Studimet pas diplomimit/ A mundet qe nje master tju gjeje nje pune me te mire?

Studimet pas diplomimit/ A mundet qe nje master t'ju gjeje nje pune me te mire?

Statistikat tregojnë se njerëzit me master kanë më shumë gjasa për të gjetur punë, por shifra të tilla duhet të trajtohen me kujdes

Ishte dashuria për komedinë që e inkurajoi Alex Blower-in për të studiuar për një diplomë pasuniversitare në dramë. Pas një viti eksperiencë pune në aktivitete të ndryshme, ai vendosi se kualifikimi master do ta lejojë atë për t’u specializuar në fushën ku ishte i interesuar.  Ai thotë: “Unë nuk isha i sigurt në atë kohë nëse duhet të vazhdoja më tej arsimin tim apo jo, por unë e dija se do të më duhej një master për të bërë atë që doja, dhe se studimet master do të më jepnin një ide më shumë të asaj që unë duhej të bëja”.

Pas diplomimit në verë, ai është tani duke punuar në departamentin e zgjerimit dhe pjesëmarrjes në Universitetin e Birmingham, duke ndihmuar në rritjen e aspiratave në mesin e të rinjve që të ndjekin universitetin. “Duke pasur një diplomë master, më ndihmoi që të siguroja këtë detyrë, – shprehet ai. – Kjo do të thotë se unë e dija se çfarë vlere do të kishin për mua studimet pas diplomimit dhe sa i rëndësishëm është niveli i studimeve, dhe ai është me të vërtetë i dobishëm kur flasim për studentët. Përvoja e studimit me kohë të pjesshme duke punuar gjithashtu, provoi se unë kam qenë në gjendje për t’u organizuar dhe për të menaxhuar kohën time”.

Interesi në një fushë të caktuar është një nga arsyet më të cituara  nga studentët që ndjekin kurse master, sipas Charlie Ball, zv.drejtor i Qendrës së Kërkimeve në Arsimin e Lartë dhe Shërbimit të Karrierës (Hecsu), një organizatë kërkimore e specializuar në punësimin e të diplomuarve. Por, sipas tij ndërsa studentët janë gjithnjë duke paguar faturën për studimet e tyre pasuniversitare, jemi akoma në kërkim të një përgjigjeje nëse kualifikimet e tilla do të rrisin pagën e tyre. Në përgjithësi, statistikat sugjerojnë se njerëzit me kualifikim master kanë më shumë gjasa për të gjetur punë se ata me diplomë universitare – dhe ata kanë të ngjarë të fitojnë një pagë pak më të lartë se ata me diplomë të thjeshtë. Sipas statistikave, gjithashtu vërehet se ka rritje të pagës rreth gjashtë muaj pas mbarimit të kursit master. Nga të diplomuarit e vitit 2011-‘12, të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Arsimit të Lartë (HESA) tregojnë se 86.6% e të diplomuarve master ishin duke punuar në pozita profesionale gjashtë muaj pas diplomimit, në krahasim me 64% e të diplomuarve të shkallës së parë. Por shifra të tilla duhet të trajtohen me kujdes, thotë Ball. Numri i njerëzve që studiojnë në nivelin master është rritur me shpejtësi gjatë dekadës së kaluar, 11% e 26- 60-vjeçarëve në punë kanë kualifikime pasuniversitare, krahasuar me 4% në vitin 1996.

Çdo nxitje financiare ka të ngjarë të ndryshojë sipas profesionit që zgjidhet. “Ka sektorë ku, në mënyrë që të përmbushet një nivel i duhur profesional duhet një master; për shembull, është i nevojshëm një master në inxhinieri për rritjen profesionale, në mënyrë të natyrshme ka një premisë shumë të madhe për të pasur një master në inxhinieri. Ka kurse të tjera pasuniversitare ku ju mund të specializoheni në një fushë të punës, për shembull, duke bërë një master në punë sociale, e cila do të rrisë mundësitë e punësimit tuaj në atë profesion”.

Duke folur më gjerësisht, megjithatë, nuk ka aktualisht një treg të përgjithshëm pune për kualifikimet master, thotë Ball: “Mund të jetë në zhvillim, por nuk është akoma, kjo është arsyeja pse shumë vende pune kanë shpallur se kërkojnë një diplomë master”.

“Kjo do të thotë se të diplomuarit e shumtë me master, veçanërisht ata me kualifikime të përgjithësuara e jo profesionale, do të garojnë kundër të diplomuarve të shkallës së parë për punë”, shprehet Stephen Isherwood, shefi ekzekutiv i Shoqatës së Rekrutuesve të të Diplomuarve.

“Nëse ju jeni duke studiuar një master shkencor, për shembull, në një lëndë farmaceutike ose mjekësore – e cila ka një aplikim teknik në këtë fushë, do të keni favorin që punëdhënësi ta shohë këtë si një plus të madh, – thotë Isherwood. – Por, në qoftë se ju jeni duke bërë një master të një natyre më të përgjithshme, që nuk është thelbësore për punën që reklamohet, punëdhënësit ndoshta do t’ju shohin në të njëjtën mënyrë si të diplomuarit e tjerë. Është e pamundur që ata të të paguajnë më shumë se një i diplomuar i thjeshtë në atë fushë”. “Ata që kanë në xhep një diplomë masteri, duhet t’i tregojnë punëdhënësit sesi do të përfitojë kompania nga ky kualifikim shtesë”, – thotë Stephen Fish, një këshilltar karriere në Sheffield University. “Nëse ju keni bërë kurs master të përgjithshëm, që nuk kërkohet nga një punëdhënës i ardhshëm, atëherë ju keni nevojë për të treguar se çfarë aftësish keni fituar – aftësi hulumtuese, dhe kështu me radhë…Ju duhet të tregoni se jeni në gjendje për të studiuar diçka më thellë dhe të bëni analizë të mirë kritike, apo se keni një aftësi të transferueshme në të gjitha sferat e punësimit”. Sipas Fisher, duke qenë të vetëdijshëm për barrën financiare që ka studimi pasuniversitar për shumë studentë, universitetet janë duke kërkuar mënyra për të ndihmuar të diplomuarit master duke krijuar lidhjet me industrinë. “Ne jemi duke u përpjekur për të ndërtuar më shumë opsione punësimi për të gjitha llojet e kurseve pasuniversitare, duke bashkëpunuar me kompanitë lokale”.

Për shumë studentë mungesa e fondeve është pengesë për vazhdimin e  studimeve pasuniversitare. “Gjetja e fondeve nuk është e lehtë. Disa universitete mund të kenë mundësi të ofrimit të bursave, disa ofrojnë ulje për studentët të cilët lëvizin nga studimet universitare në nivelin pasuniversitar, marrja e kredive universitare është një rrugë e ndjekur shpesh, etj”. Ekspertët rekomandojnë se një kurs pasuniversitar është një përvojë pozitive, por ata theksojnë që studentët e ardhshëm duhet të mendojnë në mënyrë strategjike për kursin ku ata do të studiojnë. “Ju duhet të keni një qëllim të qartë dhe një ide të asaj që doni të merrni nga masteri. Nëse ju doni të studioni në fushën e industrisë, atëherë mendoni strategjinë – sigurohuni që jeni duke marrë më parë një përvojë pune në këtë fushë ose krijoni lidhjet për këtë gjë, dhe kështu do të lidhni punën me studimet tuaja”, – thotë Blower.

“Bëni sa më shumë kërkime në gjetjen e një kursi pasuniversitar, njësoj siç keni bërë kur keni kërkuar për të zgjedhur degën e studimeve universitare dhe mendohuni për qëllimin përfundimtar. Është shumë e rëndësishme që të mos nisni një kurs pasuniversitar duke menduar se kjo do të rrisë mundësitë për punë thjesht sepse është një diplomë masteri”, – shton Ball. “Juve do t’ju duhet të shpjegoni për punëdhënësit se kualifikimi juaj do të sjellë përfitime në realitet lidhur me llojin e punës që ata mund t’ju ofrojnë”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama