Si vdiq Skenderbeu?!

Si vdiq Skenderbeu?!

Nga se vdiq Skënderbeu?! A vdiq nga ethet e malaries? Deri tani historiografia jonë kësaj pyetjeje nuk i është “përgjigjur” saktë. Vdekja e Heroit është trajtuar në mënyrë “tangenciale”, pa u specifikuar saktë dhe në mënyrë të hollësishme. Në tekstet zyrtare nuk jepet shkaku i vdekjes. Ndërkohë që autorë të ndryshëm na japin përshkrime më të plota

Nga se vdiq Skënderbeu?! A vdiq nga ethet e malaries? Deri tani historiografia jonë kësaj pyetjeje nuk i është “përgjigjur” saktë. Vdekja e Heroit është trajtuar në mënyrë “tangenciale”, pa u specifikuar saktë dhe në mënyrë të hollësishme. Në tekstet zyrtare nuk jepet shkaku i vdekjes. Ndërkohë që autorë të ndryshëm na japin përshkrime më të plota. Pjesa më e madhe e tyre theksojnë se Skënderbeu vdiq nga ethet. Por cilat ethe i shkaktuan vdekjen Skënderbeut? Ato të malaries?! Le t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje duke i “rreshtuar” faktet dhe argumentet njëra pas tjetrës.

***

Skënderbeu vdiq në Lezhë, në 17 janar të vitit 1468 dhe u varros në katedralen e Shën Kollit. Për këtë ngjarje të dyja tekstet zyrtare të “Historisë së Shqipërisë”, të botuara nga Instituti i Historisë dhe Akademia e Shkencave, janë shumë të “kufizuara” në përshkrime. Duke mos u futur në hollësi rreth këtij problemi, ato nuk e theksojnë sëmundjen dhe shkaqet që e shkaktuan atë.

Në botimin e parë, atë të vitit 1959, të titulluar “Historia e Shqipërisë”, për vdekjen e Heroit thuhet: “Në pragun e kuvendit një ushtri turke, duke ardhur nga Kosova, sulmoi Shkodrën. Skënderbeu, i cili atë ditë ndodhej i sëmurë në Lezhë, nuk mundi të merrte pjesë në luftime. Ushtria shqiptare këtë radhë luftoi pa komandantin e vet dhe korri mbi turqit një fitore tjetër.

Pas pak ditësh, më 17 janar 1468, i mbuluar me lavdi të përjetshme, Gjergj Kastriot Skënderbeu, vdiq në Lezhë (Selim Islami-Kristo Frashëri, Historia e Shqipërisë, I, Tiranë 1959, f. 308).

Po kështu edhe në botimin e vitit 2002, të titulluar “Historia e Popullit Shqiptar”, vdekja e Skënderbeut trajtohet në të njëjtën mënyrë.“…Në janar 1468 Skënderbeu thirri në Lezhë kuvendin e fisnikëve të vendit. Ndërkohë një ushtri osmane e ardhur nga Kosova, sulmoi viset e Shkodrës. Ushtria shqiptare u mobilizua menjëherë, u doli përpara forcave armike dhe korri fitore në betejën që u zhvillua pranë lumit Kir. Këtë herë shqiptarët luftuan pa komandantin e tyre, Skënderbeun, i cili në atë kohë u sëmur” (Grup Autorësh, Historia e Popullit Shqiptar, I, Toena, Tiranë, 2002, f. 456).  Ndërkohë që burimet e ndryshme, dokumentet dhe tekstet historike, na japin informacion më të bollshëm rreth vdekjes së Skënderbeut. I pari dokument zyrtar që na njofton vdekjen e tij është letra e ambasadorit të Milanos në Venecia, Girardo De Collis. Pasi lajmi për vdekjen e Heroit mbërriti në Venedik, në 12 shkurt të vitit 1468, ambasadori milanez nuk nguroi, por i shkroi një letër urgjente dukës së Milanos, Galeazzo Maria Sforza, pikërisht atë ditë, duke njoftuar se: “Skënderbeu u nda nga kjo jetë. Kish ethe dhe, meqë vendin po e përshkonin turqit, deshi t’i hipte kalit, e vdiq brenda tre ditëve ( Monumenta Hungaria e Historica, Nagy-Nyary, 1466-1490, nr. 59, f. 93).

Më pas, lajmi  “mori dhenë” në të gjithë Europën. Njoftimin e përhapur në territoret venedikase e mësoi në Santa Maura, në ishullin e Jonit edhe historiani bizantin, Sfrances, i cili në “kronikën” e tij shkroi: “Në vitin 1467, në muajin nëntor edhe unë shkova në Santa Maura…. Kurse në muajin janar të po të njëjtit vit (1468),  vdiq prej vdekjes natyrale, sundimtari i Shqipërisë,  i quajturi Skënderbe (Koço Bozhori, Lufta Shqiptaro-Turke në Shekullin  XV, burime bizantine, Tiranë, 1967, f. 108).

Edhe bashkëkohësi i Heroit, Gjon Muzaka, i cili ishte i pranishëm në Shqipëri në vitin 1468 kur vdiq Skënderbeu, kohë më vonë, pikërisht në vitin 1510, do të shkruante në testamentin e tij, se: “Vetë Skënderbeun e sfilitur nga armiqtë, e gati të pashpresë, e zunë ethet në Lezhë, ku edhe vdiq…” (Kronika e Gjon Muzakës, cituar te Pëllumb Xhufi, Nga Paleologët te Muzakajt, SH.B. 55, Tiranë, 2009, f. 419).  Po kështu edhe Dhimitër Frëngu (1443-1525), një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Skënderbeut dhe dëshmitar okular i kësaj ngjarjeje, shkruan kështu në veprën e tij  “Komentar për punët e turqve dhe të Gjergj Kastriotit, princ i Epirit”, se: Heroi: “…u detyrua të ndalej për një kohë të gjatë në atë vend, sepse e zuri një ethe e fortë” (Komentar për bëmat e turqve dhe të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, princ i Epirit, cituar te Kristo Frashëri, Skënderbeu dhe Lufta Shqiptaro-Turke në Shekullin XV, I, Toena, Tiranë, 2005, f. 348).

Por autori që e përshkruan më gjerësisht vdekjen e Skënderbeut është biografi i tij Barleti. Në historinë  e tij, të botuar në vitin 1510, 44 vjet pas kësaj ngjarjeje, Marin Barleti shkruan se: “Në kohën kur ai e kish shëtitur me kalë të tërë krahinën për të shikuar ushtrinë dhe kishte arritur më në fund në Lisos, për të thirrur atje në mbledhje shokët dhe të konfederuarit…e zunë një palë ethe të rënda” Marin Barleti, Histori e Skënderbeut, Tiranë, 1964, f. 489).

Më pas në librat e ndryshëm të historisë vijojnë pohimet për një vdekje natyrore të Heroit. Dhe të gjithë i referohen të dhënave të para, se Skënderbeu vdiq nga ethet por pa e përcaktuar se cila sëmundje i shkaktoi ato. Biemi ose siç quhet ndryshe edhe Tivarasi, thekson se Skënderbeun “e zunë një palë ethe të forta që e detyruan të zinte shtratin” (Giovanni Maria Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-Begh, G. M. Rizzardi, Brescia, 1756).

Kështu Zhan Klod Faverial, një tjetër autor shkruan se: “Më në fund, një palë ethe të larta e ndajnë nga kjo botë, në kohën kur ai po hartonte planet për operacione të reja bashkë me fisnikët shqiptarë, të mbledhur në Lezhë” Zhan Klod Faverial, Historia e Shqipërisë, Plejad, Tiranë, 2004, f. 284).Edhe Fan Nolin në të gjitha botimet e tij për historinë e Skënderbeut e pranon faktin se Skënderbeu vdiq nga ethet. Në botimin e parë të vitit 1921, të titulluar “Histori e Skënderbeut”, Noli shkruan midis të tjerave se: “Atje (në Lezhë) u sëmur nga ethet dhe u shtri në shtrat nga i cili s’u ngrit më” (Noli, Vepra IV, Tiranë, 1989, f. 194). Ndërkohë që këtë gjë ai e pohon edhe te botimi dytë, ai i vitit 1947, i titulluar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” (Po aty, f. 388).

Edhe Abas Ermenji shkruan për këtë rast se: “…Skënderbeu u sëmur nga ethet” (Abas Ermenji, Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë, Çabej, Tiranë, 1996, f. 86).

Ndërsa publicisti dhe shkrimtari Tajar Zavalani, në veprën e tij të botuar në Londër “Histori e Shqipnis”, përveç pranimit të këtij fakti bën edhe një përshkrim të letrarizuar. Ai shkruan se Skënderbeu “…u mposht nga një ethe e mallkuar që nuk i gjendej dermani” (Tajar Zavalani, Histori e Shqipnis, Phoenix e Shtëpia e Librit, 1998, f. 133).Vdekjen e Skënderbeut nga ethet e pranon si fakt edhe historiani Kristo Frashëri. Te libri i tij “Skënderbeu, Jeta dhe Vepra”, ai citon për këtë rast, autorë të tillë si Marin Barletin, Gjon Muzakën, apo ambasadorin e Milanos Girardo De Collis (Kristo Frashëri, “Skënderbeu, Jeta dhe Vepra”, Toena, Tiranë, 2002, f. 476).

***

Si njohës i mirë i traditave të arbëreshëve të Italisë së Jugut, Ernest Koliqi e gjeti këtë të dhënë  në komunitetet e tyre, të cilat i kishte vizituar shumë herë përgjatë viteve që jetoi në Itali.

“Dyndja e shqiptarëve drejt Italisë u ba ma e dendun mbas vdekjes së Skanderbegut prej etheve malarikë në Lezhë kallndorin e vitit 1468”, referonte dikur Koliqi, në një konferencë për Skënderbeun, të mbajtur në Kozencë, në vitin 1964 (Ernest Koliqi, Vepra 4, Sh. B. Faik Konica, Prishtinë, 2003, f. 119).Autori tjetër që e pohon këtë gjë është Edwin Jacques. Në librin e tij “Shqiptarët”, ai pohon se Skënderbeu vdiq nga malaria ( Edwin Jacques, Shqiptarët, Kartë e Pendë, 1995, f. 212).Ndërkohë që pranimi i faktit se Skënderbeu vdiq nga sëmundja e malaries vjen edhe nga fusha e mjekësisë. Do të ishte Anton Ashta, mjeku që u mor gjatë gjithë jetës së tij me studimin dhe luftën kundër sëmundjes së malaries në Shqipëri, i cili do të theksonte se :“Malaria këputi edhe jetën e Heroit tonë Skënderbeut” (A. Ashta, Malaria në Shqipni, U. SH. T, Tiranë, 1961, f. 80).Dhe për treguar dëmet që sillte kjo sëmundje dr. Ashta e ilustron në këtë mënyrë situatën. “Në vendin tonë malaria ka qenë sëmundja që prej kohnave ma të lashta ka damtue randë shëndetin  e popullit me të gjitha pasojat shkatërrimtare, shkruan dr. Ashta në studimin e tij “Malaria në Shqipni”

“Shumë qytete bregdetare të vendit tonë plot gjallni dhe tregti në shekujt e kaluem sot janë gërmadha, e nji ndër shkaqet e rrënimit ka qenë malaria. Mjafton me i lëshue nji sy rretheve të Butrintos, Durrësit dhe Shkodrës për të pa damet e shkaktueme nga epidemitë malarike. Në 1470 sa për të paraqit një shembull, nji epidemi e randë malarike u zhvillue në Shkodër e ushtria turke që rrethonte Shkodrën pësoi prej malaries nji humbje prej 20 000 vetash (Po aty, f. 7).

Nëse do t’i referoheshim këtij autori, shohim se Lezha, vendi ku vdiq Heroi, përfshihej në zonën me infeksion  të rëndë malarik. Po t’i referohemi statistikave të vitit 1945, indeksi i njerëzve me shpretkë të zmadhuar në këtë zonë arrinte në shifrën 20.6 % ( Po aty, f. 86). Ndërkohë që në të kaluarën nuk ishte vetëm rajoni i Ultësirës Perëndimore që vuante nga malaria. Në një shkallë më të vogël, malaria, ishte ekzistente edhe në zona të tjera të Shqipërisë, si në Krujë, Mat dhe Dibër, të cilat dikur ishin pjesë përbërëse e principatës së Kastriotëve dhe shtetit të Skënderbeut.

***

Në historiografi ekzistojnë edhe disa hipoteza të tjera të cilat theksojnë se Skënderbeu vdiq nga shkaqe të tjera. Ndër to, më kryesorja dhe më intriguesja është ajo që thekson se Heroi vdiq nga helmimi. Autori i saj është Rafael Volaterrano i cili te “Komentarët” e tij shkruan se Skënderbeu “vdiq i helmuar” (Rafael Volaterrano, Comentari, libri III, f. 188).Interesantja e kësaj teze është se ajo ka nxitur herë pas here autorë të ndryshëm, të cilët në shkrimet e tyre e kanë trajtuar idenë se Skënderbeu mund të jetë helmuar nga fuqitë perëndimore, të cilat kërkonin që në këtë rajon të mos kishte konflikt me osmanët. Ndërkohë që një tezë tjetër ka qenë edhe ajo që theksonte se Heroi ra në shtrat dhe vdiq pasi u  plagos në betejë. Pavarësisht se teza të tilla janë intriguese për publikun, ato kanë rënë për disa arsye.

Edhe logjika e zhvillimit të ngjarjeve të kohës e kundërshton një helmim të mundshëm, jo vetëm nga ana e Venedikut por edhe prej mbretërisë së Napolit. Por nëse ai do të ishte helmuar sot do të kishte dalë qoftë edhe një dokument apo shënim që do ta pohonte një gjë të tillë. Ky ishte edhe fundi i Skënderbeut. I pamposhtur asnjëherë në fushën e betejës ai vdiq në shtrat i mposhtur prej sëmundjes së nuk bënte diferencime midis njerëzve të thjeshtë apo heronjve.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama