Si ndihmuan roberit dhe ish-ushtaraket e Zogut ne cminimin e bregdetit

Si ndihmuan robërit dhe ish-ushtarakët e Zogut në çminimin e bregdetit
Në organizimin e pushtetit vendor në atë mënyrë që të mos bëhej luftë kundër gjermanëve dhe ti shërbente atyre. Në asgjësimin e forcave të rezistencës (forcat partizane). Menjëherë trupat gjermane u vendosën në pikat kyçe të bregdetit, ndërtuan pika mbështetje për trupat e këmbësorisë, për mbrojtjen bregdetare me artileri etj. Ndër problemet kryesore ishin dhe vendosja e pengesave xheniere në gjithë plazhet e vendit, kudo ku qe i përshtatshëm vendi për zbarkimin e mjeteve detare. Komanda gjermane e pushtimit për vendosjen e pengesave xheniere, përdori forcat xheniere të çdo divizioni, si dhe forcat të batalioneve të këmbësorisë. Pengesat qenë kryesisht me mina ku zotëronin ato kundërtanke, por u vendosën midis tyre dhe në brezat më në thellësi edhe pengesa me mina kundër këmbësorisë shumë të rrezikshme, që viheshin në veprim edhe me shtypje kur shkeleshin, si dhe me tërheqje të telave. Po kështu u vendosën pengesa me tela me gjemba, me tel të hollë, me gozhdë etj. Rëndësi të madhe iu kushtua minimit të plazhit të Durrësit e të Golemit, Kripores së Kavajës, në derdhje të Semanit, në gjirin e Kakomesë, të Sarandës etj. Qindra kamionë me mina kundërtanke e kundëranijeve dhe mina kundër personave, erdhën posaçërisht nga Serbia. Dhjetëra mijëra mina u vendosën në tokë, në buzë të ujit dhe në thellësi të ujit. Dhjetëra mijëra mina të tjera u vendosën në thellësi të vendit për të përforcuar mbrojtjen e divizioneve, depove ushtarake e objekteve të tjera, për ti ruajtur ato nga sulmet e forcave shqiptare. U mbollën në tokën shqiptare mjetet e vdekjes, që më pas bënë vrasje të njerëzve e banorëve të pafajshëm kudo që ato u vendosën. Por, ashtu si ushtria fashiste italiane që kapitulloi dhe ushtria gjermane u mund nga forcat aleate anglo-ruso-amerikane dhe Shqipëria u çlirua nga UNÇL.

Ish-oficeri madhor i xhenios dhe studiuesi Ramiz Fiçori, i cili nuk i ndahet hulumtimeve në Bibliotekën Kombëtare tregon për “gazetën” se minat vdekjeprurëse të fshehura nën tokë “përgjonin” dhe kush i prekte ato i merrnin jetën. Duhej menjëherë të pastroheshin plazhet e toka e minuar për ti shpëtuar ato nga mjetet e vdekjes dhe tu ktheheshin plazhet njerëzve. Por jo vetëm plazhet qenë minuar, por edhe shumë objekte të rëndësishme siç qe porti i Durrësit, shumë rajone deposh e rezervash materiale-teknike, urat qenë minuar, aerodromet e atëhershme dhe mjaft objekte të tjera. Natën e vitit të ri 1945 duke çminosur disa depo në Maminas ra dëshmori i parë, xhenieri kapiten Panajot Haxhimihali. Për të çminosur vendin u ngrit një batalion, ndërsa në fund të muajit mars 1945 doli urdhri për çminimin e portit dhe të plazhit të Durrësit ku ishin vendosur minat gjermane. Më 1 prill 1945 në fushën e kazermave të xhenios siç thuhej u rreshtuan dy batalione, njëri xhenier e tjetri i ndërlidhjes, që vareshin nga komanda e xhenios që ishte krijuar në vartësi të komandës së përgjithshme të ushtrisë. Batalioni xhenier kishte afërsisht 300 veta. Për të fillonte një detyrë mjaft e rëndësishme dhe me përgjegjësi të lartë. U dha urdhri që ky batalion të përqendrohej në plazhin e Durrësit për të kryer detyrën e çminimit. Me të marrë detyrën efektivat e batalionit u nisën në marshim dhe u vendosën me çadra te Plepat në Durrës, ku që në ditët e para vajtën në këtë batalion 15 oficerë të specialitetit xhenier të vjetër d.m.th të ushtrisë se Zogut që nuk kishin marrë pjesë në lufte. Këto erdhëm për të stërvitur minatorët duke dhënë ndihmën e tyre si specialistë, me qëllim që të kryhet detyra pa humbje njerëzore. Këtij batalioni i dha ndihmë dhe një grup robërish gjermanë, specialistë xhenierë, të cilët ishin marrë me minime dhe çminime, ndoshta ndonjëri prej tyre kishte marrë pjesë dhe në vendosjen e këtyre minave në plazh dhe tani duhet ti çminonte. Këta robër qëndronin në kamp në Divizionin e Durrësit, silleshin të punonin 5-6 orë në ditë dhe largoheshin përsëri në drejtim të kampit. Batalionit i qe caktuar detyrë të çminosë territorin prej Kripores së Kavajës deri te Ura e Dajlanit për një afat prej 3-4 muaj. Puna filloi me kujdes të madh, kishe të bëje vetëm me vdekjen dhe çfarë vdekje se, minat të bënin copa po të plasnin, bile të zhduknin fare, për një gabim të vogël, për një mungesë vëmendje mund të hidheshe në erë. Këtu e kupton mirë atë thënien që shpesh herë përsëritet “xhenieri një herë gabon”. Sipas z. Fiçori, u bë një përzgjedhje me njerëz të kujdesshëm, të cilët në fillim i zbulonin minat d.m.th i gjenin ku ishin, pastaj me tërë kujdesin i nxirrnin nga toka, pastaj i merrnin me të dy duart dhe i dërgonin në vendin e caktuar si depo. Disa ushtarë ishin caktuar vetëm ti nxirrnin nga toka, disa vetëm për ti transportuar në vendin e caktuar dhe prej andej me makinë në depo që ishin caktuar jo shumë larg. Minatorët sapo ta gjenin minën zbërthenin mekanizmin e shkrepjes dhe e ndanin nga mina dhe e ruanin më vete. Minat që kanë qenë më të shumtat kanë qenë minat kundërtanke, që peshonin afër 7 kg dhe që kishin 5,5 kg eksploziv. Përveç minave kundërtanke më në thellësi të plazhit, në pyll apo gërmusha ka pasur edhe mina kundër këmbësorisë, sidomos ato më të rrezikshme SM 1-35 sharapel. E gjithë pjesa fushore e rërës ishte e minuar, por kishte mina edhe në pjesën ujore deri në 5 m thellësi. Ato qenë vendosur në bazamente betoni, për të mos i përmbytur e lëvizur valët e detit. Në përgjithësi i gjithë plazhi i Durrësit gjatë verës 1945 deri në shtator u çminos dhe u nxorën rreth 18 mijë copë mina kundërtanke e rreth 2 mijë mina kundër këmbësorisë. Por, me gjithë kujdesin dhe kontrollin e imët, përsëri mbetën mina të fshehura në tokë, prej të cilave e kanë pësuar automjete e njerëz gjatë viteve pasardhëse. Kur diktoheshin mina thirreshin xhenierët që i neutralizonin ato. Gjatë çminimit u vranë e plagosën disa veta, të vrarë pati edhe nga robërit gjermanë. Puna për çminimin në tërë hapësirat e minuara vazhdoi në vitet pasardhëse Në fillim të vitit 1946 në jug të Shkëmbit të Kavajës, në një përrua qe ndërtuar një depo ku ishin grumbulluar minat e nxjerra nga toka. Po një ditë të zezë, kur aty po punohej për sistemimin e minave, depo shpërtheu dhe u vranë 4 veta. Ata rënë dëshmor në shërbim të atdheut, për të “shkulur” vdekjen nga plazhet tona, aty ku sot janë ngritur pallate e një infrastrukturë e tërë për pushim dhe që sot të gjallërojë jeta e pasardhësve të tyre.

Incidenti i Kanalit të Korfuzit

Zbulimi i mbetjeve të luftanijes britanike HMS Volage, pranë brigjeve shqiptare ka gjetur një pasqyrim të jashtëzakonshëm në shtypin botëror. Rreth 300 organe mediatike, gazeta të përditshme, agjenci lajmesh e radio, si “Washington Post”, “The Sun”, “Yahoo News”, “Chicago Public Radio”, “CBS NEWS”, “Associated Press”, etj., kanë dhënë lajmin e gjetjes së shkaktares së incidentit të Kanalit të Korfuzit në vitin 1946. Në faqet e shtypi shqiptar u botua lajmi mbi zbulimin e mbetjeve të luftanijes britanike, e cila u godit nga minat në vitin 1946. Vendgjetja e këtyre mbetjeve, vetëm 1200 metra larg brigjeve shqiptare sjell të tjera fakte mbi ngjarjen e 63 viteve më parë. Me vendim të Gjykatës së Hagës, Shqipëria u shpall fajtore si agresore, por zbulimi nënujor e vë në dyshim këtë vendim. Studiuesit dhe historianët duhet të rishikojnë faktet dhe të analizojnë arsyet pse luftanija britanike ndodhej në ujërat territoriale shqiptare. Sipas versionit shqiptar më 15 maj 1946, dy anije luftarake duke lundruar pa flamur ose shenja të tjera identifikimi hyjnë në ujërat territoriale shqiptare në afërsi të Sarandës. Bateria e artilerisë bregdetare u jep sinjal anijeve luftarake që të ndryshojnë kursin. Pasi anijet vazhdojnë të ndjekin të njëjtin kurs, bateria hap zjarr paralajmërues. Anijet luftarake ngrenë flamurin anglez dhe tërhiqen nga ujërat territoriale shqiptare. Më 22 tetor 1946, katër anije luftarake (1 kryqëzor e 3 destrojerë) të ardhur nga porti i Korfuzit, kalojnë kanalin e futen në ujërat tona territoriale, duke u afruar midis kepit të Varesë dhe kepit të Kasiopeas. Në afërsi të kepit të Varesë, dy destrojerë ranë në minat e mbetura të Luftës së Dytë Botërore, duke u dëmtuar në konstrukt e njerëz.

Është deklaruar se minat nuk ishin vendosur nga autoritetet tona, pasi nuk kishin as mundësi për një gjë të tillë, por as jugosllavët siç përflitej në atë kohë. Ato mina janë vënë gjatë Luftës së Dytë Botërore nga gjermanët, për të penguar sulmin aleat kundër tyre e për të bllokuar hyrjen në Kanalin e Korfuzit. Praninë e minave në kanal dhe në gjithë detin Mesdhe e dëshmon edhe ngritja e Komitetit të Pastrimit të Minave".

Sipas versionit anglez më 15 maj 1946, drejt nesh erdhi një anije e vogël peshkimi me njerëz të armatosur dhe kërkoi të largoheshim nga ujërat e tyre, pa na afruar asnjë lloj ndihme, e më pas u larguan. Më 22 tetor 1946, në afërsi të kepit të Varesë, dy destrojerët tanë ranë në minat e vendosura nga shqiptarët. Dy destrojerët tanë ranë në mina, duke u dëmtuar e fundosur, ku humbën jetën edhe disa marinarët tanë. Minat në ujërat e Kanalit të Korfuzit i ka vendosur Shqipëria në kundërshtim me konventat ndërkombëtare, duke sjellë dëmtimin e dy destrojerëve dhe vrasjen e disa marinarëve anglezë. Shqipëria ka dijeni se kush i ka vendosur dhe nuk ka njoftuar për këtë akt. Rojet bregdetare shqiptare duhet ti kenë parë anijet që kanë vendosur minat e për këtë mbajnë përgjegjësinë penale.

Megjithëse, Gjykata e Hagës e pranoi faktin se në datat 12 nëntor 1946 dhe 13 nëntor 1946 futja e anijeve luftarake angleze në ujërat shqiptare, ku ndodhi incidenti, ishte shkelje e sovranitetit të Shqipërisë, vendimi përfundimtar e fajësoi Shqipërinë për incidentin. Qeveria shqiptare refuzoi njohjen e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Qeveria britanike kërkoi bllokimin e arit të gjetur në Gjermani mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe që do tu shpërndahej proporcionalisht shteteve, të cilave Gjermania u kishte grabitur thesaret e bankave kombëtare.

LUAN SHTëPANI Nga : Gazeta Metropol

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama