Teatri per femije Shkopi Magjik ne skenen e Teatrit Metropol

Teatri per femije, 'Shkopi Magjik' ne skenen e 'Teatrit Metropol'
Në datën 28 janar ora 10:30, në sallën "Çehov" të Qendrës Kulturore Tirana do të shfaqet teatri për fëmijë, "Shkopi magjik". Vepra shqiptare do të vihet në skenë me regji të Adelina Muçes; Autor: Edlira Gogu; Skenograf & Kostumograf : Rael Hoxha; Formulimi Muzikor : Leonard Derveni. Interpretojnë aktoret: Brunilda Borova; Lorenc Kaja; Ledio Janushi; Aldion Matarangasi.Vepra përcjell një mesazh shumë të vlefshëm për fëmijët.

Kur jemi te vegjël shpesh na duket se është e tepërt të punojmë. Meqenëse mami, babi, gjyshja, gjyshi na përkedhelin, na duket vetja të privilegjuar dhe këtu fillojmë të gabojmë. Po kështu edhe dy personazhet e veprës, Kokëkuqi dhe Faqekuqi, shkojnë tek gjyshja për të kaluar pushimet verore, ku përveçse kënaqen shumë, zbulojnë dhe një gjë të jashtëzakonshme.

Të dy vëllezerit çuditen sesi gjyshja e tyre ka 100 punë për të berë, për ç'do ditë, dhe ajo ndonëse e vetme i bën të gjitha më së miri. Si fillim, Kokëkuqi dhe Faqekuqi, kujtojnë se gjyshja patjetër duhet të ketë fshehur diku një shkop magjik me anë të të cilit ajo "fap" i kryen të gjitha punët. Ndaj të dy vëllezerit i vihen punës për të gjetur dhe ata një shkop magjik për veten e tyre. Kokëkuqi dhe Faqekuqi e donin shumë këtë shkop sepse me anë të tij ata do ti zgjidhnin shpejt e shpejt detyrat e shtëpisë që ju jepte mësuesja dhe punët që ju ngarkonte mami.

Ndaj shkojnë tek Ali zdrukthtari që tu japë një të tillë. Aliu pasi e kupton se për c'farë bëhet fjalë i siguron vëllezërit se gjyshja nuk ka një por dhjetë shkopinj magjikë. Ai i drejton për tek vendi ku ajo punon dhe u thotë: "nëse do ta ndiqni me kujdes gjyshe Melin kur punon, do ta gjeni menjeherë vendin ku ajo i ka 10 shkopinjtë e saj magjikë". Fëmijët që nga ai moment nuk ja ndajnë sytë gjyshes në c'do levizje që ajo bën. Pasi mundohen dhe mundohen për të gjetur 10 shkopinjtë magjikë, më në fund kuptojnë se ato janë dhjetë gishtat e duarve. Kuptojnë që këto 10 shkopinj magjikë i kanë edhe ata të dy, i ka c'do njeri, por jo të gjithë i vënë në përdorim. Ndaj në fund gjyshja u thotë: "lum si ata që dinë ti vënë në funksion këto 10 gishtërinj, atëhere c'do ditë e jetës së tyre do të ketë diçka magjike".

Ky është edhe mesazhi që vepra ju ofron spektatorëve të vegjël: "Që të jetojnë sa më mirë, sa më të lumtur, që të rriten të bukur dhe të shëndetshëm, duhet të punojnë dhe vetëm të punojnë për c'do ditë të jetës".

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama