Struktura shoqerore e qyteteve

Ekonomia e re e tregut, që lindi në Shqipëri gjatë shek. XIX solli ndryshime në strukturën shoqërore të qyteteve. Por për shkak të ruajtjes së strukturës shtetërore feudale të Perandorisë Osmane, e cila qëndronte në fuqi vetëm në saje të dhunës, qytetet shqiptare nuk u çliruan dot nga zgjedha e shtresës së vjetër feudale sunduese. Përfaqësuesit kryesorë të saj, funksionarët e lartë të administratës shtetërore, shtresat e sipërme të klerit islamik dhe feudalët e fuqishëm derebej, të shkëputur si edhe më parë nga sfera e prodhimit, vijuan të grabisnin popullsinë dhe arkën e shtetit me anën e dhunës, të arbitraritetit, të mashtrimit dhe të spekulimeve. Për këtë arsye ata nuk ishin aspak të interesuar për ta ndryshuar strukturën ekonomike, shoqërore e politike të Perandorisë Osmane. Në kushtet e reja të krijuara nga veprimi i ligjeve ekonomike kapitaliste, karakteri parazitar i tyre u bë më i theksuar. Nga pjesëtarët e klasës së vjetër sunduese qenë prekur vetëm krerët e feudalizuar të esnafeve, të cilët, me heqjen e monopolit esnafor, humbën bazën e tyre ekonomike, si rrjedhim burimin e pushtetit të tyre të dikurshëm. Deri në vitet 60 ata vazhduan të bënin pjesë në shtresat e larta të popullsisë qytetare, vetëm për hir të traditës shekullore ose përkrahjes politike që Porta e Lartë u detyrua t’u jepte për të shuar trazirat e shkaktuara prej tyre.
Borgjezia tregtare, sidomos reshperët e mëdhenj, me rritjen e mëtejshme të tregtisë grosiste, u fuqizuan më shumë. Me krizën që shkaktoi ndër prodhuesit shqiptarë vërshimi i mallrave të huaja, edhe burimi tjetër i fitimit të tyre, fajdeja, erdhi gjithashtu duke u rritur (në vitet 80 në tregun e Shkodrës fajdeja kapte normalisht 50-60%). Në qytetet e pajisura me garnizone ushtarake reshperët nxorën fitime të mëdha edhe nga kontratat për furnizimin e ushtrisë me ushqime, veshmbathje e pajime të ndryshme. Në tregjet kryesore të vendit ata futën nën varësinë e tyre shumë nga zejtarët e vegjël dhe nga gratë shtëpiake, të cilat tani përpunonin lëndën e parë vendase të grumbulluar prej reshperëve dhe të destinuar për eksport (lesh, lëkurë, mëndafsh, bimë, fruta etj.). Reshperët u pajisën me anije lundrimi (12 anije deri më 1912) dhe përqendruan në duart e tyre kapitale tregtare e monetare të mëdha. Por kjo pjesë e borgjezisë, në kushtet e arbitraritetit të administratës osmane dhe të zhvillimit të dobët të tregtisë, nuk arriti të kalonte kapitalet e saj nga sfera e qarkullimit në atë të prodhimit, mbeti e lidhur deri në fund të sundimit osman me veprimtarinë tregtare e kamatare, duke i akorduar kredi edhe vetë financës shtetërore lokale. Veç kësaj, me hyrjen gjithnjë e më shumë të tokës në sferën e qarkullimit të mallrave, një pjesë e tregtarëve u bënë njëkohësisht pronarë çifligjesh, duke u kthyer kështu në një borgjezi reshpero-çifligare.
Forca e re shoqërore që lindi në këtë kohë, borgjezia industriale, për shkak të klimës mbytëse që sundoi për zhvillimin e ekonomisë së tregut, sidomos pas viteve 70, pati deri në fund të sundimit osman një peshë të parëndësishme.
Me zhvillimin e ekonomisë së tregut filloi të shfaqej në viset shqiptare edhe një shtresë tjetër shoqërore, punëtorët, bërthamën e së cilës e përbënin mëditësit e thjeshtë që punonin në fabrikat, minierat, kriporet, anijet, sharrat dhe punishtet e ndryshme. Por në radhët e kësaj shtrese shoqërore hynin edhe prodhuesit e tjerë të qytetit, siç ishin kallfët, çirakët, shegertët, muratorët, qiraxhinjtë, hamejtë, druvarët, prodhuesit e vegjël të pazarit e të shtëpisë që punonin për reshperët e mëdhenj dhe, së bashku me ta, shtresa e të papunëve. Punëtorët e të gjitha kategorive punonin pa përjashtim deri 14 orë në ditë dhe merrnin një pagë shumë të ulët, që shpesh jepej në formën e qesimit. Deri në fund të sundimit osman nuk doli asnjë legjislacion që të mbronte të drejtat më elementare të punëtorëve.
Me gjithë pasojat që pati për prodhimim e vogël vërshimi i mallrave të huaja, masën dërrmuese të popullsisë së qyteteve e formonin, si edhe më parë, zejtarët e tregtarët e vegjël. Edhe pse disa nga zejtaritë e vjetra u zhdukën nga pazaret e qyteteve ose ishin në rënie të plotë, forcimi i vazhdueshëm i lidhjeve të fshatit me qytetin u dha mundësi zejtarëve që merreshin me veshmbathjet fshatare t’i shpëtonin rrënimit ekonomik (zejtarët që prodhonin tirqe, shallvare, poture, kallca, opinga, breza, qeleshe etj.). Veç kësaj, në disa degë të prodhimit zejtar artikujt evropianë nuk arritën ta konkurronin prodhimin vendas, i cili shitej më lirë se prodhimi i huaj (prodhimet e remtarëve, të farkëtarëve, të poçarëve, të saraçëve, të këpucëtarëve etj.). Më në fund, rritja e kërkesave të vetë popullsisë qytetare solli në disa fusha shtimin e numrit të zejtarëve (rrobaqepës, marangozë, furrxhinj, sheqerxhinj, sahatçinj etj.). Zhvillimi i tregut të brendshëm, vërshimi i mallrave të huaja dhe zhvillimi i jetës qytetare sollën nga ana e tyre rritjen e mëtejshme të dyqaneve të tregtarëve të vegjël dhe të lokaleve të shërbimit social (hotele, hane, restorante, pijetore etj.). Por rritja e numrit të zejtarëve të vegjël nuk tregonte aspak lulëzimin e tyre ekonomik. Sikurse shënonte një udhëtar i huaj, që kaloi në Shqipëri më 1910, shumica e zejtarëve ishte e zhytur në varfëri të thellë dhe qëndronte në dyqanet e veta vetëm sepse nuk gjente punë tjetër.
Megjithëse ekonomia feudale ishte shthurur, sundimtari osman vijonte ta ruante të paprekur sistemin politik e shtetëror feudal. Ndërsa zhvillimi ekonomik e shoqëror i vendit kërkonte shkëputjen e viseve shqiptare nga grabitja sistematike e huaj, sundimtari osman përpiqej ta forconte më tej shtypjen e vet shekullore në Shqipëri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama