqet "Operacioni Zjarri" me regji të Muharrem Fejzos, në të cilin interpreton Serbo. Konkurrimin e filmit të gjatë artistik me pjesëmarrjen e prodhimeve nga Koreja e Jugut, Izraeli, Rumania, Bullgaria, Çekia, Irani, Italia, Sllovenia, Franca, Maqedonia dhe Kosova me "Gomerët e kufirit" të Jeton Ahmetajt, e gjykon kjo juri: Fatos Berisha, Drejtor i PriFilmFest, Jean-Bernard Thomasson dhe Boris Mitic.

Juria e Filmit të Shkurtër: Burbuqe Berisha, regjisore/fituese TIFF 2003, Shpend Bengu artist/fitues TIFF 2005 dhe Gentian Koçi, regjisor/fitues TIFF 2009. Kjo juri gjykon disa kategori. 41 filmat fiction, ndër të cilët "Mozart" i Bekim Gurit, "My brother" i Burim Baftiut dhe "The wall" i Gazmend Nelës, të tre nga Kosova; "Son of the bitch" i Astrit Hykajt dhe "Mendimet e gungaçes" i Edvin Zarkës, nga Shqipëria. Filma shqiptarë në garën e eksperimentalit janë "Homazh" i Ermela Telit, "Kaizer" i Dritan Mesarejës, "Jetë në pasqyrë" i Gentian Kurtit.

Për dokumentarin konkurron nga Shqipëria vetëm "24 karat" i Stefan Çapalikut.
Ndër 8 të animuarit, nga Kosova konkurron "Polici i dhjamur" i Naim Berishës dhe nga Shqipëria "Shelgu dhe kungulli" i Bertrand Shijakut.

Juria e Seksionit Shqip përbëhet nga Eriona Kakeli, Burim Haliti, Gledis Bica. Juria e Medias përbëhet nga Flora Nikolla, Besnik Ajazi dhe Rajmonda Shima.

TIFF jep çmimet: Filmi më i mirë i TIFF-it, Filmi më i Mirë Artistik, Filmi më i Mirë i Animuar, Dokumentari më i Mirë, Filmi më i Mirë Eksperimental, Filmi më i Mirë Shqiptar (i shkurtër), Çmimi i Publikut, Çmimi i Medias.

"Ky është programi, këto janë ditët në dispozicion dhe paratë e akorduara", thotë Domi. I pyetur se përse ka qëndruar larg festivalit këto vite, ai bëri këtë koment: "Unë po kthehem si Uliksi në Itakë, si çdo njeri te dashuria e parë për këtë aktivitet të krijuar me aq sakrifica e pasion të pashembullt, të paktën në këto trevat tona ku për pasion pak ia vënë veshin e shumë pak ia hedhin syrin.

Think different, see alike - "Mendojmë ndryshe, por shohim njësoj" ka qenë slogani i TIFF 2003 e ky vazhdon të mbetet edhe sot."
Festivali organizohet nga Albania Art Institute dhe Ska-Ndal Film Production me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, partnere Ministria e Mbrojtjes.

Claude Chabrol, fëmija i lirë

Nga kritik i kinemasë për "Cahiers du Cinema" u bë kineast dhe themelues i Valës së Re në fillim të viteve '60. Por në fund të kësaj dekade, kritika e quan "mjeshtri klasik". U lind në Paris, dhe ashtu si Godard që kthehej në vendin e tij natyror, në Zvicër, kështu dhe Chabrol i ka ambjentuar filmat e tij larg kryeqytetit të nouvelle vague-s, dhe shpesh, atmosferën dhe peizazhin e veçantë e bëri thelbin e narrativave të tij.
Pasioni i tij për kinemanë është i hershëm.

Student në Paris, takohej në Cinematheque Française me kineastë si të rinj si Truffaut, Godard, Jacques Rivette, dhe Eric Rohmer, me të cilët do të bashkëpunonte për studimin e thellë dhe serioz të Alfred Hitchcock-ut më 1954. Ishte ishte një produkt i natyral i shkrimtarisë, pasi prej vitit 1950, shkruante për "Cahiers..." ku rregullisht denoncoheshin studiot e mëdha filmike të Francës dhe nderoheshin mjeshtër të Hollivudit si Hitchcock, Howard Hawks, dhe Nicholas Ray si autoritete të veçantë të stilit të imazhit. Falë ndihmës financiare të së shoqes Agnes Goute, ai realizoi "Le Beau Serge" dhe "Les Cousins" që të dy dalin më 1959. "Les Bonnes Femmes" i vlerësuar maksimalisht nga kritika dhe filmi preferuar i vetë Chabrol-it, del më 1960. Ai prodhon vit pas viti: "L'oeil du malin" (1962), "Ophelia" (1963).

Me skenar të Françoise Sagan, po më 1963 tregon jetën e të parit vrasës në seri Landru në filmin me të njëjtin titull. Më 1967 realizon "Scandale" dhe "La Femme infidèle" (1969) (remake hollivudian i Adrian Lyne). Në vitet shtatëdhjetë ai provon me sukses filmin noire me "Que la bête meure" (1969) dhe "Le Boucher" (1970).

Nga viti 1964 deri më 1980 xhiron 25 filma me të shoqen, aktore e shkëlqyer, Stéphane Audran, muzë e tij që pëlqen ta zhveshë në ekran dhe ta angazhojë në skenarë të filmave thriller. Një aktore tjetër me rëndësi shfaqet në vitet tetëdhjetë në filmat e tij. Është Isabelle Huppert: "Violette Nozière" më 1978 dhe dhjetë më vonë ajo në filmat "Çështje gruaje", "Zonja Bovari", "Ceremonia", "Falemnderit për çokollatën".

Janë pak filmat e tij, ata më të vonët që patën një farë distribuimi në Amerikë. Megjithatë Chabrol nuk do të fitonte më atë vëmendje që pati nga kritika në fillim të viteve shtatëdhjetë, e megjithatë ai vazhdoi të punojë rregullisht. Realizon në gjininë e filmit policor "Cop au vin/Poulet au vinaigre" (1984), përshtat veprën e Henri Millerit "Ditë të qeta në Klishi" 1990, madje realizon edhe një dokumentar nga Lufta e Dytë Botërore "Syri i Vichy-së" (1993).

Adaptoi një nga romanet e mëdhenj klasikë "Zonja Bovari" 1991 të Gustav Flober,
sërish më Isabelle Huppert dhe Jean-François Balmer, i vlerësuar si tepër akademik.
Realizon "Betty" (1992), "La Fille coupee en deux" (2007) dhe i fundit "Bellamy" (2009)

Chabrol provoi në disa zhanre - aventurë, aksioni, përshtati vepra të mëdha letrare, por ai e shkriu artin e tij sidomos në zhanrin e dramës familjare ku shpesh ndodh një vrasje. Disa nga filmat e tij më të mirë "Gruaja tradhtare", "Kasapi" ai i shkroi vetë; vepra të tjera shumë të mira si "Kushërinjtë", "Gra të mira", "Bisha duhet të vdesë" janë shkruar nga Paul Gégauff.

Të tjerë u bazuan në shkrimtarët amerikanë si Stanley Ellin, Charlotte Armstrong, Evan Hunter apo Ed McBain dhe britanikë si Ruth Rendell e Nicholas Blake. Kinemaja e tij më e mirë është prirur drejt një autopsie të klasës së mesme franceze, drejt një lloji zbulimi të hipokrizinë dhe vanitetit të kësaj shoqërie.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama