Si e qellova nendetesen ruse me 6 bomba thellesie

Si e qellova nendetesen ruse me 6 bomba thellesie
Si të gjitha ngjarjet me fund të paparashikueshëm edhe ajo është e mbuluar me vel misteri. Gjithçka që nuk deshifrohet përmes dëshmive mund të ç’kodohen nga dokumentet arkivorë. Por ato që nuk ndodhen as në arkiva, padyshim duhet të jenë varrosur përfundimisht në thellësinë e detit...

...Çudia ndodhi një mesnatë tetori, kur Gjiri i Vlorës, i superarmatosur e me një sistem akustik që paralajmëronte nga larg objektet metalike nënujore të paidentifikuara, papritur kalohet nga një nëndetëse e huaj. Baza e Pashalimanit për të cilin historia thotë se ishin ndeshur perandorët e Romës a Bizantit, ndodhej nën kërcënimin e një mjeti që i kishte kaluar me sukses të gjitha ndalesat, për t’u ulur dhe pushuar pa droje, pikërisht në poligonin ku nëndetëset shqiptare bënin prova para stërvitjes. Vladimir Beja, në atë kohë komandant i Grupit AML të mbiujëseve shqiptare dislokuar në ishullin e Sazanit, thotë se komandanti i nëndetëses së huaj, që padyshim ishte ruse, ishte dhe një njohës i mirë i terrenit, pasi nuk gaboi në asnjë çast përgjatë lundrimit të rrezikshëm që kishte ndërmarrë në thellësinë e Gjirit të Vlorës. Ndërkohë komandant Beja rrëfen për “Shekullin” dhe 12 orët e ankthit në ndjekje të anijes misterioze, të cilën nuk arriti ta asgjësonte dot edhe pse kundër saj përdori të paktën 6 bomba thellësie me nga 100 kg tritol secila:

Si do të diktohej prania e një nëndetëseje të huaj në ujërat tona?

Në mesnatën mes 12-13 tetorit bëhet ndërrimi i shërbimit në një nga bateritë kundërajrore bregdetare. Atë natë kishte pasur shi të rrëmbyeshëm, por në 11.30 furtuna ishte ndalur e kishte dalë një hënë e plotë. Gjatë ndërresës ushtari lajmëron pasardhësin që i dorëzonte shërbimin se gjithçka ishte në qetësi, por se në det, në poligonin e diferencimit, një nëndetëse që bënte stërvitje kishte nxjerrë urën e komandimit mbi ujë. Këtë fakt ia bëjnë me dije oficerin e rojës.

U dyshua që në atë çast që ishte objekt i huaj?

Fillimisht u mor për një nga nëndetëset tona, pasi logjikuar nga kuadrati ku ajo ndodhej duhej të ishte një nga mjetet e Brigadës së Nëndetëseve, dislokuar në Pashaliman. Ne kishim një parim bazë. Për çdo lëvizje njoftonim repartet bashkëvepruese. Gjithçka mbahej shënim në fletoret përkatëse. Atë natë askush nuk ishte vënë në dijeni për lëvizje. Oficeri rojë i baterisë, për verifikim i telefonon operativit të Brigadës së Nëndetëseve dhe e pyet pse s’kishin njoftuar lëvizjet. Por operativi ia kthen se asnjë nga 4 nëndetëset nuk kishte lëvizur, të gjitha ishin në bazë. Oficeri i baterisë insiston duke i thënë se para syve të tij ndodhej ura e komandimit të një nëndetëseje. Operativi i Brigadës menjëherë lajmëroi operativin e Flotës, i cili urdhëroi të dilte në det anija e gatshme. Nxora Dragaminën e Madhe, ku isha dhe vetë. Në fakt situata nuk u mor seriozisht edhe pse veprimet luftarake u bënë në kohë. Mendoja se kishim të bënim me një alarm fals, gjë që na kishte ndodhur shpesh. Me dukej e pamundur që një mjet i huaj të depërtonte aq thellë.

Si ishte i mbrojtur gjiri nga anijet nënujëse?

Që nga koha kur Baza ishte në kuadër të Traktatit të Varshavës, në fundit e detit mes të Sazanit e Karaburunit ishte instaluar akustika tip “Vollkov”, një aparaturë me regjim përgjimi dhe zbulimi me anë të tingujve. Stacioni ishte i vjetër por i riparuar disa herë. Ai kishte aftësi për të diferencuar objektet mbiujëse dhe nënujëse. Por ky stacion nuk mund të punonte “non stop” prandaj hapej dhe mbyllej sipas një grafiku shumë sekret që nuk kishte të njëjtat orare. Kalimi i nëndetëses në këtë kohë përbënte dyshim. Por, nëndetësja fuqinë e saj e ka pikërisht tek fshehtësia nën ujë. Ndërsa ajo çuditërisht kishte dalë në sipërfaqe dhe kjo na e bënte më tëpabesueshme situatën. Megjithatë ne kishim skema të gatshme për çdo operacion të mundshëm, skema të përllogaritura në përshtatje me situatat. I kërkova operativit të Flotës t’u jepte alarm dhe dy anijeve të tjera, që të kisha mundësi të krijoja Grupin Kërkues Goditës.

Ishte e nevojshme të dilnin 3 anije?

Në fakt po. Fillimisht, unë si komandant i repartit mendova se ky ishte një rast i mirë për të testuar gatishmërinë e Grupit, prandaj kërkova të nxirrja në det një dragaminë të vogël dhe Gjuajtësi Detar. Me shpejtësi ndërtova strategjinë që nëndetësen armike ta kapnim brenda. Dragaminën e madhe e vendosa roje në kanalin Jugor, ndërsa dragaminën evogël në kanalin Verior, në spirancë. Gjuajtësin e urdhërova të patrullonte në gjirin e Vlorës, por pa u futur në gjirin e Dukatit e cila mbulohej nga një nëndetëse e një anije metalkërkuese që kishin dalë nga Baza e Pashalimanit. Patrulluam në këtë mënyrë deri në 07.30 të mëngjesit kur i raportova komandës se sipërfaqja ishte e pastër pasi e kishim krehur disa herë. Ndërkohë më vjen një urdhër nga Komandanti i Flotës, Ndue Jaku, urdhër i cili u dublua dhe nga komandanti i ishullit të Sazanit, Tasim Meçe. Më thanë: “Shko vet të verifikosh çfarë ka në gjirin e Dukatit, pasi anija metalkërkuese raporton se ka zbuluar një masë të madhe metali poshtë vetes”. Atëherë urdhërova gjuajtësin detar të zinte vendin e dragaminës së madhe në mezokanal, (pika detare mes kepit të Karaburunit e ishullit të Sazanit) dhe vetë u futa në gjirin e Dukatit. Komunikova me radio si me anijen metalkërkuese ashtu dhe me nëndetësen në bordin e së cilës ishte dhe zv/komandanti i brigadës së nëndetëseve, Dervish Jaupi. U kërkova të largoheshin nga zona.

Do të kalonit në një stad të ri të verifikimit?

Deri në atë kohë ishim në përgjim, pornë atë çast dhashë urdhër të përdorej sinjali akustik, gjë që padyshim do t’i tregonte nëndetëses armike (nëse ishte) që kishim ardhur për të. Pas lëshimit të sinjalit të dytë m’u raportua se tingulli i kthyer pas tregonte se kishim të bënim me një nënujëse në distancën 5 kabëll (gjysmë milje). Pra nuk ishte fjala për një lojë a për alarm fals. Dhashë urdhër të verifikohej kontakti. Pas 2-3 sinjaleve të tjera sërish erdhi përgjigja: nëndetëse. Pa nguruar më thashë urdhrin: “Alarm kundër nëndetëses”. Me këtë alarm merreshin masat për sulm dhe për mbrojtje nga kundërsulmi i një nëndetëse armike. Njoftova komandën e Flotës e të Ishullit që kishim zbuluar një nëndetëse e cila qëndronte e palëvizur në 45 metra thellësi. Pak minuta pasi ne e kishim zbuluar dhe pasi vetë ata e kishin kuptuar nëpërmjet sinjalit akustik se kishin të bënin me një anije luftarake që i kishte zbuluar, filluan të lëviznin. Ishte ora 08.05 i mëngjesit. Komandanti i nëndetëses duhej të ishte njohësi i mirë i terrenin pasi filloi të shmangej nga ne duke shfrytëzuar thellësitë për maskim. Nga komanda më erdhi urdhri: “Ruaj kontaktin”. Punoja vazhdimisht me sistemin ECO akustik për përcaktuar vendndodhjen e saj.

Si reagoi nëndetësja?

Lëshoi nja dy sinjale akustike për të gjetur vendndodhjen tonë e për të përcaktuar largësinë e shkëmbinjve, pra për të gjetur shtegun nga të largohej. Pas sinjaleve nga ana e tyre u zhduk çdo lloj dyshimi. Ishte nëndetëse. Nga komanda m’u tha urdhri: Jepi sinjalin ndërkombëtar “Dil në sipërfaqe”. E sinjalizova me anë e tre bombave të dorës, të cilat nuk është se e dëmtojnë atë. Por ajo vazhdonte në dinamikën e saj.

Nëndetësja armike

Duke rrëfyer historinë Vladimir Beja thotë: Në vitit 1981 isha komandanti i Grupit të Anijeve Mbiujëse Luftarake, e cila ishte dislokuar në ishullin e Sazanit, dhe ku ishte në vartësi të dyfishtë nga Komanda e Flotës e Komanda e Garnizonit të ishullit. Në 13 tetor 1981 kam përjetuar një nga ngjarjet më të vështira të jetës time si ushtarak. Një nëndetëse ruse, këtë e them pa rezerva, u fut në thellësi të ujërave tona, për të penetruar deri në thellësi të gjirit të Vlorës, në afërsi të Orikumit, atje ku në hartë njihet: “Gjiri i Dukatit”.

Teknika e ndjekjes

“Unë e mbaja nëndetësen e huaj në anën e djathtë në një distancë të afërt e vazhdimisht transmetoja në radio për komandën e Flotës e të Ishullit vendndodhjen. Veproja kështu pasi teknikisht nëndetësja e ka të vështirë të qëllojë me silurë nëse anija që e ndjek është afër. Deri në atë çast po ecte ngadalë. Kur doli tek Uji i Ftohtë shtoi shpejtësinë."

Provokimet e ngjashme

“Kur nëndetësja, kaloi Ujin e Ftohtë, ngjitet në urën e komandimit një bocman i vjetër që shërbente në flotë nga koha e rusëve e më thotë: “Komandant, një situatë e ngjashme na ka ndodhur edhe në 11 prill 1959”. Kur e pyeta se çfarë kishte ndodhur atë ditë ai m’u përgjigj se, kur në gjirin e Vlorës kishte 12 nëndetëse, një nënujëse e huaj bëri të njëjtat manovrime dhe nuk u kap. Mundësia më e madhe ishte që edhe në këtë rast të ishte një nëndetëse ruse. Pra një lojë."

Nëndetësja ruse trondit Italinë

Vetëm pak ditë pas ngjarjes në Gjirin e Vlorës, sipas mediave italiane, një nëndetëse ruse u zbulua në gjirin e Tarantos, Itali, që ishte dhe bazë e NATO-s. Kjo nëndetëse u ndoq nga 12 anije luftarake të Bazës së Tarantos dhe nuk u kap. “Nëndetësja ruse luajti me anijet tona si macja me miun”, deklaruan mediat italiane. Po në këto ditë të tetorit 1981, në fjordet suedeze u zbulua një nëndetëse ruse e cila nga marina suedeze u detyrua të dilte në sipërfaqe. Komanda e nëndetëses deklaroi se kishte defekt teknik dhe kështu ky problemi u zgjidh në rrugë diplomatike."

Moszbatimi i urdhrit

Në çastin e fundit Gjuajtësit Detar nuk i “shkrepi këmbëza”. Urdhëri nuk u zbatua. Komandant Beja thotë: “Pati mosmarrëveshje mes komandantit të Gjuajtësit dhe komisarit të Grupit AML i cili ishte gjithashtu ishte me mision koordinues në Gjuajtës. Ai e ndaloi të qëllonte me mendimin se ndoshta ishte një anije me armë bërthamore që mund të shkaktonte incidente të mëdha. Gjithsesi vetëm pas tre muaj analizash u mbyll kjo çështje”.

Telegrami i mbyllur

Urdhri: “Asgjësoni nëndetësen armike”

Vladimir Beja, në atë kohë komandanti i operacionit thotë: “Afër mezokanalit nëndetësja rriti shpejtësinë. Ajo nuk ruhej më por i bënte veprimet hapur. Në bazë të llogaritjeve, raportoj se me shpejtësinë që ecte nëndetësja pas 20 minutash largohej nga dragamina sa të mos kapej më. Pas 25 minutash vjen radisti e më thotë se kishte ardhur një telegram i mbyllur. Në kod fshihej urdhri për zjarr i dhënë nga ministri i Mbrojtjes, Kadri Hazbiu. Meqenëse isha larg ia përcjell këtë urdhër Gjuajtësit Detar. Komanda e Gjuajtësit bëri manovrat e duhura por në çastin e fundit nuk qëlloi. Më njoftoi: Kam defekt, nuk mund ta kryej dot detyrën. Gjuajtësi u kthye në bazë. I mbetur vetëm e ndoqa nëndetësen dhe i hodha dy bomba thellësie, 100 kg tritol secila. E dija që s’do t’i bëja gjë por të paktën demonstrova se mund ta qëlloja.

E ndoqa deri në afërsi të Sarandës qëllova drejt saj dhe katër herë të tjera. Nëndetësja vazhdoi përpara”.

Epilogu

Kadri Hazbiut gjatë analizës: Nuk gjenim dot Mehmetin

Ngjarja do të sillte padyshim dhe një sërë analizash në Ministrinë e Mbrojtjes. “Gjatë analizës mësova se ministri Kadri Hazbiu, kishte kërkuar të fliste me kryeministrin Mehmet Shehu që t’i kërkonte të hapte zjarr. Sipas tij Mehmeti nuk gjendej në zyrë, madje nuk po e gjenin askund. Ishte vetëm dy muaj para vetëvrasjes së kryeministrit. Më pas kishte komunikuar me Enver Hoxhën, si Komandant i Përgjithshëm, i cili si u informua mbi ngjarjen i thotë: “Ti shkallmoni brinjët”. Atëherë u dha urdhri për zjarr. Por ishte vonë që dragamina e madhe të kryente misionin. Megjithatë gjatë analizës Kadri Hazbiu e vlerësoi veprimin e mbiujëseve shqiptare. Për drejtuesit e Gjuajtësit që nuk kryen detyrën u morën masa të rrepta”, rrëfen Beja.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama