Simaku ne kerkim te gjuhes universale

Simaku, në kërkim të gjuhës universale

Veprat edhe pse të krijuara disa vite më parë, madje fituese të disa çmimeve ndërkombëtare, interpretohen premierë në kryeqytetin anglez. Simaku shpjegon se në to ndihet qartë harmonia e këngëve të jugut, e polifonisë ku zërat bashkohen për të na dhënë një iso të gjatë. Titulli i gjithë koncertit është "Radius" që i shqipëruar do të ishte një perimetër muzikor. Simaku paraqitet me veprat "Radius" – Kuartet Harqesh Nr. 2 dhe "Voci Celesti" – Kuartet Harqesh Nr. 3. Që të dyja pjesët kanë marrë çmime dhe janë ekzekutuar në Gjermani, Poloni e Zvicër. "Në një farë mënyre, këto dy pjesë janë të ndërlidhura me njëra- tjetrën dhe ajo që i bashkon është ideja e një "udhëtimi" imagjinar në kohë, në kërkim të një gjuhe, ku aspektet moderne dhe antike të shprehjes ndërthuren dhe kompensojnë njëra - tjetrën. Gjithashtu, në këto dy vepra ndihet fare mirë (të paktën, siç e dëgjoj unë) rezonanca muzikore dhe emocionale e këngëve të Shqipërisë së Jugut. Ndërthurja polifonike e linjave muzikore të të katër instrumenteve, në fund të fundit, reduktohet në një tingull të vetëm si qendër gravitacionale e muzikës, sikur të ishte një iso e vërtetë", - shpjegon kompozitori.


Është i kënaqur që veprat e tij ekzekutohen nga një kuartet si "Kreutzer", me të cilin bashkëpunon prej vitit 2000, kur violinisti i parë, Peter Sheppard Skaerved, interpretoi pjesën për violinë "Soliloquy I". Simaku thotë se Skaerved ka një aktivitet për tu pasur zili nga Amerika deri në Kinë. "Kreutzer Quartet" dha premierën e "Radius" në Augsburg të Gjermanisë në vitin 2003, ndërsa Peter si solist ka interpretuar krahas kësaj pjese edhe një tjetër në Nju Jork dhe disa festivale si në Munih, Jork, Athinë, Tiranë, Prishtinë etj. Së bashku me këtë kuartet, kompozitori shqiptar është duke realizuar një album. Incizimet kanë përfunduar dhe CD-ja do të dalë në treg së shpejti. Është prodhim i shtëpisë diskografike "NAXOS", që ka një shpërndarje mjaft të gjerë në shumë vende të botës. Në këtë CD përfshihen 6 vepra, dy kuartetet që do të luhen në 6 korrik dhe katër pjesë solo. Në pranveren e vitit 2008 "Kreutzer Quartet" do të japë dhe një koncert-portret në Jork.

Kështu, pas Londrës, muzika e Simakut udhëton në një tjetër destinacion. Të nesërmen e këtij koncerti, më 7 korrik, pjesa për violinë "Soliloquy I" ekzekutohet në Finlandë në festivalin ndërkombëtar "Time of Music". Këtë radhë vepra interpretohet nga violinisti finlandez John Storgårds. Ndërsa gjatë muajit tetor do të jetë i angazhuar me një projekt krijues në Akademinë e Muzikës "Hanns Eisler" në Berlin. Por deri atëherë ka ende kohë. Koncerti i 6 korrikut mban shumë emocion. Zhvillohet në kishën "St Bartolomeë the Greatt, në qendër të Londrës. E ndërtuar në vitin 1123, është një nga kishat më të vjetra të qytetit dhe njihet për arkitekturën e saj mbresëlënëse. Përveç koncerteve që jepen rregullisht, mësohet të jenë xhiruar dhe filma të tillë si "Four Weddings and a Funeral" apo "Madame Bovary" - prodhim i BBC-së.

Thoma Simaku është një nga kompozitorët e vetëm shqiptarë (për të mos thënë i vetmi), vepra e të cilit qarkullon në aktivitete dhe festivale ndërkombëtare. Prej disa vitesh ai jeton dhe punon si pedagog në Jork të Britanisë së Madhe.

A. Mile : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama