Skenderbeu ka nje plan B nese denohet nga UEFA

Skënderbeu ka një plan B, nëse dënohet nga UEFA

Skënderbeu vijon të jetë në ankth dhe në pritje të seancës së radhës dëgjimore që do të mbahet në datën 1 qershor. ekipi kampion skenderbeu 2015-16Në kampin bardhekuq tashmë janë duke studiuar faktet dhe argumentet që UEFA dhe ekspertët e saj kanë përgatitur për hetimin. Drejtuesit korçarë në bashkëpunim me juristët e klubit dhe presidentin Takaj po hartojnë me shkrim dhe me pamje filmike mbrojtjen, pasi ata pretendojë se akuzat e ngritura karshi Skënderbeut janë totalisht të pabaza.

Sigurisht një gjë e tillë kërkon kohën e vet për t'u argumentuar, prandaj bardhekuqtë kanë kërkuar një afat pesëditor për të paraqitur mbrojtjen e tyre. Tani që data e seancës dëgjimore po afron, ankthi i vendimit që i pret bardhekuqtë bëhet akoma edhe më i madh.

Burime pranë klubt juglindor bënë me dije për "Panorama Sport" se pavarësisht që akuzat janë kryesisht jo bindëse, ankthi nuk është i vogël në radhët e korçarëve. Drejtuesit e klubit pretendojnë se akuzat e ngritura ndaj tyre në dosjen hetimore nuk mund të vërtetohen.

Por frika lidhet me faktin se UEFA do të jetë e prirur për të dhënë një masë dënimi për Skënderbeun, së pari, për të mbrojtur punën e vet dhe për të mos e çuar dëm gjithë këtë kohë të shpenzuar në mbledhjen e fakteve. Ndërsa, nga ana tjetër, do të kërkojë që të japin një shembull të qartë se në rast hetimi dënimet janë të pashmangshme kur bëhet fjalë për ndeshje që dyshohen si të trukuara. Sigurisht, ky nuk është verdikti përfundimtar i UEFA-s, por ajo çka mendohet në klubin bardhekuq.

Sytë nga KAS

Skënderbeu e ka edhe një plan B, nëse ndëshkohen. Pavarësisht se cili do të jetë vendimi që do të japë UEFA më datën 1 qershor në lidhje me çështjen e hetimit të klubit të Skënderbeut, që dyshohet se është përfshirë në trukim ndeshjesh si në Europë, edhe në kampionat, në kampin bardhekuq duket se të gjithë sytë janë te Komisioni i Arbitrazhit Sportiv.

Edhe pse në klub e parandiejnë një dënim të klubit të tyre nga UEFA, gjithsesi ata janë të vendosur që gjithçka ta apelojnë në KAS, duke ndjekur kështu shembullin e Shqipërisë pas ngjarjeve që ndodhën me ndeshjen ndaj Serbisë. Ata kanë bindjen e plotë se Komisioni i Arbitrazhit Sportiv do t'i japë të drejtë kundërshtimit të fakteve nga ana e Skënderbeut, që i cilëson si të pabaza akuzat e ngritura.

Nëse klubi bardhekuq do të marrë një masë ndëshkimore nga UEFA, sigurisht presidenti Takaj do të bëjë menjëherë apelim në KAS, për të kërkuar pafajësinë, si dhe duke paraqitur faktet e tij që rrëzojnë akuzën e UEFA-s. Por edhe nëse vendimi i UEFA-s nuk do të përkojë me një dënim karshi klubit korçar, sërish korçarët janë të mendimit që të çojnë më tej çështjen duke kërkuar dëmshpërblim nga instancat e futbollit europian për prishjen e imazhit dhe dëmin e shkaktuar karshi klubit gjatë këtyre dy javëve të mbushura plot me ankth dhe zhurmë.

Përgatiti: LLAZI SARO


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama