Studimet e doktoratures kerkohet nje model mbizoterues

Studimet e doktoratures, kerkohet nje model mbizoterues

Pavarësisht debateve të politikave europiane mbi mënyrën sesi duhet të arsimohen shkencëtarët e ardhshëm, duket se nuk ka një model mbizotërues për trajnim të doktoraturës. Këtë e konstaton një studim i Norbert Sabic dhe Achim Kemmerling, nga Universiteti Qendror Europian në Budapest. Vetëm bashkëpunimi midis ministrave të arsimit të lartë mund të çojë në më shumë përputhshmëri.

Studimi i Sabic dhe Kemmerling-ut, “Analiza krahasuese e Arsimit doktoral në Shkencat Politike dhe fushat e lidhura me të”, siguron të dhëna në të 21 parametrat e nevojshëm për rekrutimin e studentëve të diplomuar, mbështetjen e tyre financiare dhe organizimin e studimeve doktorale.

Të dhënat janë marrë kryesisht nga faqet e internetit të pesë institucioneve: Instituti i Universitetit Europian, EUI në Firence; Departamenti i Qeverisjes në London School of Economics and Political Science, LSE; Bremen International School of Social Sciences, BIGSSS: Harvard Kennedy School of Government; dhe Universiteti i Evropës Qendrore, CEU.

Ndryshime të shpejta

Pjesa e parë e studimit diskuton trendet aktuale dhe ndryshimet e shpejta në arsimin doktoral, për fat të keq me pak të dhëna për ndryshimet përtej vitit 2007.

Kjo shihet si shumë e dobishme për një rishqyrtim të mosmarrëveshjeve nëse arsimi doktoral është: një pjesë e ciklit të arsimit në një sistem arsimor masiv; një praktikë me bursë; një kontribut në dije me theks në kërkime origjinale; një program trajnimi kërkimor.

Gjatë viteve të fundit, me futjen e më shumë shkollave të strukturuara kërkimore, fokusi shpesh shkon në arsimin doktoral si kontribut në dije me theks në kërkime origjinale. Ka një theks të fuqishëm për këtë në procesin e Bolonjës, i cili deklaron se “komponenti bazë i trajnimit doktoral është avancimi i njohurive përmes kërkimit origjinal”, siç është rënë dakord në Bergen në vitin 2005.

Duke adoptuar studimin e Rob Gilberts të vitit 2009, Sabic dhe Kemmerling zbuluan se kontributi origjinal për dijet e disiplinës është ende objektivi kryesor i pjesës më të madhe të programeve të doktoraturës. Duke përshtatur modelin e zhvilluar nga Lori Thorlakson në vitin 2005, që harton një tipologji të arsimit doktoral në Europë me “standardizimin” për një aks dhe “integrimin” në aksin tjetër, autorët dalin në përfundimin se nuk ka një model mbizotërues, me gjithë rritjen e debatit të politikave europiane për mënyrën se si duhet t’i trajnojmë shkencëtarët e ardhshëm në dritën e tendencave të përgjithshme. Megjithatë, në terma afatgjatë ata mendojnë se procesi i bashkëpunimit mes ministrave të arsimit të lartë në Evropë do të përcaktojë një plan për reformën që “mund të çojë –për mirë apo për keq –në më shumë konvergjencë të trajnimit doktoral afatgjatë”.

Heterogjeniteti mbizotëron

Kur diskutohen 5 rastet studimore, bëhet e qartë se heterogjeniteti mbizotëron ende.

Është e dobishme të shihet se çfarë kritere aplikimi përdoren, çfarë dokumentacioni nevojitet, si janë të strukturuara programet e doktoraturës, si është e organizuar përzgjedhja e kandidatëve, si i promovojnë institucionet programet e tyre doktorale dhe sa shumë selektive janë disa (Shkolla Kennedy pranon 250 aplikantë për 18 vende) .

Me interes është edhe kohëzgjatja e studimit e matur me performancën e kandidatëve, organizimi i mbikëqyrjes dhe provimeve, kriteret për diplomimin, normat e përfundimit si edhe shtigjet e karrierës së studentëve.

Perspektiva krahasuese sjell me detaje sesi ndryshojnë institucionet, për shembull, në kurset e kërkuara, që shkon nga 64 kredite europiane në Shkollën Kennedy, në 32 në LSE.

Raporti gjithashtu krahason tarifat e shkollimit, të cilat shkojnë nga 30.669 euro në Kennedy School në 17.900 euro në LSE, 12.000 euro në Institutin e Universitetit Europian dhe 11.000 euro në Universitetin e Evropës Qendrore.

LSE aplikon një tarifë të diferencuar të bazuar nga vendi i origjinës së studentit, ndërsa BIGSSS thotë se nuk ka tarifë për shkollim. Disa nga institucionet aplikojnë për heqje të tarifës dhe disa të tjera ofrojnë grante. Në të pesë universitetet, aplikantët për programet e doktoraturës konsiderohen automatikisht për bursa, dhe pjesa më e madhe e studentëve të pranuar kanë lehtësira. Trendi më i qartë i tanishëm, deklarojnë Sabic dhe Kemmerling, është rritja e shpejtë e numrit të studentëve doktoralë, i cili duket se po akomodon kërkesën në rritje për arsimin e lartë.

Sfida e rritjes në numra është të sigurohen perspektiva të përshtatshme të tregut të punës për këta njerëz.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama