Si do te zgjidhet ngerci i pensioneve te shqiptareve ne Itali

Si do te zgjidhet ngerçi i pensioneve te shqiptareve ne Itali

Jemi mësuar që Ambasada Shqiptar në Itali apo organizata e shoqata emigrantësh të promovojnë komunitetin tonë më evente artistike apo manifestime kulturore. Ndoshta për herë të parë në nivel institucional preket një temë shqetësuese e pjesë e problematikave aktuale të emigrantëve shqiptarë që punojnë rrëgullisht prej vitesh në territorin italian e kontribojnë në sistemin fiskal të këtij shteti. Pensionet e emigrantëve shqiptarë në Itali dhe kontributet e sigurimeve shoqërore të derdhura nga ata, ishte tema kryesore e seminarit të mbajtur në Romë, pranë selisë së Bashkisë së këtij qyteti. Ideuar e organizuar nga Asambleja e Këshillit Komunal të kryeqytetit italian, Instituti Kombëtar italian për përkrahjen sociale INAS-CISL dhe të Ambasada shqiptare në Romë, ky debat është ndoshta i pari që mundëson mes organizatave dhe institucioneve të dy vendeve, një analizë specifike të problematikave reale e shqetësuese të emigrantëve shqiptarë në Itali.

 

Konferenca e mbajtur në Romë mbi njohjen e pensioneve e kontributeve të sigurimeve shoqërore të emigrantëve shqiptarë, hodhi ndoshta atë hapin e parë konkret aq shumë të premtuar e të paarritur kurrë prej më shumë se dy dekadash, por mori dhe premtimin nga ana e Senatorit italian z. Claudio Micheloni që brenda këtij viti do të hartojë një mocion debati në Parlamentin italian ku të gjithë parlamentarët do të diskutojnë e reflektojnë për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ideatori i kësaj konference është përfaqësuesi i komunitetit shqiptar pranë Asamblesë Bashkiake të Romës, këshilltari Edmond Godo, i cili për gazetën "Shekulli" përcjell arsyet dhe qëllimin e realizmit të tij, por dhe zërin e drejtpërdrejtë të emigrantëve mbi shqetësime e probleme madhore si e drejta e votës dhe nënshtetësia.

Ju si ideues i këtij debati por dhe si përfaqësues i komunitetit shqiptar pranë komunës së Romës, çfarë mund të thoni mbi arsyet dhe qëllimin e këtij takimi?

 Takimi ishte i fokusuar në një tematikë që përbën interes për një pjesë të mirë të emigrantëve shqiptarë në Itali. Është vënë re që shumë emigrantë shqiptarë të ardhur në fillim të viteve' 90, kanë mbushur moshën për pension, por kontributet e derdhura gjatë këtyre viteve në Itali nuk mjaftojnë për të maturuar pensionin minimal, siç e parashikon ligji italian. Me kalimin e viteve ky problem po bëhet gjithnjë më shqetësues. E vetmja mënyrë për ta bërë të mundur një pension dinjitoz është një marrëveshje dypalëshe Itali-Shqipëri, pra një konvencion. Për fat të keq ende nuk ekziston një gjë e tillë. Dhe jo vetëm kaq, por ende nuk kanë filluar negociatat si hap i parë e i domosdoshëm.

Për të gjithë punonjësit emigrantë të huaj nënshtetas të vendeve të BE-së, aktiviteti i punës e fondi i pensionit është i rregulluar sipas një traktati që eliminon çdo formë diskriminimi kombësie. Ndërsa për punonjësit ekstrakomunitar mes tyre dhe ne shqiptarët, gjithçka varet nga nënshkrimi i një marrëveshje mes vendesh. A do mundemi ta kapërcejmë këtë hap?

Ligji Bosi-Fini është me të vërtetë strumbullar i këtij debati, pasi u heq të drejtat të gjithë të huajve ekstrakomunitarëve që kanë derdhur kontributet këtu në Itali. Në qoftë se një punonjës ekstrakomunitar nuk arrin të derdhë të paktën 20 vite kontribute këtu në Itali, ai nuk përfiton asgjë, sepse nuk maturon vitet për pensionin minimal. Vitet e punës në Shqipëri nuk njihen sepse nuk ka asnjë marrëveshje dypalëshe, kështu që jemi në një situatë boshllëku normativ.

Cilat mund të jenë rrugët më të përshtatshme për mbrojtjen e njohjen e të drejtave të punonjësve të rregullt shqiptarë në territorin italian?

Hapi i parë dhe i domosdoshëm është vullneti politik i të dy anëve, por më së shumti duhet lobim i fuqishëm i qeverisë dhe institucioneve shqiptare për mbrojtjen dhe tutelimin e të drejtave të gjysmë milioni shqiptarësh që jetojnë në shtetin fqinjë.

Pse të mos jenë dhe pjesë aktive e politikës dhjetëra mijëra emigrantë shqiptarë që kanë mbi dy dekada që jetojnë e punojnë në Itali? Çfarë mund të bëhet më shumë në këtë drejtim?

Është e vërtetë që mungesa e të drejtës së votës në vendin ku ti jeton ku planifikon të ardhmen tënde e të familjes është demoralizuese dhe penalizuese. Por ligji italian nuk e parashikon këtë dhe ç'është më e keqja mungon vullneti politik për të zgjidhur këtë mungesë dhe padrejtësi që penalizon shumë shtetas shqiptarë. Sidomos kur konsiderojmë faktin që kemi 20 vjet që jemi përjashtuar nga e drejta e votës edhe në atdheun tonë. Dhe kjo është diçka ku mund të veprohet, mjafton të zbatohet Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e cila garanton të drejtën e çdo shtetasi shqiptar për të zgjedhur e për t’u zgjedhur, për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes dhe jetës politike të vendit. Vërtet nuk kuptoj cilat janë pengesat e pakapërcyeshme që këto 20 vjet u kanë mohuar të drejtën kushtetuese qindra mijëra qytetarëve shqiptarë, pjesë aktive në ekonominë e vendit. Sigurisht, i vetmi shpjegim është mungesa e vullnetit politik për të vënë në vend një padrejtësi që zgjat prej shumë kohësh dhe që i bën emigrantët shqiptarë të ndihen të huaj dyfish, të huaj në Itali e të huaj në shtëpi.

Marrëveshja

Ndër 514 mijë emigrantë shqiptarë në territorin italian, janë rreth 250 mijë punonjës me kontrata të rregullta pune, një shifër kjo jo indiferente për përgjegjësitë politike e sociale të shtetit shqiptar dhe atij italian. Senatori i Parlamentit Italian z. Claudio Micheloni, njëkohësisht dhe President i Komitetit për Italianët në mërgim nënvizoi faktin se mungesa e një marrëveshje të tillë nuk është një problem ekonomik, por një padrejtësi e vërtetë, që i duhet gjetur zgjidhje në respektim të deklaratës universale të lirisë e të drejtave themelore të njeriut, por është dhe një problem politik. "Është e papranueshme sjellja e shtetit italian ndaj emigrantëve që ndërtojnë pasurinë e këtij vendi. Italianët në mërgim e kanë zgjidhur këtë problem qysh në vitin 1964, falë marrëveshjeve dypalëshe dhe impenjimit të mjaft organizatave e shoqatave të emigrantëve. Shpesh emigrantët bëhen instrument objektiv i politikës, duke u shfrytëzuar deri në qëllimin e tyre të afërt. Mos e lejoni këtë fakt, e shndërrohuni në një mekanizëm subjektiv të saj".

Ligji përballë premtimeve

Kanë kaluar 24 vjet nga flukset e para të emigracionit shqiptarë në brigjet italiane. Emigrantët e dikurshëm 20, 30 dhe 40-vjeçarë sot kanë kapërcyer moshën e mesme e mjaft prej tyre janë në prag pensioni. Mosnjohja e së drejtës së pensionit dhe të kontributeve të derdhura nga emigrantet, sot më shumë se kurrë prezantohet si një problem aktual, prej të cilit gjithnjë e më shumë po vuajnë emigrantët shqiptarë në Itali. E deri atëherë, mbi 250 mijë emigrantë shqiptarë, punonjës të rregullt në Itali e kontribuues në sistemin ekonomik e fiskal të këtij shteti, njëkohësisht dhe pjesë e një komuniteti që aktualisht kapërcen gjysmë milioni, do të vazhdojnë të punojnë e të derdhin sigurimet shoqërore me dyshimin në do t’i hyjnë në punë një ditë sigurimet e tyre. Prej 2008 e deri më sot, mes qeverisë shqiptare e asaj italiane diskutohet mbi këtë ngërç social e çdo vit gjendemi përballë një marrëveshjeje të panënshkruar kurrë, e nën kufizimet diskriminuese të ligjit Bossi- Fini. I nënshkruar më vitin 2002, sipas tij, çdo emigrantë që vendos të riatdhesohet në vendin e origjinës, nuk ka më asnjë të drejtë të kërkojë njohjen e viteve të punës kryer në shtetin italian, pavarësisht të gjitha kontributeve të sigurimeve shoqërore derdhur në dobi të sistemit fiskal të këtij shteti.

Pra, një emigrant shqiptar pas 20 vitesh pune në Itali, kur dëshiron të kthehet në Shqipëri, të gjitha këto vite të rregullta pune i shkojnë dëm e nuk i njihen kurrë në maturimin e një pensioni të ardhshëm. Krejt ndryshe qëndron puna me emigrantë nga vendet anëtare të BE-së, ku ligjet evropiane nuk lejojnë asnjë formë diskriminimi kombësie. Deri sa Shqipëria të bëhet pjesë e këtij komuniteti na duhet të kalojnë ca vite, e deri atëherë komuniteti i emigrantëve shqiptarë duhet të vuaj padrejtësinë e një ligji të tillë. Përballë premtimeve institucionale pa asnjë akt veprimi, konferenca e mbajtur në Romë bindi komunitetin shqiptar ta shndërroj kërkesën e tyre për këtë drejtësi sociale në një fushatë të vërtetë lobimi në të gjithë territorin italian duke pretenduar nga qeveritë e dy vendeve gjetjen e një rrugëzgjidhjeje. E zgjidhja është mjaft e thjeshtë, tek një marrëveshje mes Shqipërisë e Italisë që nuk po nënshkruhet kurrë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama