Stefani replikon ashper me Dritero Agollin Shkerdhatokracia jote...

Stefani replikon ashper me Dritero Agollin: Shkerdhatokracia jote...

Gazetari Andrea Stefani ka replikuar shumë ashpër me shkrimtarin Dritëro Agolli pas një interviste të këtij të fundit.

Në një shkrim të botuar sot në “Gazetën Dita”, Stefani sulmon Agollin duke thënë se ato që Agolli ka deklaruar janë servilizëm dhe shkërdhatokraci, pikërisht ato që dikur Agolli vetë i ka sulmuar.

“Ato që Agolli deklaroi lidhur me Sali Berishën, Lulzim Bashën dhe Edi Ramën janë një tjetër ilustrim i asaj sëmundjeje të neveritshme që ka infektuar gjerësisht dhe elitisht në këto 25 vjet shoqërinë shqiptare. Dhe diagnostikuesi i parë i saj ka qenë Dritëroi, dora vetë. E ka quajtur shkërdhatokraci!

Shkërdhatokracia, sipas rastit, shpreh ose përkulje të njerëzve përballë politikës dhe politikanëve që, ç’është e vërteta, ruajnë aq shumë pushtet mbi jetët e njerëzve sa konkurrojnë edhe me fatin, ose një mungesë integriteti që shfaqet si lodhje, si braktisje, madje kundërshtim i të vërtetave që t’i ke mbrojtur me zell të zjarrtë dikur por, rrjedhimisht, edhe si përbuzje dhe arrogancë ndaj masës që duhet të besojë verbërisht çfarëdo që i thuhet nga mendjet e shquara që nuk janë “masë”.

***

Berisha një lexues tepër i përkushtuar dhe një politikan impulsiv që ja ka dalë falë këmbënguljes? Po kujt i duhen këto mburrje, kjo “etikë” servile për politikanin më problematik të tranzicionit? Aq më pak në gojën e një poeti si Dritëroi! Nëse Saliu qenka lexues kaq i përkushtuar, megjithëse nuk e rrezaton as në fjalë as në vepër, kjo është një tjetër provë se sa pak ndikon për korrektim kultura në një karakter të keq, nekrofil apo desktruktiv. Dhe paska vetëm një mëkat të pafalshëm: s’paska bërë spitale luksoze dhe nuk i paska dhënë shumë prioritet arsimit!

Dhe kush i thotë këto?

Patriarku i socialistëve që në vitin e mbrapshtë ’97, një kob që Shqipëria e vuajti pikërisht falë “këmbënguljes” së Saliut “për t’ia dalë” pra, për të qëndruar me çdo kusht në pushtet, deklaronte: “Kur Sali Berisha, të bjerë nga froni, 8 milionë shqiptarë do ta dënojnë më shumë se çdo diktator dhe vetëm atëherë Shqipërisë do t’i buzëqeshë paqja”.

E gjithë kjo, më vjen keq ta them, bie erë shkërdhatokraci. T’i bësh qejfin njerëzve me pushtet. Prandaj ata socialistët u mërzitën me Dritëroin kur, në 2011, uroi Bashën për fitoren. Nga se po bënte kinse një “politikë” për të mirën e vendit, për paqen, por që shkelte mbi të vërtetën. Dhe e mira e vendit nuk themelohet mbi gënjeshtrën.

Sepse të thuash që Luli fitoi në 2011, është gënjeshtër. Odiseja e rivlerësimit të votave të hedhura gabim, ka hyrë në analet e politikës si rasti më flagrant i uzurpimit të pushtetit me anë të një proceduralizmi antidemokratik dhe kapjes së institucioneve si KQZ e Kolegji Zgjedhor. Provë? Po a ka më provë se Arben Ristani, ish kreu i “pavarur” i KQZ, që sot është bërë një nga kamikazët e Berishës?

***

Po mirë mund të thotë dikush, Dritëroi po mburr ata që nuk janë më në pushtet, ku është shkërdhatokracia këtu? Së pari, në Shqipëri, nuk është e thënë të jesh pa pushtet edhe kur nuk je në pushtet. Së dyti, ka thënë jo pak edhe për Edi Ramën. E mburr për kulturën, për reformat, për frymëzimin (Uh!) që ai po sillka.

Ç’duhen këto mburrje për kryeministrin nga figura të shquara si Dritëroi? Nuk mjaftojnë servilizmat e lakejve që i rrethojnë dhe që çdo pushtet i ka me bollëk? Sa për ilustrim, në një inaugurim të paradokohshëm, “ma solli në fyt” një nëpunëse e Kryeministrisë, Falma Fshazi, me mburrjet për shefin e saj Ramën në prezencë të Ramës. Nuk e di nëse vetë Rama është sëkëlldisur. Të paktën, shpresoj.

Dhe pastaj, një meritë e Ramës qenka se po përpiqet “ta bëjë shtetin të kontrollueshëm”. Ruajna zot nga liderët që arrijnë të kontrollojnë shtetin! Sepse shteti jemi ne, qytetarët e tij dhe institucionet e pavarura. Ky është shteti që duhet të kontrollojë, në radhë të parë kryeministrat. Ajo që duhet të bëjë kryeministri është ta drejtojë qeverinë që t’i shërbejë shtetit, qytetarëve dhe, në bashkëpunim me institucionet dhe qytetarët, t’i pengojë të vjedhin paratë e shtetit.

Nuk ka asnjë dyshim se një pjesë e këtyre mesazheve vijnë nga një terminologji politike natyrshëm e pasaktë për një shkrimtar qoftë edhe të madh si Dritëroi Agolli që s’para merret me këto punë”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama