Skender Selimi vallezimi i fundit drejt qiejve

Skender Selimi, vallezimi i fundit drejt qiejve

Është ndarë nga jeta baletmaestri Skënder Selimi. Një nga koreografët e parë dhe një ndër krijuesit e baletit klasik, i cili vuri bazat dhe konceptet profesionale në Shqipëri. Mjeshtri i Madh, ndër studiuesit e rrallë e cilësorë të folklorit koreografik e problemeve të koreografisë shqiptare. Miq e kolegë i kanë dhënë dje lamtumirën e fundit mjeshtrit të madh në mjediset e Universitetit të Arteve, vend të cilit i dedikoi jetën

Ai që e kalon jetën duke vallëzuar, edhe vdekjen e sheh si një vallëzim…Duke besuar se asgjë nuk përfundon në këtë tokë, baletmaestri, profesori dhe themeluesi i katedrës së parë të baletit në Akademinë e Arteve të Bukura, Skënder Selimi u largua për të vazhduar vallëzimin në dimensione të tjera…

Ditën e djeshme ai i mblodhi edhe njëherë miqtë e kolegët, dashamirësit e familjarët në Universitetin e Arteve -ku padyshim shpirti i tij mbetet i gjallë brenda asaj godine – të cilët i dhanë lamtumirën mjeshtrit që u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare e më pas e përcollën në banesën e fundit. Skënder Selimi ishte një nga koreografët e parë dhe një ndër krijuesit e baletit klasik, i cili vuri bazat dhe konceptet profesionalë në Shqipëri. Mjeshtri i Madh, ndër studiuesit e rrallë e cilësorë të folklorit koreografik e problemeve të koreografisë shqiptare.

Regjisor-baletmaestri i parë ai, është autor i duetit të parë klasik shqiptar, “Anusha”, koreograf i kërcimit të parë modern shqiptar “Alba”, koreograf i vodevilit të parë shqiptar “Mirela”. Gjithashtu ai është autor i studimit të parë në fushën e koreografisë “Atllasi Koreografik Shqiptar”, pedagogu i parë dhe themelues i katedrës së koreografisë në AAB në Tiranë. Rektori i Universitetit të Arteve, Petrit Malaj vlerësoi kontributin e Prof.Dr. Skënder Selimit, një nga krijuesit e baletit klasik, i cili vuri bazat dhe konceptet profesionalë në Shqipëri, ndërsa Ministrja Kumbaro në një postim në rrjetet sociale e quajti përfaqësues të denjë të një brezi pasionantësh.

“Ndërroi jetë mjeshtri i kërcimit shqiptar, Prof. Dr. Skënder Selimi, për të vazhduar vallëzimin lart në qiell…Përfaqësues i denjë i një brezi pasionantësh të rrallë.

U prehtë në paqe!”- ka shkruar ministrja Kumbaro. Mjeshtër i Madh i Punës, Prof.Dr. Skënder Selimi mbetet një artist pa kompromise, dhe një i dashuruar i përjetshëm mbas baletit, skenës, jetës.

Rostisllav Vlladimiroviç Zaharov, një nga legjendat e baletit të ish-Bashkimit Sovjetik, do t’i vendoste i fundit, si kryetar i një jurie me emra aspak më të ulët se ai në famë, diplomës së studentit shqiptar Selimi vlerësimin “shkëlqyeshëm”. Kjo mund të duket si përrallë sot, por nuk kishte si të mos ndodhte kështu me dokumentin final të shkollimit të baletmaestrit shqiptar. Është njeriu që ka vendosur duetin e parë klasik shqiptar tek “Anusha”; koreograf i kërcimit të parë modern shqiptar të “Alba”; koreograf i vodevilit të parë shqiptar “Mirela”; autor i studimit të parë në fushën e koreografisë “Atllasi Koreografik Shqiptar”.

 

Dhe, jo vetëm kaq: pedagogu i parë dhe themelues i katedrës së koreografisë në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, Doktor-Profesori i parë me titull shkencor në fushën e koreografisë. Mjeshtër i Madh i Punës, etj…Ishte nga të rrallët studentë të ish-BRSS-së të gjysmës së dytë të shekullit XX, që mbylli shkëlqyer Institutin e Lartë GITIS (sot Akademia Koreografike) me pedagogë që çdokush nga balerinët e gjallë dhe të vdekur, as nuk i ka menduar. Selimi arriti ta disiplinojë për herë të parë me peshën e duhur në baletin kombëtar, folklorin kombëtar, folklorin e përpunuar, teorinë e koreografisë, baletin klasik dhe në përgjithësi në të gjithë artin shqiptar të kohës së tij. Mbaron shkollimin ushtarak “Skënderbej”.

 

Fillon të aktivizohet vetë në art, kor, teatër dhe kërcim intuitiv. Kur shqiptarët janë të çartur nga shkatërrimet e luftës, ky i ri i jashtëzakonshëm u mëson shokëve të vet kërcimet e kohës: tango, foks-strot, rumba, vals, çarleston dhe sidomos vallet popullore, pogonishte, napoleonin, zerqan, etj. Talenti do “ta privojë” nga ëndrra që të bëhet ushtarak i mirë. Nga arma shkon ngjitet në skenë. Kulmon në baletin“ Shatërvani i Bahçisarajt”, vënë në skenë nga regjisori rus Georgi Perkun, ku luan rolin e Nuraliut. Perkun i bën një vlerësim të lartë artistik, duke e konsideruar talent dhe student me perspektivë për artin koreografik. Po ai, i beson Kuazimodon, kur në skenë ngjit baletin e dytë “Esmeralda”. Në rolin më të vështirë, që e realizoi me shumë art, Skënderi trason udhën e vet, që institucionalizohet me bursën e studimit të lartë në fushën e Koreografisë, në Moskë tek Instituti i Lartë GITIS.

Në një nga shkollat më elitare të botës, ai do të shikojë se tashmë talenti i tij është jo vetëm për skenën, por edhe për diçka krejt tjetër madhore: teorinë e koreografisë, baletin klasik. Dhe këtë traditë të madhe do ta sjellë në një vend, që është shekuj pas dhe madje ende pa mjetet elementare artistike. Skënderi nuk ndalet. Është ai protagonist. Atje ku të tjerët shohin hone, ai shikon skena, ka librete në kokë dhe skenografitë në kokë i zenë vendin njëra-tjetrës.

 

Në Shqipëri do befasojë me baletet si “Anusha”, “Fadeta” “Zhurale”, “Silvia”, “Laurencia” “Sheherazade”. Kjo e fundit Balet në një akt, që e ka Premierën më 30 qershor 1963. Kur pas 43- vjetësh, së bashku me skenografin Agim Zajmi e ftojnë për ta rivënë në Teatrin e Operas dhe Baletit, vepra ka të njëjtin nur, por është edhe më elegante dhe emocionale. Profesorin nuk e lënë të zbresë nga skena, në një apoteozë që do ta ëndërronte çdo artist.

Deri më aty, repertori krijues i Skënder Selimit është i pafundmë: veç baletit, ai ka ndihur me krijimin e shumë valleve, kurse një meritë e madhe e tij janë shfaqjet teatrale ku ai ka dhënë ndihmesë shumë pasuruese. Lista këtu është e pakët, por kuptimplotë: Hamleti, Nata e dymbëdhjetë, Romeo e Xhuljeta, Borgjezi Fisnik, Letër e Humbur, Deputeti oportunesku, Ylli i Alpeve, Opera për dy grosh, Mbreti Lir, Valsi Titanik, Gjenerali i ushtrisë së vdekur etj.

 

Në vitin 1981 u mor vendimi zyrtar për të ardhur në Tiranë si udhëheqës shkencor në katedrën e koreografisë si pedagog, duke nxjerrë breza të tërë, që e adhurojnë deri në apoteozë profesorin e tyre, që e mbylli jetën në një shtëpi të thjeshtë, në muzgun e një jetë të jashtëzakonshme, por tashmë kaluar që në të gjallë në legjendë për brezat e artistëve shqiptarë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama