Si u vra Hasan Prishtina?

Si u vra Hasan Prishtina?
U mbushën 79 vjet që nga data e 13 gushtit të vitit 1933, ku në qytetin e Selanikut u vra në pabesi dhe mizori ish-Kryeministri i Shqipërisë, Hasan Prishtina. “Gjatë viteve të qëndrimit tim në Selanik dhe duke kërkuar nëpër arkivat greke gjeta gazetën greke ‘Μακεδονικα Νεα’ (Maqedonia e Re) të asaj kohe, që mbetet i vetmi dokument historik që sjell një foto të Hasan Prishtinës i vdekur, si dhe ngjarjen me imtësi”, shkruan Arben Llalla për INA.

Në gazetën e datës 14 gusht 1933, është botuar dhe fotografia e vrasësit Ibrahim Çelos. Gazeta shkruan për jetën, veprimtarinë dhe pasurinë në Selanik të Hasan Prishtinës dhe na sjell një fakt të vërtetë për datën e vrasjes së tij që deri më sot shumë historianë shqiptarë që janë marrë me figurën e tij e kanë gabuar duke shkruar si datë të vrasjes 14 gushtin e 1933, por sipas gazetës së kohës është data 13 gushti 1933.

“Afër vendit ku është qëlluar Hasan Prishtina ndodhej vendi i punës ku unë punoja për disa vitesh në Selanik, ndërsa shtëpia e tij ishte afërsisht një kilometër larg, dhe mund të kaloja disa herë në ditë në atë rrugë. Por, asnjëherë nuk do më shkonte ndërmend se ai vend do të kishte lidhej me një ngjarje tragjike për historinë e kombit tonë. Për fat të keq nga shumë studiues dhe historianë që janë marrë me figurën e Hasan Prishtinës anashkalohet data e vrasjes së tij dhe shtëpia që ndodhet në qytetin e Selanikut.

Disa herë bëra përpjekje se mbase gjendej ndonjë dashamirës për të financuar një film dokumentar rreth viteve të jetës së këtij burri të shquar, por ndesha në vesh të shurdhër”.

Gazeta greke, një ditë mbas vrasjes së Hasan Prishtinës, shkruan për ngjarjen që tronditi Selanikut më 13 gusht të vitit 1933. Gazeta e asaj kohe shënonte se Hasan Prishtina është pronar i ndërtesës së sotme “Shkolla e të Verbërve”. Gazeta e kohës përshkruan vdekjen tragjike të atdhetarit, politikanit të madh Hasan Prishtinës. Në faqet e gazetës shkruhej: “Një tjetër vrasje që u bë në rrugën Çimisqi, tronditi Selanikun. Politikani shqiptar Hasan Prishtina u vra në qoshen Çimisqi në Vogaxhiku, përpara bakallhanes ‘IVI’. Shqiptari Ibrahim Çelo, 28 vjeçar, i papunë, qëlloi pesë herë ish-kryeministrin shqiptar Hasan bej Prishtinën”.

Vrasja u krye në orën 2 mbas dite më datë 13 gusht 1933. Në rrugën Çimisqi u pa një zotëri i moshuar, i mbajtur mirë dhe me tipare simpatike, të ecte përkrah e të fjaloste me një person të veshur mirë, i gjallë, sa e tradhtonte dhe toni i zërit. Arritën në kryqëzimin e rrugës Çimisqi-Vogaxhiku dhe po drejtoheshin për tek bakallhane ’’IVI’’ dhe në largësi, dy hapa nga kinkaleria e invalidit J. Janopullo. Njeriu me pamje të zymtë nxori rrufeshëm revolverin e markës “SMITH” dhe shtiu kundrejt bashkëbiseduesit, i cili ishte Hasan bej Prishtina, që ra në trotuar. Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të parrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretën në kokë, si e shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurt për përfundimin e aktit të vrasjes.

Fill pas krimit të tij, vrasësi, që t’i ikë rrezikut prej turmës së mbledhur që u vu për ta kapur, ia dha vrapit nga rruga Vogaxhiku. Nga tronditja ai ra në vitrinën e tregtores “Beharnae” të cilës ia dëmtoi tendën, por rimori veten, për t’u turrur drejt rrugës “Paleon Patron” ku u rrethua nga turma që e ndiqte me synime të errëta.

Vrasësi hyri në banesën e mjekut z. Dukidhis, ku dhe ju dorëzua rojës së policisë. Por, nuk mundi t’i ikte egërsimit të turmës. Kalimtarët që e ndoqën dhe banuesit fqinjë të çdo moshe, shtrese, pa ditur identitetin e tij dhe as motivet e vrasjes, të indinjuar ndaj egërsisë që tregoi vrasësi ndaj viktimës, sa panë të vije skuadra e policisë, u turrën dhe ata duke thirrur: “Shqyeni, shqyeni, vrasësin”. Ndërsa, polici më kot përpiqej të shpëtonte atentatorin. Turmat u turrën ndaj tij dhe nisën ta grushtojnë, duke i shkaktuar mavijosje në pjesë të ndryshme të trupit. Do ta kishin çarë përgjysmë vërtet, nëse nuk do ia mbërrinte të hynte në një tjetër shtëpi, në rrugën ’’Paleon Patron’’, ku u strehua nga i zoti i shtëpisë, i cili nxitoi tu mbyllte derën e jashtme turmave të zemëruara.

Pas pak mbërriti sekretari i policisë, nëntogeri z. Zografo, dhe vrasësin e transferuan me motoçikletë në Seksionin e tretë të policisë. Hasan Prishtina, i mposhtur nga plagët, u dërgua ndërkohë në Spitalin Popullor, ku trupit të tij iu bë autopsia.

Në orën 2.50 minuta pasdite, oficeri Sotiriu nisi hetimet me përkthyes, pyeti vrasësin nëse e njeh gjuhën greke, ai u përgjigj se njeh gjuhën shqipe, frënge dhe gjuhën turke.

Vrasësi nënvizoi se akti i tij u dedikohet motiveve politike. Ndërkaq, pretendoi se ish-kryeministri i atdheut të tij ishte komit dhe bashkëpunonte me komitetin bullgaro-maqedonas me qëllim që të vrisnin mbretin e Shqipërisë Ahmet Zogun. Planet, thotë atentatori, m’i tregoi Hasan Prishtina përpara pesëmbëdhjetë ditëve, kur po vinim prej Vjene (Austri) dhe më bënte presion që të bëhesha unë kryetar i bandës komite dhe të shkoja në Tiranë ku të vrisja mbretin Ahmet Zogun.

Prishtina, vijon vrasësi, më premtoi shpërblim mujor dhe një shpërblim dhuratë mbas aktit të vrasjes, por unë i kundërshtova këto propozime të tij, sepse jam pro regjimit te mbretit Ahmet Zogu dhe nuk dëshiroja të bëhem vegël e Hasan Prishtinës, të cilin në Shqipëri e quajnë tradhtar.

Ibrahim Çelo jetonte në Nikea të Francës dhe ishte tregtar frutash. Ishte i martuar me një spanjolle, me të cilën kishte dhe fëmijë. Atje u njoh përpara disa vitesh me Hasan Prishtinën, që ish shpërngulur në Nikea për hir të çlodhjes dhe kishin lidhur marrëdhënie familjare. Gjatë njohjes midis tyre Hasan Prishtina i kish treguar për rininë, vështirësitë që kishte kaluar pas largimit nga Shqipëria në Turqi dhe në Bullgari. Në Turqi pat gjetur miq të vjetër dhe bashkëluftëtarë kundër xhonturqve. Morri pjesë në një shoqatë të fshehtë me bashkatdhetarët e vet për çështjen shqiptare.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama