Shtypi dhe opinioni publik

Shtypi dhe opinioni publik
Të dy gazetat e kryeqytetit e kanë ndarë punën aq mirë, saqë shumë rrallë u takon të bien në kundërshtim njëra me tjetrën. Por si duket, era e polemikës, që po fryn këto kohët e fundit në Shqipëri, kaloi edhe nga redaksia e rrugës së Dibrës. Kur themi polemikë, nuk jemi të sigurtë në mund të quhet kështu, ajo shfaqje mendimesh të kundërta po mbi atë çështje, që u bë tani shpejt në shtyllat e Vatrës dhe të Besës. Këtu duket sikur u përgënjeshtrua preteza e atyre, që thonë, se ndër ne, polemika merr me diomos formën e sharjeve personale. Ah, me sa takt, me sa hollësi dhe sa tërthorazi Besa i thotë Vatrës që s'ka të drejtë! Të vjen të pyesësh veten: nga doli tërë kjo delikatesë, që kur u rafinuan kag redaktorët e Besës apo s'kishin se si bënin ndeyshe?.. Kërcen prifti nga belaja...

Po, të vimë në thelbin e bisedimit. Polemika e mbytur, aq e mbytur, sa mbase shumica e këndonjësve nuk e vunë re fare, midis Besës dhe Vatrës, rrodhi nga polemika e vërtetë, pa stërhollime, pa dredhira, pa gante kadifeje, ku u përpoqën përfaqësonjësit e dy tendencave ekstreme të rregjimit hiderian. Dy ministrat e kancelarit Hider, Von Papeni me Goebbelsin, duke u përleshur me fjalë nga tribuna e dy sallave të ndryshme, na dhanë të kuptojmë se

Gjermania naziste nuk ishte parajsi i lumtërisë, që na trumbetonin profitet e nacional-socializimit. Von Papeni, ky përfaqësonjës tipik i junkerëve prusianë që tradhtoi partinë e tij për t'u bërë ministër i Hitlerit, u alarmua nga gjendja kritike ku e shpuri Gjermaninë një mot e gjysmë qeverimi nacional-socialist. Politika e Hitlerit, e cila i duket atij, sikur brenda po e shpie Gjermaninë drejt falimentit financiar dhe jashtë drejt izolimit diplomatik, nuk mund të mos alarmojë pronarët dhe kapitalistët e mëdhenj, që përfaqëson Von Papeni. Prandaj ky, në një fjalë që bëri bujë, deshi të kujtonte disa të vërteta të hidhura. Me pakë fjale tha, se kështu nuk mund të vazhdojë, se demagogjitë e disa revolucionarëve të rinj e të flaktë (Goebbels?) janë të rrezikshme, se ngrirja e lirisë së shtypit është e dëmshme, pse le gabime të pademaskuara, se një qeveri me të vërtetë e fortë, s'ka frikë nga kritikat, se sistemi i një partie nuk mund të vazhdojë edhe pasi revolucioni triumfoi, se një popull, që i mohonet liria e fjalës, nuk mund të quhet anëtar i bindur i rregjimit, se një unanimitet i siguruar vetëm me anën e forcës brutale, nuk mund të ketë jetë të gjatë. Von Papeni mbaroi me këto fjalë: "Luftën kundër kritikonjësve unë s'e kuptonj si disa të tjerë. Unë kujtoj se vetëm një shpjegim i sinqertë me kombin, do t'i ngjallë këtij besimin në veten e tij dhe do t'i japë gëzimin e punës që bën. Populli do të pranojë çdo sakrificë, kur ta dijë se për ç'qëllim e bën, kur çdo kritikë të mos luftohet, kur patriotët që shqetësohen për fatin e Atdheut, të mos quhen tradhtorë."

Këtij fjalimi, që dënon rregjimin e Nazive, bashkë me doktrinën dhe metodat e tyre, i u përgjegj ministri i propagandës Goebbels, me një ton, që arrin vende-vende, kulmin e violencës. Jeniçeri oratorik i Hitlerit, nuk gjeti fjalë mjaft të forta për të stigmatizuar reaksionarët që prehen nëpër kulltuqet e klubeve, aventurierët pa skrupull, që u qepen pas lëvizjes nacional-socialiste për të shkëputur nonjë kockë. Këta zotërinj (këndo: Von Papen) pashpirt e pa entuziazëm, që guxojnë të kritikojnë regjimin nazi, duhet ta dinë se shpirtmadhëria e Goebbelsit me shokë ka kufi dhe po e tepëruan zullumin, vala nacional-socialiste do të kalojnë përmbi trupat e tyre. Von Papeni do të jetë penduar për guximin që pati se, pas lajmeve të fundit, puna nuk u kufizua me kërcënimet e Goebbelsit. Qeveria hitleriane po i provon pjesëtarit të vet me anën e policisë, se nuk kish të drejtë...

Vatra, duke komentuar këtë polemikë, që nuk dihej se do të mbaronte kështu, sikur shfaqi dëshirën, që nonjë ministër nga tanët, të delte të na mbante një fjalë si të Von Papenit. Kurse Besës grindja në llogorin e nacional-socialistëve i inspiron disa konsiderata mbi shtypin e opinionin publik, konsiderata që mund të shqyrtohen me interes edhe në shtyllat e një gazete kulturale si kjo jona. "Për sa u përket gabimeve të qeverisë në administratën e brendshme të shtetit, shtypi nuk është ndrojtur kurrë - thotë Besa, - këtu ta përmbushë detyrën e tij dhe të kritikojë çfarëdo vepre, që nuk pajtohet plotësisht me interesat e larta të kombit dhe të shtetit." Sikundër e di gjithkush. Besa është parimisht optimiste.

Optimizma i shtyn njerëzit t'i shohin punët, ashtu si do t'u pëlqente të ishin. Kështu e sheh edhe Besa rolin e saj në zbulimin e gabimeve të administratës. Por fjalën e kemi gjetkë. "Shtypi, citojmë prapë Besën duke e quajtur veten si një armë të fortë në dorën e fuqisë ekzekutive, në shumë raste nuk e gjen të pajtuar me interesin e shtetit, që të ngutet në shfaqjen e opinionit publik mbi disa çështje me rëndësi, sidomos kur i përkasin politikës së jashtme të shtetit." Me dy fjalë Besa mbron sistemin e diplomacisë së fshehtë. Rezultatet e kësaj diplomacie, që pregatiti me aq mjeshtëri luftën e përgjithshme, janë në shesh. Përdorja e atyre metodave fatale edhe në ditët tona, nga shtetet e mëdhenj, aleancat e lidhura prapa perdes, qoftë edhe me etiketa të reja, thellojnë edhe më tepër shqetësimin tragjik, ku ka arrirë bota sot. Fundi, edhe sikur të pranohet në parim, diplomacia e fshehtë, ka kufitë e veta.

Deri sa puna kufizohet në demarshe e nota diplomatike, në tratativa që mund të kenë përfundime pozitive apo negative, opinioni publik mund të mbahet në errësirë. Por ditën që ngjasin disa fakte konkrete, ditën që bëhen do gjeste, që i sheh kushdo, atëherë mospërfillja e opinionit publik, mbajtja e tij në injorancë të ngjarjeve, nuk mund të justifikohet as me një mënyrë. Publiku i papregatitur me kohë, impresionohet aq më tepër nga këto ngjarje të papritura, që nuk di sesi t'i shpjegojë. Në mendjen e njerëzisë së alarmuar dhe pa një drejtim, lajmet më fantastike dhe më disfatiste gjejnë shesh të lirë. Në të tilla raste kritike qeveritë kanë interes të ndjejnë se e kanë popullin pas. Dhe që të mund populli të ndjekë qeverinë, duhet të dijë se ç’ngjet. Përkundrazi, heshtja e qeverisë tregon se ajo nuk ka besimin e popullit, tregon se ndërmjet popullit dhe qeverisë nuk mbretëron një harmoni e plotë. Prandaj në të tilla raste shtypi, që shërben si organ i fuqisë ekzekutive, nuk mund ta quanjë kurrsesi veten përfaqësonjës të opinionit publik, shtyp!

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama