Shume heronj drejt nje objektivi madhor 25 futbolliste luajten ne keto eliminatore

Shume heronj drejt nje objektivi madhor, 25 futbolliste luajten ne keto eliminatore

Rekordi – Kjo është hera e parë që Shqipëria fiton katër ndeshje në një eliminatore të Europianit, ashtu si edhe hera e parë që merr tri suksese jashtë fushe dhe e mbyll edicionin e pamposhtur në transfertë. Si asnjëherë tjetër më parë, kuqezinjtë kanë regjistruar 14 pikë në kualifikueset e një turneu madhor ndërkombëtar

Protagonistët

Kuqezinjtë – Nga porta në sulm, çdokush u tregua i gatshëm për të dhënë kontributin e tij që Shqipëria të siguronte fluturimin historik drejt Francë 2016


Nëse Shqipëria prek për herë të parë fazën finale të një aktiviteti madhor ndërkombëtar, kjo është padyshim meritë e një grupi të jashtëzakonshëm lojtarësh, të cilët gjatë këtij edicioni janë vënë plotësisht në dispozicion të objektivit kuqezi. Trajneri De Biazi, që në fillimin e projektit të tij, i ka mëshuar fort frymës së grupit dhe mbi këtë ide nuk ka ngurruar të bëjë rotacion të vazhdueshëm në radhët e ekipit, për të arritur këtë objektiv të rëndësishëm, shpesh pa parë emra, por duke u bazuar vetëm te forma e secilit. Ndaj nuk ishte aspak rastësi që në ndeshjen vendimtare të sezonit, ndaj Armenisë, debutoi si titullar në ndeshje zyrtare Aliji, ndërsa në stolin e rezervave u ul Lenjani, i cili kishte luajtur të shtata takimet e mëparshme të eliminatoreve.

De Biazi sigurisht që kishte emrat e tij të preferuar, por nuk ka ngurruar t’i sakrifikojë edhe ata në të mirë të grupit. Në fund të eliminatoreve, të vetmit futbollistë që luajtën të tetë ndeshjet zyrtare ishin Etrit Berisha, Lorik Cana dhe Taulant Xhaka, por ky i fundit është zëvendësuar në sfidën e parë ndaj Portugalisë, ndaj nuk përfshihet mes “të palodhurve”, si dy të tjerët. Mes lojtarëve më të përdorur nga De Biazi, spikat Ansi Agolli, i cili ka luajtur çdo minuta të shtatë ndeshjeve të para. Mbrojtësi, i cili dje festoi 33-vjetorin, do të kishte luajtur edhe takimin e tetë, po të mos ishte për pezullimin pas tre kartonëve të verdhë. Në vend të tij mendohej se do të luante Lenjani, por De Biazi, kundër çdo parashikimi, i besoi vendin në formacion me shumë sukses mbrojtësit Naser Aliji. Ky i fundit kishte luajtur më parë vetëm një ndeshje miqësore ndaj Francës, por priti rastin e tij dhe ndaj Armenisë, kur iu dha mundësia, tregoi se e meritonte që të ishte pjesë e projektit të kësaj përfaqësueseje pikërisht në ndeshjen vendimtare. Burim Kukeli dhe Amir Abrashi, filluan edicionin si titullarë të paprekshëm dhe luajtën gjashtë ndeshje radhazi në formacion. Por asnjë prej tyre nuk vuri asnjëherë në diskutim zgjedhjet e trajnerit për t’i ulur në stol ndaj Serbisë, ashtu si edhe kur De Biazi e përsëriti këtë vendim ndaj Armenisë. Megjithatë, në momentin që ata hynë mbrëmë në fushë, dhanë menjëherë kontributin e tyre për të mbyllur me sukses ndeshjen më të rëndësishme të sezonit.

Shtatë ndeshje në këto eliminatore regjistron edhe Sokol Çikalleshi, i cili mendohej se do të ishte zgjedhja e tretë pas Balajt dhe Gashit në sulm. Futbollisti 25-vjeçar është ndjekur disi nga fati i keq në aspektin personal, pasi është ndalur nga shtyllat, por do të ketë mundësi të thyejë këtë tabu në turneun e verës së ardhshme, pasi tani ai është zgjedhja e parë e sulmit kuqezi.

Një nga surprizat më të këndshme të këtyre eliminatoreve ka qenë padyshim edhe Elseid Hysaj, mbrojtësi që e nisi sezonin si pjesë e Empolit, por që tashmë shkon drejt Francë 2016 si një lojtar i Napolit edhe falë paraqitjeve të tij me fanellën kuqezi, që tërhoqën vëmendjen ndërkombëtare. Po të mos ishte për një dëmtim në shtator, ai do të kishte luajtur të gjitha ndeshjet, por duhet të kënaqet me “vetëm” gjashtë prej tyre në eliminatore. Odise Roshi dhe Bekim Balaj, që regjistrojnë nga pesë ndeshje të luajtura në këto eliminatore, do të kujtohen gjatë nga tifozët shqiptarë për kombinimin e golit ndaj Portugalisë apo “betejën për flamur” në Beograd. Por, mbi të gjitha, do të kujtohen për durimin dhe gatishmërinë që kanë treguar, edhe pse shpesh kanë filluar ndeshjet nga stoli i rezervave.

Mërgim Mavraj ishte një element i humbur rrugës, për shkak dëmtimesh, por De Biazi u dha besim dy të rinjve për të zënë vendin e tij në prapavijë. Fillimisht ishte Ajeti (dy ndeshje) që zuri vendin përkrah Canës në qendër, ndërsa së fundmi ishte Gjimshiti (katër ndeshje), i cili rezultoi vendimtar edhe me golin e tij ndaj Armenisë. Në vitin 2015, një vend mes kuqezinjve siguroi edhe “i harruari” Shkëlzen Gashi, vendimtar në dy sfidat kundër Armenisë, duke shënuar golin e fitores 2-1 në duelin e parë dhe duke qenë protagonist në aksionin e autogolit që i dha avantazhin kuqezinjve një natë më parë. Ashtu si ai, edhe Migjen Basha ka fituar më shumë hapësira së fundmi, duke u kthyer në regjisorin e mesfushës, përkrah Memushajt, i cili pak nga pak ka treguar se ndoshta meriton një skuadër më të madhe se Peskara në Serinë B. Lila, Sadiku, Kaçe, Salihi, Curri dhe Rama kanë qenë të gjithë protagonistë, edhe pse kanë luajtur më pak minuta në këtë edicion, duke e bërë më të vështirë që tani punën e trajnerit, i cili duhet të fillojë të mendojë për 23 emrat që do të marrë me vete në Francë. Ai tashmë ka luksin që të përzgjedhë jo vetëm mes tyre, por edhe mes emrave si Bulku, Shala e Rrahmani, që kanë qenë gjithmonë pjesë e këtij grupi. Edhe pse nuk kanë pasur mundësinë të veshin fanellën, kanë kontribuuar me mbështetjen e tyre ndaj të gjithë atyre që patën fatin të shkruanin në fushë historinë e futbollit shqiptar.

 

Lojtarët   Ndeshjet

Etrit Berisha   8
Lorik Cana 8
Taulant Xhaka   8
Ansi Agolli     7
Burim Kukeli    7
Amir Abrashi    7
Ermir Lenjani   7
Sokol Çikalleshi 7
Elseid Hysaj    6
Odise Roshi     5
Bekim Balaj     5
Mërgim Mavraj   4
Berat Xhimshiti 4
Migjen Basha    4
Andi Lila  4
Shkëlzen Gashi  4
Ledian Memushaj 3
Armando Sadiku  2
Arlind Ajeti    2
Ergys Kaçe 2
Naser Aliji     1
Debatik Curri   1
Alban Meha 1
Valdet Rama     1
Hamdi Salihi    1


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama