Sulltan Nevruzi festa qe simbolizon rigjallerimin e natyres dhe njeriut

Sulltan Nevruzi, festa qe simbolizon rigjallerimin e natyres dhe njeriut

Sulltan Nevruzi festohej si festa e ardhjes së pranverës dhe më vonë si ditëlindja e imam Aliut. Dervishi i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane Mikel Onjea, për gazetën “Shekulli” tregon se Kryegjyshata Botërore Bektashiane vizitohet nga shumë besimtarë dhe turistë të huaj, të cilët vijnë të organizuar në grupe nga e gjithë bota. Kryegjyshata mban lidhje me shumë teqe, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim. Teqeja më e madhe ndodhet në SHBA, e cila është një qendër patriotike dhe fetare, ku mblidhen bektashinjtë që jetojnë aty.

 

Çfarë domethënie ka festa e Sulltan Nevruzit?

 

Para islamit, këtë festë e kanë festuar persianët. Ata kanë pasur dy stinë, verën dhe dimrin. Në 22 mars ata festonin ardhjen e verës, e cila zgjaste deri në 22 shtator. Më vonë, në botën islame në 22 mars lindi imam Aliu, i cili është i vetmi fëmijë i lindur brenda në Qabe. Që prej asaj kohe Sulltan Nevruzi u festua nga tarikatet si ditëlindja e imam Aliut. Komuniteti bektashian ka rreth 800 vjet që e feston këtë festë në të njëjtën datë. Kjo festë simbolizon rigjallërimin e natyrës. Kafshët zgjohen nga gjumi dimëror, pemët çelin sythat dhe bimësia gjallërohet. Çdo gjë nis të marrë jetë dhe gjallëri. Emri “Nevruz” ka ardhur nga persishtja dhe domethënia e tij është “ditë e re”. Emri “Sulltan” është titulli më i lartë që mund të merret. Në Shqipëri kjo festë ka nisur të festohet rreth shekullit XIV, kur u përhap bektashizmi në Shqipëri.

 

Si festohet kjo festë?

 

Kjo festë zgjat tri ditë. Në 22 mars ka lindur imam Aliu dhe pas tri ditëve i është vënë emri. Besimtarët shkëmbejnë vizita tek njëri-tjetri dhe më pas luten dhe falen. Ndihmojnë njerëzit që kanë nevojë. Në mëngjes, për besimtarët dhe të gjithë të pranishmit, shpërndahet qumësht dhe sherbet, që simbolizon pastrimin e trupit dhe shpirtit. Këto dy pije konsiderohen pije parajse. Gjithmonë në orën 10:00 bëhet ceremonia. Dalin klerikët përjashta, bashkë me besimtarët këndojnë në kor këngën e Sulltan Nevruzit. Më pas, jepen bekimet nga udhëheqësi shpirtëror për jetimët, të vobektit, për të gjithë ata që gjenden në vështirësi. Jepen bekime për ushtrinë shqiptare, Presidentin, mësuesit, intelektualët etj. Ceremonia e festës vazhdon me hyrjen në tyrbe, ku bëhen lutje.

 

Vizitohet Kryegjyshata Botërore Bektashiane nga shumë besimtarë?

 

Të gjitha Gjyshatat nëpër rrethe vizitohen nga shumë besimtarë, por kjo në Tiranë ka vëmendje të veçantë. Përveç besimtarëve kemi dhe turistë që vijnë vizitojnë Kryegjyshatën. Ne kemi lidhur marrëveshje me shtetin, si komunitet fetar që të presim turistë. Që kur është hapur Kryegjyshata kanë ardhur shumë turistë të huaj. Në të shumtën e herës kanë qenë të organizuar në grupe nga agjencitë turistike, por ka pasur nga ata që kanë ardhur edhe privatisht. Ka pasur edhe zyrtarë të lartë, të huaj që kur kanë vizituar shtetin tonë kanë ardhur edhe në Kryegjyshatë. Ne i ftojmë të gjitha ambasadat dhe trupat diplomatike, sa herë që kemi festa fetare. Një teqe shumë e madhe është ajo në Miçigan, në SHBA, ku mblidhen grupet e bektashinjve. Ajo është një qendër patriotike dhe fetare. Në derën e asaj teqeje shkruhet: Komb, Fe, Atdhe. Ka një hartë të Shqipërisë së madhe dhe një shqiponjë me dy krerë.

 

Ritet dhe gatimet tradicionale për festën e Sulltan Nevruzit

 

Festa e Sulltan Nevruzit është shumë e rëndësishme për besimtarët bektashinj. Besimtarët gostiten me ëmbëlsira të shumëllojshme, për të treguar dashurinë që kanë për njëri-tjetrin dhe bujarinë e tyre. Ata duhet të ndihmojnë të varfrit dhe personat që janë në vështirësi duke ju falur ushqime ose të ardhura. Nëse nuk kanë mundësi ta bëjnë këtë, duhet të luten për njerëzit që vuajnë. Në këtë ditë feste bektashinjtë mbjellin lule në shtëpitë e tyre ose bimë të tjera. Vendosin nëpër portat e shtëpive degë thane ose ulliri. Një rit interesant është dhe varja e veroreve të Ditës së Verës në degët e trëndafilit ose të shegës. Në mëngjes duhet pirë qumësht dhe duhet bërë sherbet, sepse këto dy pije quhen pije parajse. Në këtë ditë bektashinjtë gatuajnë disa ushqime karakteristike, të cilat janë trashëguar brez pas brezi. Për Sulltan Nevruz bektashinjtë gatuajnë byrek me 12 lloje të ndryshme barishtesh. Bimët e tokës kanë një rëndësi të veçantë, sepse simbolizojnë jetën e re, që çel në pranverë dhe begatinë. Në byrek futet edhe një monedhe metalike. Pasi është pjekur byreku ndahet nga amvisa e shtëpisë në pjesë dhe i jepet secilit prej anëtarëve të familjes. Ai që gjen monedhën në pjesën e tij konsiderohet njeri me fat dhe se do të ketë një vit të mbarë dhe të begatë. Në këtë ditë gatuhet edhe përshesh me pulë ose me mish qengji. Për Sulltan Nevruz besimtarët duhet të therin kurban. Në tryezat e tyre nuk mungon mishi i pjekur. Ëmbëlsira tradicionale e kësaj feste është sultiashi. Kjo ëmbëlsirë përbëhet nga qumështi, që është simbol i qumështit të nënës; orizi, që simbolizon drithërat dhe bollëkun, dhe sherbeti që merret i kënduar në teqe. Si ëmbëlsirë mund të gatuhet edhe kabuni (me oriz, lëng mishi, sheqer, rrush të thatë dhe arra). Në zonat fushore bëhet edhe kulaç me petë që fëmijët i rrokullisin në arat me grurë për të sjellë bollëk në familje.

 

Vendosja e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë

 

Kryegjyshata Botërore Bektashiane fillimisht ka qenë në Turqi. Në vitin 1925 qeveri e Ataturkut nxori vendimin e mbylljes së të gjitha teqeve. Qeveria turke urdhëroi fetarët të hiqnin petkat e tyre sepse Turqia u kthye në shtet laik . Gjyshi Sali Njazi Dede nga Staria e Ersekës, refuzoi të heqë petkun dhe qeveria turke e vendosi përkohësisht në një hotel në Ankara. Në 1929 qeveria e Zogut e solli Kryegjyshatën në Shqipëri. Fillimisht ajo u vendos në Korçë, në teqenë e Turanit (fshat në Korçë), ku qëndroi dy vjet. Qendra në Turqi u kthye në muze dhe funksionon edhe sot e kësaj dite. Atje bëhet pelegrinazhe në gusht të çdo viti, në përkujtim të Haxhi Bektash Veliut. Qeveria e Mbretit Zog duke respektuar vullnetin e klerikëve bektashi me dekret të veçantë e emëroi në mars të vitit 1931, Sali Njazi Dedenë, Kryegjysh Botëror të Bektashinjve dhe me vendimin nr. 659, dt. 02.08.1930 vendosi Selinë e Shenjtë Botërore në Tiranë. Kryegjyshi Botëror Sali Njazi Dede qëndroi në krye të bektashinjve duke i trajtuar ata si bashkësi fetare e organizuar, jo politike dhe jo shtetërore. Kryegjyshata Botërore Bektashiane ka historinë e saj të hershme dhe të sotme edhe si është një nga katër komunitetet tradicionale fetare në Shqipëri. Në një dokument të vitit 1932, të arkivit të shtetit shqiptar thuhet: “Kryetari i teqesë së varrit të Haxhi Bektash Veliut në Kërshehir, Hirësija e Tij Kryegjyshi Salih Njazi, që është i fisit shqiptar dhe njihet si Papa i gjithë bektashinjve të botës, u shtrëngua të largohet nga qendra e madhe e bektashizmit, dhe erdhi e zu cak në Tiranë si Kryegjysh i Shqipërisë, gjithë duke mbajtur dhe ofiqin e tij të lartë si Krye i madh i këtij besimi në gjithë botën”. Sot Kryegjyshata Botërore Bektashiane përveçse një objekt kulti është kthyer edhe një destinacion turistik për shumë turistë nga e gjithë bota.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama