Starova Shulku le te prese nuk diskutohet titulli i Partizanit

Starova: Shulku le të presë, nuk diskutohet titulli i Partizanit

Sulejman Starova replikon me sekretarin e përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku, sa i përket titullit kampion të sezonit 2015-2016. Për "Bobin", është e padiskutueshme që UEFA njeh Partizanin kampion, në një kohë që deklarata e Shulkut pak ditë më parë ka bërë që në kampin e kuq të acarohen.

starova partizani

Megjithatë, Starova është i qetë në prononcimin e tij për "Panorama Sport", duke mos kursyer batutat për ishmbrojtësin e Partizanit, i cili aktualisht është në një post të lartë në institucionin e futbollit. "Së pari, i them Shulkut se dënimi i Skënderbeut është aktual. Nuk është aspak absurd, siç dhe kërkon ta cilësojë ai, sepse e ka dhënë organizmi më i lartë i futbollit në Europë, pikërisht ata që na drejtojnë ne.

Së dyti, është e paevitueshme që Partizani është kampion i Shqipërisë për sezonin 2015-2016. Unë e respektoj mendimin e Shulkut kur thotë se do të presim komisionet juridike. OK, ai si Ilir le të presë sa të dojë, por unë nuk e vë në diskutim që ne jemi kampionët, jo Skënderbeu që nuk merr pjesë në asnjë kompeticion të UEFA-s.

Starova-4

Nuk ka luajtur mendsh UEFA për të futur Partizanin në Champions si vendi i dytë. Përse luajmë në Ligën e Kampioneve, se jemi nënkampionë?! Jo zotëri, jemi ne kampionët dhe kjo është më se e logjikshme. E kuptoj Shulkun kur thotë se kërkon të respektojë institucionet dhe këtu ka të drejtë.

Mirëpo, e përsëris që është e paevitueshme që Partizani është kampion i sezonit të fundit. Kjo është diçka konkrete, sepse merr pjesë në një aktivitet ku përfaqësohen të gjitha klubet kampione të Europës. Si mund të marr unë pjesë në një aktivitet me kampionë pa qenë i tillë!? Kjo nuk do mend, por ka edhe njerëz që nuk u vjen mirë ta pranojnë", është shprehur Starova.

"Dervishi i ri në zanat, bën autogola"

Ish-trajneri i Partizanit replikon edhe me drejtorin e Kukësit, Dritan Dervishi, i cili dy ditë më parë kishte thënë për gazetën se Starova u bë si strateg që flet për të gjithë. "Ky që na tregon ne të mos futim hundët te Kukësi, bën autogol vetë dhe flet për aventurën e Partizanit në Europë!

OK, po i them zotërisë që ne jemi specialistë futbolli, ndërsa ai është i ri dhe shumë i vogël në këtë zanat këtu në Shqipëri. Ky është kampionati i dytë që ai është drejtues në një klub të Superiores, ndërsa sa u përket atyre që ka thënë, dua të theksoj se unë kur prononcohem në media, nuk e mbaj veten për strateg.

Ashtu si unë, edhe kolegët e mi respektojmë interesin e mediave dhe nuk është se kam ndonjë dëshirë për t'u bërë protagonist. Futbolli dhe i gjithë opinioni sportiv ka nevojë për median, në mënyrë që të rritet edhe niveli, ndërsa në deklaratat që unë bëj, kam edhe qëllim për edukimin e publikut.

demi starova dervishi partizani

Unë nuk e bëj këtë për të shitur mend, sepse nuk kam aspak nevojë. Kam 40 vite në punë me futbollin dhe nuk mbahem unë nga propaganda e mediave. Nuk e kam ditur që paska qenë pikërisht drejtori i Kukësit iniciatori i huazimeve, madje e kanë cilë- suar edhe si arritje këtë lëvizje. Në komentet e mia për Kukësin, kam vlerësuar lojën që bënë në Austri dhe kam theksuar se kanë qenë të pafat.

E kam uruar Kukësin, jo vetëm si ish-anëtar i këtij klubi, por kam krenari që kam qenë aty, sepse e dinë të gjithë çfarë ka bërë kjo skuadër në Europë. Unë e përsëris, që ajo që ka bërë Kukësi, duke marrë 4 lojtarë në huazim për një afat të shkurtër, nuk ndodh në asnjë vend të botës.

Kam kritikuar faktin që te Kukësi kanë bërë propagandë, duke e cilësuar këtë si sukses. Unë flas për fenomenin dhe këtë duhet ta kuptojë Dritani. Nuk e mbaj veten për strateg, sepse dihet kush jam unë. Ai të vazhdojë punën i qetë, sepse nuk i prish punë askujt me mendimet që jap, përkundrazi, dua t'i shoh mirë të gjithë.

Të japësh një gjykim, nuk do të thotë se po merresh me kundërshtarët. Kukësi ka rekordin që ka shkuar deri në 'play-off' të Ligës së Europës, por ne shkuam atje vetëm me një Karabeci në formë huazimi. Mirëpo, kur merr katër lojtarë në huazim me idenë që ata do të ikin pas një muaji, imagjino çfarë do të ndodhte nëse Kukësi kualifikohej. Pra, një javë përpara kampionatit do t'i largoheshin 4 titullarë! Këtë kam dashur të them, sepse nuk është strategji efikase", deklaroi "Bobi".

"Tentojmë mrekullinë, shanset janë 70 me 30"

Në fund, Starova foli edhe për ndeshjen e të kuqve në Austri, teksa beson ende se Partizani ka shanse për kualifikim. "Po mendojmë për ndeshjen e kthimit në Austri. Minimalisht duam të bëjmë një përfaqësim dinjitoz, por klubi ynë beson ende për një kualifikim të mundshëm në fazën 'play-off' të Ligës së Kampioneve.

Shpresat tona janë të mëdha dhe, përderisa Salzburgu nuk na rrezikoi asnjëherë në fushën tonë, edhe ne mund të bëjmë një rezultat historik në Austri. Pastaj, nëse ne nuk kualifikohemi, do të luajmë dy finale për Ligën e Europës dhe kjo është shumë e rëndësishme. Në ndeshjen e parë humbëm shansin që të merrnim një rezultat të madh, pikërisht atëherë kur mendonim se ishim më pranë se kurrë.

Shanset janë ende në lojë, edhe pse në letër duken të pakta. Mirëpo, specifika e këtyre takimeve e lë gjithçka të hapur. Ne mund të bëjmë gol të parët dhe të futemi në lojë, por nëse flasim me përqindje për mundësitë e kualifikimit, besoj se variojnë 70 me 30 ose 60 me 40 për Salzburgun", përfundoi ishtrajneri i Partizanit.

JORGIS MEMO



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama